Shpesh hasim histori të “çuditshme” të emrave të njohur, rrëfyer bujshëm prej atyre që u rrinë pranë, në intervistat apo ballafaqimet mediatike. Shkëlqimi i emrave teksa bëjnë hokatarin miklues precipiton njëherazi edhe në lartësimin e tyre. E teksa tregojnë kënaqshëm ndodhitë e “jashtëzakonshme”, shijojnë spektaklin e ekos që ka kërshëruar mikrofonistin e radhës, ku shpejt do jetë “lajmi i ditës”. Të interesuarit e këtyre informacioneve ndjekin se si ishte për shembull reagimi i KM-së pas përballjes me emrat e hekurt të politikës apo sektorëve kyç të vendit, ose çfarë ndodhi në momentin e fundit kur fund-pantallonat e tij u morën në dyqanin x.

Rrëfimi im nuk tagon kategorinë e dritave të shumta, por atë të normaliteteve tona në versionin jopublik, jokomercial, duke sjellë rrjedhimisht edhe historitë tona jetësore. Diku kap vëmendjen e gjerë të publikut vetëm në rastet kur durimi dhe skandali ka kaluar caqet, duke u kthyer në lajmin qendror të kronikave të zeza ose rozë. Të tjerat që nuk kalojnë këtë ylber mbeten të izoluara në rrethet familjare e komunitare. Shpesh kam pasur personazhe të vështira, në problematikat apo përpëlitjet që ata mbartin, në shkrimet e mia.

Por ka KAQ SHUMË TË TJERË, që çdo ditë vijojnë të kacafyten me të përditshmen në dukje “të zakonshme” shqiptare. Ia dalin, humbasin e i rrëfejnë mes njëri-tjetrit këto humbje, suksese, sfida apo zhvillime ditore … e në fund ndihen më të lehtësuar, teksa i konkludojnë po mes tyre. Në këtë shkrim unë dua të jem më shumë se kaq. Dua që këta emra të njohur vetëm mes miqve të kenë mundësinë të komunikojnë në një përfshirje edhe më të plotë e në kohë reale. Këto publikime do të mundësojnë që halli i ditës e jo i “batutës së ditës” të ketë impaktin e duhur, e pse jo të ndjekim e grasojmë më mirë edhe hallkat e vështira të burokracisë e kotësisë shqiptare pa trukun e shitjes në media.

PËLLUMB DERVISHI

Për admiruesin e kinemasë shqiptare, sapo të shohë portretin e personazhit tim, do të dalë një pëshpërimë njohëse “Ahh, poooo”. Është portreti i hasur në shumë filma, kryesisht në të kinemasë së viteve ‘70-‘80. Gjithmonë në role të dyta, kurrë protagonist. Megjithatë, sistematik i lidhur me kinemanë, aktrimin, teatrin. Ishte një ditë çapkëne e braktisjes së mësimit, teksa nxënësi Pëllumb Dervishi po kacavirrej në murin e shkollës për t’i bërë bisht mësimit. Në këto përpëlitje u pikas nga syri i regjisorit Hysen Hakani, i cili qe në shkolla të ndryshme në kërkim të grupit të aktorëve fëmijë për filmin “Debatik”, i cili shpejt do të niste xhirimet. Kur u kap në befasi nga regjisori, Pëllumbi nuk gjente fjalët të justifikonte pozicionin luftarak, të kapur në flagrancë.

Regjisori me tonin e lartë i kërkon shpjegim, duke iu prezantuar si njëri nga drejtuesit e Komitetit, ndërkohë njëherazi shihte se si djaloshi do të reagonte, pra ishte një prove reale filmike. Djaloshi reagon me format më të natyrshme që një fëmijë çapkën bën, duke e fituar kësisoj edhe rolin. Ky ishte fillimi i një bashkëpunimi dhe lidhjeje të gjata me kinemanë e aktrimin, duke vijuar me role e figura të ndryshme, që admiruesit e kinemasë e kanë parë e ndjekur. Por vazhdimi me filmin nuk ishte aq interesant në vitet që rrodhën më pas. Mundi të vijonte t’i jepte kinemasë edhe shumë role të tjera, por nuk realizoi shkollimin në degën që ai dashuronte.

Gjithmonë i lidhur me teatrin, sidomos pasi institucioni legjendë i filmit shqiptar “Kinostudio Shqipëria e re” nuk prodhoi më filma. Në vitet e fundit punoi si inspektor skene në Teatrin Kombëtar dhe në disa vënie skenike, edhe si asistent regjisor. Përkushtimi dhe dashuria për punën qenë dhe janë motivi qendror i Pëllumbit, bashkangjitur edhe me skrupolozitetin karakteristik. Ndjek të gjitha vëniet dhe është aty me heshtjen e tij fjalëshumë. Sot e sheh shpesh në qoshen e tij, në kafen e njohur “Te Gjergji”, ngjitur me Teatrin Kombëtar. Dita e tij është e një pensionisti me hallet dhe gëzimet që ajo të afron, por Pëllumbi, edhe pse tashmë teatri ka kaluar në zonën e re të punës, vijon të shijojë orët e tij me besnikët që ende e konsiderojnë atë vend si KAFJA E VËRTETË E TEATRIT KOMBËTAR.

TEREZA & VIOLETA

Tereza është gruaja që shpëton shumë jetë kafshësh në rrugët e qytetit tonë. Është një pensioniste plot jetë, e cila lufton çdo ditë kundër absurditetit e realitetit të egër shqiptar, ku dashamirësia dhe kujdesi për këtë kategori është fare i limituar, i trishtë, tragjik. Kafshëzat e pafata kanë shumë pak emra që mbeten pa gjumë për to, e njëri prej tyre pa dyshim është i Terezës. Shtëpia modeste në katin e parë të 5-katësheve parafabrikate në zonën e Kinostudios është plot me mace të moshave të ndryshme. Janë aty të trajtuara me dashuri deri në momentin që gjendet një i interesuar për adoptim. Fatkeqësisht, ndodh jo rrallë edhe nga të papërgjegjshëm.

Si Tereza, po ashtu është edhe Violeta, u përkushtohet pa limit të braktisurave sybukura. Janë të dyja gra të pashme, si së jashtmi ashtu edhe së brendshmi. Janë gra me kaq e aq histori jetësh të shpëtuara, por edhe jo. Violeta më telefonon, duke më kërkuar ndihmë për të denoncuar masakrimin e një qenushi të lagjes, për të cilin kujdesohej prej kohësh, përpos një lukunie macesh e qensh në urgjencat e strehimit pas shembjes së shumë ambienteve private, të kthyera tashmë në shumëkatëshet e preferuara.

“Më ka trishtuar pafund vrasja e qenushit tim të dashur”, thotë Violeta, madje i shkroi edhe vetë kryetarit të bashkisë, duke i kujtuar se njerëzit që kanë kurajë të vrasin qentë, të njëjtën gjë bëjnë edhe me njerëzit. Ne si shoqëri jemi të bekuar me emra të tillë që na e bëjnë ditën edhe më kuptimplotë, por sidomos më njerëzore. Le të flasim më shumë për historitë që i japin kuptimin e vërtetë ekzistencës sonë, nga ku mesazhet e sidomos realiteti çdoditor i tyre të bëhet publik. Kështu ndihemi më mirë e pastrojmë ndopak llumin ku na kanë hedhur me sajesat tona televizive.

Burimi: Panorama.com.al