Interpretoi Ketin te “Flutura në kabinën time” (1988) e Valin tek “Era e ngrohtë e thellësive” (1982), kineasti Vladimir Prifti, regjisor i të dy filmave, te Shpresa Bërdëllima kishte pikasur një aktore jo vetëm simpatike, por që kishte aftësinë e jashtëzakonshme për t’u përshtatur në marrëdhëniet kinematografike.

“E njihte mirë Estradën ku punoi për një kohë të gjatë, pati bashkëpunime shumë të mira edhe aty me regjisorë me emër si Gjergj Vlashi apo Bujar Kapexhiu. Po ashtu, gjurmët e saj ndihen edhe në kinema, ku ka interpretuar në shumë filma. Ishte një aktore e mbushur me mirësi, racionale, e po aq interesante ishte edhe lehtësia me të cilën ajo iu përshtat kinematografisë, pasi nuk është aspak e thjeshtë që nga teatri të interpretosh në film. Filmi ka tjetër natyrë, e kërkon të tjera karakteristika në interpretim. Mirëpo Shpresa i kapërceu me sukses të gjitha vështirësitë”.

I keqardhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të aktores, kineasti e kujton Shpresën si një ndër aktoret e talentuara dhe fine të kinematografisë shqiptare.

Në takimin e tij të fundit, gjatë një prej vizitave në Shqipëri, Prifti kujton se artistja i pati rrëfyer për sëmundjen që po kacafytej me dëshirën e saj për t’iu gëzuar jetës.

“Ajo më tregoi se po kurohet, por unë shpresova se do ta kalonte. Ikja e saj nga kjo botë ishte e parakohshme, humbja e saj është një fatk, eqësi…”, tregon Prifti.

Burimi: Panorama.com.al