Nga Almarina Gegvataj/ATSH

TIRANE, 29 dhjetor/ATSH/-Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka publikuar sot historinë e veçantë të mjeshtrit Ramazan Cani.

Ramazan Cani ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli mes artistëve. Nuk ka bërë shkollë arti, por asgjëmangut, edhe ai është artist në profesionin e vet. Është ai që ua ka bërë hapin më të rëndë gjeneralëve të skenës së teatrit apo fluturimin më të lehtë artistëve të Cirkut.

Ai është mjeshtri që ka realizuar për vite me radhë këpucët e aktorëve të Teatrit Kombëtar (Teatrit Popullor), artistëve të Cirkut Kombëtar, të Estradës, Teatrit të Kukullave.

Ramazan Canin e gjejmë te vendi i punës, në një kthinë të ngushtë, në Cirk. Do edhe pak muaj të dalë në pension, por punës i rri mbi kokë. “Unë bëj këpucë, papuçe, rripa sigurie.. sidomos te këto të fundit përgjegjësia është shumë e madhe. Varet jeta e njeriut aty, ndaj edhe i punoj me shumë kujdes, shtresë pas shtrese dhe qepjen e bëj me dorë me fije të forta“.

Kur Ramazani filloi të punojë si këpucar, ishte fare i vogël. Ndoqi udhën e të vëllait, i cili po ashtu ka punuar si këpucar, madje edhe ai mes artistësh, në Teatrin e Operës dhe Baletit. “Im vëlla sot është 80 vjeç. Ai punonte tek “Shërbimet”. Fillova duke rregulluar gjëra të vogla, duke qepur dhe kur shkova 16 vjeç hyra në punë, fillimisht te Mjetet Mësimore dhe Artikujt Sportivë, që ka qenë te Rruga e Elbasanit dhe më pas te NISH Këpuca, ku punova nga viti 1970 deri në 1973. U shkëputa tre vjet për të kryer shërbimin ushtarak në Lazarat, Gjirokastër dhe kur u ktheva, qëlloi që një nga këpucarët e vjetër të teatrit dilte në pension, dhe u futa në vendin e tij. Dhe në ’77-ën nisa në Teatrin Popullor”, tregon ai.

“Asokohe prapavija e Teatrit Popullor, e Cirkut, e Teatrit të Kukullave, e Estradës, ka qenë e përbashkët. Piktorë, këpucarë, rrobaqepës, marangozë, të gjithë ishim të pozicionuar pranë Teatrit Popullor. Pas viteve ’90, me ndërrimin e sistemeve unë kalova në Cirk dhe që prej atëherë kam punuar këtu”, thotë ai, teksa numëron artistët ë mëdhenj të Cirkut, si Telat Agolli, Gjystina Petrela, Met Selimi e shumë të tjerë.

Ka mall për vitet kur punonte në Teatrin Popullor. “Ishin shfaqje masive, me shumë aktorë dhe realizoja me dhjetra palë këpucë. Bënim shumë opinga, pasi edhe shfaqjet ishin më shumë me tema kombëtare. Me xhufka për Jugun, prej llastiku për Veriun, Shqipëria e Mesme i kishte më të thjeshta… Kishte një volum të jashtëzakonshëm pune. Ne ishim dy këpucarë dhe nuk i dilnim dot. Ishte shumë e vështirë ta përballoje. Po ne kemi punuar shumë e të them të drejtën, nuk kam ndier lodhje”. Nga duart e tij kanë dalë gjithëfarëlloj këpucësh: çizme, papuçe, këpucë një metër të gjata për klounë… “Edhe kjo punë ka truket e veta, që nuk do t’ua them, sepse është si të tregosh të fshehtat e një magjistari”, thotë ai.

Ai e ndjen veten me fat që ka punuar me artistë të mëdhenj të skenës dhe ekranit shqiptar. Kur ishte i ri, i dukej si ëndërr që rrethohej nga ato figura aq të shquara. “Kur kam parë Marika Kallamatën, Violeta Manushin, Kadri Roshin, Margarita Xhepën, Pjetër Gjokën… më dukej çudi. Ishte një gjë shumë e rrallë, nuk arrija ta besoja. Nuk i kisha parë as në televizor, sepse edhe televizorët ishin shumë të rrallë asokohe”, tregon Ramazani. Dhe, në këtë pikë, nuk ka asnjë peng nga jeta.

Ishin kohë të mëdha, kur artistët punonin me pasion, shkonin edhe fshehur në skenë të bënin prova. “Tani më duket sikur nuk e duan shumë punën. Jo se nuk ka artistë të mirë, por edhe kushtet nuk i kanë aq të mira. Edhe çmimet e biletave janë qesharake. Nuk mund të paguash 50 lekë për të parë një shfaqje cirku, që do shumë mund të realizohet. Puna e artistit duhet vlerësuar”, thotë Ramazani, që nuk ka asnjë ankesë për punën e vet, por ama ajo e artistëve duket se i dhemb shumë.

Burimi: Agjensia Telegrafike Shqiptare – Ata.gov.al