Publikohen disa shkrime të panjohura, botuar në shatorin e vitit 1913, në gazetën “Përlindja e Shqypniës” në Vlorë

Këto punë s’muarr funt as ahere kur Qeveria e Vlonës, duke besuar se ban një vepër të dobishme për qetësinen e njësien e Shqipërisë, e emnoi ministër të punëve të brendëme Z. e tij Esad Pashë Toptanin. S’muarrën funt ato punëra, po e fytyrën këmbyen; zunë të bahen me një mnyrë zyrtare.

Me të marrë emnimin si ministër, Zotnija e tij kërkoi leje të baj një udhëtim gjer në Romë e Vjenë që të çlodhet prej mundimeve të mëdha të luftës. Në kryeqytetet e të dy Fuqive mike, Z. Ministër i Punëve të Brëndme u çlodh dhe mbesojmë se u sigurua për disa gjëra: u sigurua se Shqipëria u bë për të gjithë shqiptarët baraz edhe se një ministër i këtij shteti të vogël, cilido që të jetë, nderohet, në ato vise, ma fort se në çdo vënd tjetër të botës.

Si u kthye nga Roma e Viena, Pashaj, i pakënaqur me mënyrën e administrimit të disa viseve, si Tiranë, Kavajë, Durrës, në të cilat punonin akoma njerëzit të vënë në punë prej Serbëve, u nis për në rrugë dhe vajti po në ato vise, pa dyshim, për ta shtuar numrin e nëpunësve që duhej ta ulnin kokën nën urdhnin e Qeverisë Shqiptare, Mundet që ata nëpunës punonin tamam pas dëshirës së Qeverisë, dhe e mjera Qeveri s’e kuptonte a mundet që, me të vajtur Z. Ministër n’ato vise, nëpunësit premtuan se do ta ndryshonin mënyrën e punës, prandaj ministri nuk hoqi asnjë nëpunës po, përkundrazi, i riemnoi këta edhe emnoi edhe disa të tjerë porsi ata.

Mbase kështu e donin interesat e mëdha të këtij shteti të vogël; këto gjëra s’i kuptonte lehtas çdo njeri. Si i vuni në rregull të gjitha punët në ato vise armike të qetësisë dhe të rregullës. Z. Ministër i të brendmeve u kthye në Vlonë, ndenji dy javë dhe, me të afruar bajrami, u nis sërish në Tiranë. S’ka dyshim një ministër të cilit i pëlqen rregulla aq shumë sa Zotëris së tij, nuk munt të rrinte i qetë në çiflig të vet t’i festojë të kremtet; po, pa reshtur ministri inspekton mënyrën e administrimit të Durrësit, Tiranës, Kavajës dhe Krujës./Konica.al