Shumë simbole në gjithë botën flasin për dashurinë, por në Jug të Shqipërisë një qytet antik është “Qytet i Dashurisë”. 14 km larg nga Gjirokastra, poshtë këmbëve të Malit të Lunxhërisë, rrënojat antike flasin edhe sot për Antigonenë. Qyteti i famshëm u ndërtua nga Mbreti Pirro në shenjë dashurie për gruan e tij Antigona.

Mbreti i Epirit e mori vajzën e mbretit Ptoleme të Egjyptit dhe themeloi qytetin me emrin e saj rreth viteve 290, Para Krishtit. Qyteti jetoi gati 150 vjet dhe u dogj nga romakët në shenjë hakmarrje ndaj mbretit Pirro dhe kjo i nxiti historianët ta përcaktojnë Antigonenë, qytetin që lindi nga dashuria dhe u shkatërrua nga urrejtja.

Sipas Arkeologëve ndërtimi i qytetit është realizuar sipas një plani të qartë urbanistik në një sipërfaqe prej 47 hektarësh me mure rrethuese disa kilometër si dhe me akropolin, monumente të tjera vezulluese, përfshirë dhe një mozaik shumëngjyrësh, që jeton ende. Edhe sot në “skenën” natyrore të qytetit antic luhen shfaqje teatrore që flasin për Pirron dhe Antigonën

Burimi: VOA – Zëri i Amerikës