Nga Vepror Hasani

Ndoshta nuk e keni ditur më parë. Të gjitha qytet si Korça, që jetën e tyre e nisën me ndërtimin e një xhamie, të një pazari dhe të një kuvendi, (parlamentin e qytetit), kishin qenë mjaftueshëm të ngjashme midis tyre. Lagjet mbanin pothuajse të njëjtat emra: lagjja e xhamisë ose e sahatit, lagjja e tregut ose çarshia, bezisteni, mejdani etj. Kanë patur edhe një lagje të quajtur “qoshku”, që pa asnjë dyshim mund ta gjeje në të gjitha këto qytete. Edhe kjo gjë ka mbetur e panjohur.

“Qoshku” ishte kuvendi ku burrat mblidheshin dhe flisnin për punët e qytetit dhe hallet njerëzve; ishte parlamenti qytetar. Për të gjitha këto nuk është folur asnjëherë. Emërtimet e vjetra nuk ekzistojnë. Në vend të emrit “lagjja e xhamisë” u përdor më së shumti “lagjja e sahatit”, sot ky emërtim është i harruar. Mjaft i parapëlqyer kishte qenë termi “çarshi”, por sot çarshia nuk është më. Nuk mbahet mend që kur është shembur. Nuk ekziston as bezisteni, pazari i mallrave të zgjedhura e të shtrenjta. Këto qytete kanë patur edhe ngjashmëri të tjera, si “lagjja e lumit”, “varoshi”, “bostanet”, “poçarana” etj. Shpesh kishin edhe një lagje të quajtur “kala”. Pse ka ndodhur kështu? Të gjitha këto emërtime do t’i gjeni të shpjeguara më poshtë, por mjaft domethënës mbetet parlamenti i qytetarëve.

Lagjja e Xhamisë
Lagjja e xhamisë përbënte bërthamën e qytetit, pikënisjen e tij. Rreth saj ngriheshin banesat e themeluesit të qytetit, të pasardhësve të tij, të nëpunësve, njerëzve të shkolluar etj. Përgjithësisht ata ishin njerëzit më të pasur të qytetit. Kishin në pronësi hane, dyqane, magazina, ara, kullota, vreshta etj. Shtëpitë i kishin dykatëshe me oborr të gjerë, të thurura me avlli, me hajate, qoshqe, divane, dollape, musendra dyer e dritare të gdhendura nga mjeshtrit më me emër.

Aty ngrihej qendra sociale për të varfërit (imareti), institucionet fetare dhe bibloteka e xhamisë, e quajtur “xhild-hane”. Përtej kësaj lagjeje të parë, ngriheshin lagjet e tjera, të cilat merrnin emrat që i përmendëm më sipër. Ndërtimi i pazarit filloi në të njëjtën kohë me ndërtimin e xhamisë, ku fillimisht u ngrit një han, një tavëhane, një hamam, dyqanet e ushqimeve dhe zarzavateve dhe më pas, me shtimin e tyre, u krijuan sheshet e tregtimit dhe punishtet e zejtarisë. Pranë xhamisë nuk mungonte asnjëherë shkolla e vajzave dhe e djemve, ku rolin e mësuesit e kryente hoxha. Rreth xhamisë kishin varret themeluesit e qytetit dhe të pasardhësve të tyre.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mitropolinë, pranë saj gjendeshin shkollat që u vinin në ndihmë fëmijëve të krishterë, ndërsa varret pranë mitropolive u përkisnin njerëzve që kishin një status të veçantë. Varrezat e qytetarëve vendoseshin më në periferi. Edhe tek ato, ekzistonte një ndarje sipas fiseve, edhe pse bëhej fjalë për të njëjtën varrezë. Çdo komunitet fetar mysliman, ortodoks, katolik, protestant, (Korça ka patur edhe protestantë), etj, kishin varrezat e tyre. Vllehët kishin varrezë më vete. Tashmë le të ndalemi të parlamenti i qytetarëve.

Qoshku – parlamenti i qytetarëve
Të gjitha qytetet me xhami dhe Pazar kishin edhe një lagje të quajtur “qoshku”. Emërtimi nuk është shumë simpatik, të krijon përshtypjen e një lagjeje të vogël, “si qoshk”, si e krijuar rastësisht, ndoshta e shkëputur nga lagjet e tjera, por kur hyn në historinë e saj, të krijon një përfytyrim tjetër. Lagjja “qoshk” ishte e dyta që krijohej pas lagjes së xhamisë. Kjo lagje mendohej si parlamenti i qytetit. Për këtë arsye që në fillesat e krijimit të saj, parashikohej ndërtimi i një sheshi të madh, ku mund të mblidheshin gjithë njerëzit. Sheshi ishte i thurur me avlli dhe porta të mëdha e të rënda si për të treguar peshën e fjalës së qytetarëve.

Në krye të sheshit ngrihej një ndërtesë e madhe në hapësirë, (shtrirje), zakonisht dy katëshe, e cila ishte pjesë e ndërtesave qeveritare. Sa herë banorët e qytetit ndjenin se një punë apo një tjetër duhej pleqëruar mirë, mblidheshin te “qoshku”, ku merrnin takim me njerëzit e qeverisë. Pjesëmarrësit u përkisnin të gjitha shtresave. I pranishëm mund të ishte gjithkush që kishte diçka për të thënë, ose jo, por përgjithësisht liheshin të flisnin njerëzit që ishin të shkolluar dhe që kishin besimin e banorëve. Qoshku nuk zëvëndësonte as qeverinë (hyqymetin), as bashkinë (beledijen), as deputetët dhe as këshilltarët (azallarët).

Funksioni i qoshkut ishte një kuvend i hapur, ku mund të flisnin dhe të dëgjoheshin të gjithë. Çdo njeri që merrte fjalën vendosej “në qoshk”, që do të thotë se dilte në krye, në podiumin e ndërtesës që ndodhej në krye të sheshit. Për këtë arsye, lagjja qoshk ishte një nga lagjet më rëndësishme, në mos më e rëndësishmja. Shpesh, sipas pjesëmarrjes, përdoreshin edhe ambientet e brendshme të ndërtesës. Ku ndodhej ky shesh në Korçë? Nuk mund ta themi me saktësi, por sipas të gjitha gjasave sheshi shtrihej pranë shtëpisë së mëmëdhetarit Ali Qyteza. Edhe grekët kur hynë për herë të parë në Korçë, aty nisën t’i mblidhnin njerëzit që t’u shpjegonin përse kishin ardhur… ndërsa detyronin Belul Efendinë, kryetarin e Bashkisë, t’u fliste njerëzve mirë për Greqinë.

Siç e thamë edhe më sipër, Qoshku ka ekzistuar edhe në qytete të tjera, por të dokumentuar e gjejmë në qytetin e Përmetit: “Tatëpjetë pazarit, buzë Vjosës, prej çipit të shkarrëzimit për tek ura gjer te guri i Qytetit, shtrihej lagjja e Qoshkut me atë të Lumit. Quhej “Qoshk”, sepse në sheshin e tij, në kohëra të vjetra, ngrihej një i tillë, ku rrinte qeveria dhe mblidhej parësia tok me qeveritarët për të rrahur të gjitha punërat. Ky ndodhej edhe në kohën e Ali Pashës…” (Sitilian Adhami, “Përmeti dhe përmetarët në udhëpërshkrimet e të huajve dhe në kujtimet e popullit”, f. 177).

Lagjja e Lumit
Përgjithësisht këto qytete kanë patur edhe një lagje të quajtur “lagjja e lumit”. Ndodhte kështu sepse territori ku do të ngrihej qyteti, duhej të gjendej doemos në kryqëzime rrugësh dhe mundësisht pranë një lumë apo një përroi me ujë të rrjedhshëm e të pashterueshëm që t’i shërbente qytetit në çdo kohë. Lumenjtë janë korridorë të përhershëm që sjellin ajrin e pastër nga malet dhe luginat. Kanë aftësi të krijojnë mikroklima. Qyteti mund t’i shfrytëzojë për pastërtinë e tij; për ujitjen e parqeve dhe lulishteve, për larjen e shesheve dhe rrugëve, për mbajtjen pastër të banjove publike, për fikjen e zjarreve etj.

Uji i tyre është falas. Me ujërat e një lumi mund të krijosh imazhe të pabesueshme, pasqyra uji, pishina dhe lokale, pse jo edhe hotele pranë tyre. Një pasuri të tillë ta fal vetëm Zoti, por vetëm nëse di ta çmosh atë. Kjo ishte arsyeja pse kërkohej prania e një lumi. Themeluesi i qytetit të Korçës, Iljaz bej Mirahori, shëtiti gjithë krahinën për të parë se ku mund të ngrihej qyteti i tij dhe së fundi përzgjodhi këtë vend, ku ngrihet Korça sot, vetëm për shkak të ekzistencës së lumit; ndryshe Boboshtica, pronë e tij me dekret perandorak, do të kishte qenë shumë herë më e pereferuar. Në këto qytete, banesat që ngriheshin buzë lumit merrnin emrin “lagjja e lumit”. Shumë qytete si Korça e kanë edhe këtë lagje. Edhe Korça e kishte një lagje të tillë, por sot nuk e ka më. Lumin e nxorën jashtë qytetit. Dhe e dini pse ndodhi kështu? Në atë kohë, vitet 1960, nuk funksiononte Qoshku, parlamenti i qytetarëve.

Lagjja “Kala” dhe varoshllinjtë e vërtetë
Themeluesit e qyteteve të kësaj periudhe parapëlqenin që zona ku do të ngrihej qyteti i tyre të kishte një kala, qoftë edhe të rrënuar, ose së paku të dihej që kishte ekzistuar një e tillë. Këtë shenjë e shihnin si bekim. Kalaja ishte dëshmia më e mirë që tregonte se aty kishin jetuar njerëz dhe mbi të gjitha kishin patur përparim për shekuj me radhë.. Natyra u kishte ofruar miqësinë e saj. Me ngritjen e qyteteve nuk mund të eksperimentohej. Ngritja e qytetit të ri ishte si një ringjallje për njerëzit që kishin jetuar aty shekuj më parë. Kjo ishte dhe arsyeja pse Iljaz bej Mirahori preferoi një vend pranë Kalasë së Mborjes, ku nuk mungonte as lumi. Madje mori edhe 26 familjet e kalasë së Mborjes dhe i vendosi në qytetin që ngriti vet. Ato 26 familje myslimane janë varoshllinjtë e vërtetë të Korçës, sepse ata ishin vërtetë banorë të kalasë.

Kjo e vërtetë thuhet edhe në Regjistrin Osman të Kosturit (1520-1530), ku saktësohet se një pjesë e fshatit Emporje, 34 familje bashkë me teologun Bilal Faiku, zbritën në Peskëpi, (siç dihet Peskëpia përbëhej nga dy pjesë; nga fshati Peskëpi dhe qyteti i Korçës), gjë që kuptohet se ata u vendosën në qytetin e Korçës, ku jetonin myslimanët.

Pazari dhe lagjet e tjera
Sigurisht, një nga lagjet më të rëndësishme të Korçës mbetet pazari. Si pjesë të tij ishin edhe çarshia me bezistenin, dy ndër tregjet më të bukura të tij. Si pjesë e pazarit shihej edhe “mejdani”. Një shpjegim më të qartë për këtë term na jep studiuesi Stilian Adhami: “…në mejdan punohej lini, mëndafshi, kërpi, zbardhej dhe ngjyrosej; këtu pritej, qepej, thurej, bëheshin ndërtitë e bukura me engjërdhi të nuses. Këtu më në fund përgatitej mazia dhe kënahu për plakat …(“Përmeti dhe përmetarët në udhëpërshkrimet e të huajve dhe në kujtimet e popullit”, f. 175).

Por për të gjitha qytetet, të mëdhenjë ose të vegjël, veçanërisht në atë kohë, kërkohej te kishin një periferi me toka të përshtatshme për bostane (zarzavate), të cilat ishin ushqimi i përditshëm i banorëve, por edhe një poçaranë që mund t’i sillte pazarit mjaft të ardhura. Me ardhjen e vllehëve, pazarit iu shtuan prodhimet prej leshi dhe shajaku si dhe produktet e shumta të qumështit. Që të gjitha këto, Iljaz bej Mirahori i gjeti në këtë vend, ku ngrihet sot qyteti i Korçës. Nëse emrat e vjetër dhe disa nga objektet e përmendura më sipër, siç ishte qoshku do të ishin ruajtur, qyteti do të ishte vërtetë një antikë e rrallë.

Nga Vepror Hasani /Naishtedikur.info