Ai është ndarë nga jeta një vit më parë. Lamtumira iu dha pa shumë bujë, siç ndodh rëndom me heronjtë e heshtur, pavarësisht se Raif Elezi qe simbol i kryengritjes së armatosur dhe i rrëzimit të komunizmit në Shqipëri.

Raif Elezi në një nga protestat e ish­të burgosurve politikë, ka vuajtur 22 vite në qelitë e diktaturës
Një disident që nuk u dënua thjesht se “foli keq” kundër regjimit, por sepse u përpoq ta shembte atë. I burgosur politikisht me 22 vite në diktaturë dhe i dekoruar me medalje nga Presidenti në demokraci, Raif Elezi do të mbetet rast unik në tentativat konkrete që pati për të rrëzuar sistemin komunist, aq sa njihet si “Legjenda e Kukësit”.

Një epitet që e kanë pohuar shumë bashkëvuajtës të tij, por që më me detaje e sjell për gazetën “Panorama”, i nipi dr. Ardian Elezi. Ashtu si xhaxhai i tij, edhe Ardiani është nderuar nga Presidenti i Republikës. Ka marrë medaljen “Pishtar i Demokracisë”, si protagonist, aktivist dhe dëshmitar i ngjarjeve të dhjetorit 1990, dhe proceseve demokratike.

Por këta nuk janë Elezët e vetëm në rezistencën antikomuniste, kontributi i tyre shpërndahet në tre breza dhe kjo intervistë e Ardian Elezit është rrëfimi i historisë së përbashkët të tyre….

Si ka nisur persekutimi i familjes suaj? 
Përndjekja e persekutimi i familjes sonë zë fill që me gjyshin, Rexhep Mahmuti Elezi, i cili ka
qenë kryetari i Këshillit Krahinor, nënprefekt dhe kryetar i UNRRA­-s për Kukësin, që u dënua për “agjitacion e propagandë” dhe si antijugosllav. Ai propagandonte kundër pushtetit të atëhershëm, ishte
për orientimin perëndimor të vendit, për pluralizmin politik dhe përmbysjen e sistemit komunist e shihte të lidhur me revoltën popullore të brendshme. Ai ka qenë në survejimin e Sigurimit të Shtetit, derisa ndërroi jetë. Djali i tij, Raif Elezi, xhaxhai im, për shkak të opozicionit të hapur e permanent ndaj sistemit komunist, me qëllim sensibilizimin e publikut, prej një kohe shumë të gjatë që në rininë e vet ka qenë në ndjekje nga Sigurimi, ku më vonë, përmes bashkëpunëtorëve të Sigurimit të infiltruar dhe teknikave agjenturoreoperative, është arritur të arrestohet.

Me çfarë akuze u arrestua xhaxhai juaj, Raif Elezi?
Është dënuar për akuzën e “agjitacionit të propagandës kundër pushtetit popullor, akte terroristë kundër udhëheqjes së lartë të partisë, plan për organizimin e kryengritjes së armatosur, e një kundërrevolucioni”

A kishte në fakt një plan të tillë xhaxhai juaj? 
Po, sipas planit të tij në vitin 1969, së pari do të pushtonin qytetin e Kukësit, duke marrë pikat e institucionet kryesore të qytetit dhe më pas, përmes Radiostacionit të Kukësit, do t’i bëhej thirrje popullit dhe për qytetet e tjera të vendit. (Panorama)