Drande Xhaj, aktorja që sfidon moshën dhe kohën

Teatri “Migjeni” këtë vit mbushi 70 vjet nga themelimi i tij, i cili i ka rrënjët edhe më herët në historinë e kulturës shqiptare. Janë 70 vite dhe të kesh 42 vite karrierë artistike në skenë në këtë teatër 70-vjeçar nuk janë pak. Kaq vite pra ka aktorja, tanimë “Mjeshtre e Madhe” Drande Xhaj në këtë skenë dhe kur mendon se ajo vazhdon të jetë e re dhe e freskët edhe sot e kësaj dite, falë vitalitetit të saj që e karakterizon, si dhe falë grupit të aktorëve edhe më të vjetër se ajo e bëjnë këtë skenë “bahçe e lulëzuar”, siç e cilësuam më lart të jetë krenaria e qytetit të Shkodrës.

Teatri “Migjeni” dhe trupa e tij profesioniste janë një binom që asesi nuk mund të ndahet, janë një binom që pikërisht nga kjo lidhje kaq e ngushtë janë bërë pjesë e historisë së teatrit shqiptar. Në këtë histori ka një rol jo të vogël edhe aktorja, të cilës unë po i kushtoj këtë shkrim.

Drande Xhaj u lind më 13 qershor 1957 dhe që në moshë të re shfaqi shenja të një talenti të lindur, duke u angazhuar që në bankat e shkollës në aktivitete të ndryshme artistike, si recituese dhe këngëtare, talente që me kalimin e viteve dhe me kujdesin e mësuesve, erdhën duke u perfeksionuar, duke u bërë kështu premisa që një ditë edhe kjo lule e bahçes shkodrane të mbillet e të lulëzojë në skenën e madhe të Teatrit “Migjeni”. Kjo ndodhi në vitin 1978, ku Drande Xhaj debutoi për herë të parë në këtë skenë përkrah mjeshtërve të mëdhenj të humorit; Tano Banushi, Paulin Preka, Zyliha Miloti, Jolanda Shala, Katerina Biga, Gëzim Kruja, Zef Deda, Besnik Çinari, Sandër Ruçi, Edmond Halili etj. Si për çdo talent të ri edhe për Dranden kjo rrugë nuk ishte e lehtë, por duhet të kujtojmë se ajo u bë pjesë e një shkolle të madhe të artit, siç është Teatri “Migjeni”, ky institucion kaq i njohur në të gjithë Shqipërinë. Dana, ashtu siç i pëlqen ta thërrasin shoqëria e familja, interpreton në dy filma të Kinostudios “Shqipëria e re”, “Thirrja” dhe “Shokët tanë të mirë”, si dhe në katër komedi, ku lë gjurmë si një aktore e kompletuar dhe shumëplanëshe.

Ndryshimet e mëdha pas viteve ’90

Ndryshimet e mëdha pas viteve ’90 sollën vështirësi edhe për këtë teatër historik, por ishin këta aktorë të mrekullueshëm që i mbijetuan këtij tranzicioni të egër, duke e mbajtur mbi valë edhe varkën e tyre, skenën, si të ishte shtëpia e tyre. Jeta artistike e qytetit të Shkodrës kishte nevojë për ta, dhe ata me vështirësi të mëdha edhe financiare, arritën ta nxjerrin këtë varkë në breg, duke i rikthyer edhe një herë shkëlqimin e dikurshëm, këtij tempulli kaq të shenjtë për shkodranët. Gama e aktiviteteve në skenën e Teatrit tani ishte më e larmishme, me estradë, me komedi, me koncerte show, me recitale dhe mbrëmje artistike dhe kudo në këto veprimtari Drande Xhaj do të ishte e pranishme si aktore, organizatore, por edhe si konferenciere.

Sukseset dhe vlerësimet

Një sukses të jashtëzakonshëm Artistja Drande Xhaj ka korrur edhe në aktivitete artistike në Evropë si në; Gjermani, Zvicër, Londër, Itali, Greqi, Suedi, Austri, etj. Veçojmë këtu edhe interpretimin me aktorin e shquar Çun Lajçi ku ka triumfuar fuqishëm me vargjet e Fishtës.

Për karrierën kaq vitale të aktores Drande Xhaj, vlerësimet e tij i dha edhe dramaturgu i shquar Prof. Fadil Kraja, gjatë një bisede, i cili u shpreh kështu: Mendoj se është integruar me sukses në plejadën e aktorëve që i dhanë shkëlqim ndër vite Teatrit “Migjeni”. Mendoj se e meriton plotësisht titullin “Mjeshtre e Madhe” që iu akordua me rastin e 70-vjetorit të Teatrit të Shkodrës, i cili është “krijesë” e një qyteti me tradita të padiskutueshme artistike, siç e cilëson në librin e tij shkrimtari Xhahit Bushati.

Vlerësime të mëdha për kolegen dhe partneren e tij Drande Xhaj na dha edhe aktori i shquar i Estradës Profesioniste të Shkodrës “Mjeshtri i Madh” Besnik Çinari: Mjafton të thuash që Drande Xhaj ka punuar 40 vjet në Teatrin “Migjeni” ku, siç ka thënë shoku ynë Arjan Çuliqi, në Teatrin “Migjeni” me kalu një herë quhesh artist. Aktore e kompletuar, fat i madh i saj që ka punuar me aktorë të mëdhenj, por edhe fati jonë që kemi pasur Dranden dhe vazhdojmë ta kemi, edhe pse jemi në pension. Për vlerësim tjetër mund të them, se është aktorja më e papërtueshme e Teatrit “Migjeni”.

Aktori dhe regjisori i shquar shkodran Bruno Shllaku e vlerësoi kolegen e tij Drande Xhaj me këto fjalë:

Një interpreto, e cila zotëron në mënyrë perfekte binomin humor dhe dramë. Një aktore e diapazoneve pa kufi. Ajo mishëron në mënyrën më profesionale dhuntinë e përcjelljes në mënyrë perfekte të fjalës tek publiku. Një aktore që emocionalisht të befason kur është në dramë e në kohën tjetër të gajasë së qeshuri, kur ajo është në humorin e teatrit të estradës. Drande Xhaj ka vite që navigon suksesshëm në pjesë të forta dramaturgjike. Nga kjo unë nxjerr një konkluzion që qysh në kry të herës rriskonte që të ishte një aktore e indekseve të dramës, gjë që artisti i popullit Lec Shllaku në teatrin e dramës e cilësonte si një Vitore Nino të dytë. E admirueshme është kuraja, patosi e serioziteti që vesh si një petk unik kjo aktore “Mjeshtre e Madhe”. Një jetë e tërë në skenë, por gjithmonë e freskët, sa për një moment spektatorët shkodranë harrojnë se ajo ka 42 vite që performon para tyre, por vazhdojnë ta shohin, ta ndjekin, ta pëlqejnë e ta duartrokasin sikur këto vite nuk ekzistojnë.

Mosha bën punën e vet, siç thonë, por tek artisti nuk ndodh kështu. Shpirti i artistit të madh nuk plaket dhe nuk vyshket kurrë. Përveç publikut, si vlerësuesi më i mirë i artistëve, Drande Xhaj është vlerësuar me tituj nderi gjatë gjithë karrierës artistike, tituj të cilët ajo i ka merituar, sepse nga viti në vit ka qenë një ndër aktoret më aktive dhe më produktive. Këtu mund të përmendim vlerësimet nga institucionet më të larta shtetërore, kombëtare e lokale, duke filluar nga Urdhri “Naim Frashëri”, “Mirënjohje e qytetit” në Shkodër, “Qytetare Nderi” në Malësinë e Madhe. “Personazh i shquar” i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, “Personazh i shquar” i Pegasi Albania, “Mirënjohje” e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Pejë. Në Festivalin Kombëtar të Komedisë Shqipe në Mitrovicë, tre vite radhazi është vlerësuar me çmimin “Aktorja më e mirë e Festivalit”, për të ardhur te akordimi i titullit më të lartë “Mjeshtre e Madhe” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. E tillë ka qenë, është dhe do të mbetet kjo artiste, Mjeshtre e Madhe e humorit, Drande Xhaj për skenën shkodrane dhe shqiptare, sepse në radhë të parë kështu e ndjen veten edhe vetë ajo.

II

Poeti anglez i romantizmit revolucionar

PERSI BISHI SHELI (1792-1822)

 Sheli zhytej shumë në botën e brendshme të mendimeve dhe të artit të tij. Ai kujdesej fare pak për trupin dhe jetën materiale në përgjithësi. Kur merrej me punët e tij shpesh harronte edhe të hante. Kur e thërrisnin për drekë thoshte:

-Si? Nuk kemi ngrënë drekë ende? Ai hante shumë dhe ushqehej kryesisht me bukë dhe qumësht.

Një mik që e gjeti poetin duke zgjidhur një trastë me monedha, që e kishte sjellë nga Livornoja. Sheli i derdhi të gjitha monedhat në qilim, i ndau në 2 pjesë dhe i tha së shoqes:

Kjo gjysmë është për shpenzimet e shtëpisë. Pastaj mori gjysmën tjetër dhe e ndau në 2 pjesë të tjera, njërën pjesë ia dha gruas dhe i tha:

Kjo është për ty dhe kjo që mbetet është për mua, dhe i shtoi diçka në vesh. Ajo më vonë ia tha mikut që kishte ardhur në shtëpi:

-Pjesën e tij do t’ia jepte të varfërit Tom Meavin, që kishte nevojë të shkonte në Napoli dhe nuk kishte asnjë kacidhe në xhep.

III

Filmi “Klithma”, vlerësohet në Bosnje dhe Hercegovinë

Filmi i shkurtër kosovar “Klithma” në regji të Korab Lecajt, është shpërblyer me çmimin “BEST CINEMATOGRAPHY” në konkurrencën e filmave të shkurtër të cilën e ndanë çdo vit Asociacioni i Kinematografëve te Bosnjës dhe Hercegovinës. Regjisori Korab Lecaj theksoi: “E vlerësoj shumë këtë çmim për faktin se Asociacioni i Kinematografëve të Bosnjës dhe Hercegovinës është një Asociacion me reputacion jo vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë por në të gjithë vendet e ish-Jugosllavisë”, ka thënë regjisori Lecaj. Ndërsa drejtori i fotografisë së filmit “Klithma”, të cilit i është ndarë çmimi në Sarajevë, Almir Djikoli, ka thënë se është i gëzuar për këtë vlerësim të Asociacionit të Kinematografëve të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Burimi: Telegraf.al