“Babai”, vepra e Florian Zeller rikthen në skenën e Teatrit Kombëtar aktorin e njohur Reshat Arbana. Përkrah tij interpretojnë aktorët Elia Zaharia, Flaura Kureta, Hysen Mullajonuzi dhe Mario Elezi. Në qëndër të veprës është historia e një burri të moshuar me demencë. Por Zelleri thotë se ai nuk u nis nga një ide për ta shkruar dramën.

“Unë nuk përpiqem të them diҫka kur filloj të shkruaj. Unë e zbuloj në fund se ҫfarë dua të them. Kur shkrova ‘Babain’ nuk u mundova kurrë të bindja veten ose që të bëja ҫmos të shkruaja një dramë për demencën. Me mua ndodhi ndryshe. Unë fillova të shkruaja dhe personazhi erdhi natyrshëm…Në fund të dramës, unë u habita kur zbulova se drama ishte për demencën”, shprehet autori i veprës.

“Të shkruash romane është punë vetmitare”, -shprehet Zeller, “kurse kur shkruan për teatrin dramaturgu nuk është asnjëherë vetëm. Kjo ndodh pasi dramaturgu gjithnjë ka parasysh fytyrat e aktorëve, që në fillim, ai nuk është vetëm. Kjo është një mënyrë për të parë diҫka më të madhe se vetvetja.”

Zelleri nuk e krahason shkrimin e dramave me asnjë përvojë tjetër: as me leximin, shkuarjen në kinema ose degjimin e muzikës që interpretohet ‘live’. Kjo sipas tij ndodh sepse “spektatori ka shpirt, një shpirt të veҫantë, për një natë dhe unë nuk e kuptoj përse kjo gjë më emocionon së tepërmi. Ajo që ai sheh në një shfaqje nuk do të përsëritet më kurrë, është diҫka që do të zhduket.

Në fund të shfaqjes, kur të gjithë duartrokasin, ata të thonë ‘falemnderit’ dhe ‘lamtumirë’ për diҫka që erdhi në jetë dhe u zhduk. Për disa ҫaste këta njerëz shijuan së bashku diҫka që, qysh në fillim, dihej se do të zhdukej. Pra, që në krye të herës, spektatori e kupton më së miri faktin se, thellë-thellë, ne jemi, deri diku, një hiҫ. Ne jemi të lidhur me vdekjen, ndjenja është pothuajse një hiҫ sepse gjithҫka do të zhduket.”

Fituese e çmimit Molier për vitin 2014, na bën ta shohim botën nëpërmjet lenteve shumë të mjegulluara të Andresë dhe përpjekjeve të tij titanike për të kuptuar botën që në kokën e tij është bërë lëmsh. Tingëllon e zymtë? Nuk është ashtu. Kjo është një dramë që vazhdimisht thyen pritshmëritë e spektatorit…Vepra do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar në datat 21-22-23-24 Dhjetor në Teatrin Kombëtar.

Florian Zeller u lind më 28 Qershor 1978 në France. Është romancier dhe dramaturg . Vepra e tij është botuar dhe vënë në skene në të gjithë botën. Ai ka fituar disa ҫmime Molier në France. Ҫmimi Molier ështe ҫmimi më i lartë në France në fushën e dramaturgjise. Florian Zeller, sipas gazetës prestigjoze The Guardian, është “dramaturgu më i mirë i epokës sonë”.

Vepra e parë që shkroi ishte novela “Borë Artificiale” e shkruar në vitin 2002. Kjo u pasua nga “Dashnorët”,por vepra që e bëri atë të njohur në të gjithë Francën është romani “Magjia e të Keqes” shkruar ne vitin 2004. Romani trajton marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Fesë Islame. Ky roman shkaktoi debate të shumta në Francë.

Por ato që e bënë të njohur në mbarë botën janë dramat e tij “Babai” etj. Kudo qe keto vepra jane vënë ne skene, janë pritur shumë mirë dhe kane marrë vlerësime maksimale. Veҫanërisht drama e tij “Babai” e cila tani do të ngjitet në Teatrin kombëtar konsiderohet si “drama më e fuqishme botërore e dhjetëvjeҫarit të fundit.” Vepra vjen nën regjinë e Spiro Dunit.

20 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)