Brezat kanë shumë për të përfituar nga karriera e aktores Violeta Manushi, nga përvoja e madhe e pakrahasueshme, puna e palodhur, vullneti dhe këmbëngulja, për të çuar deri në përsosmëri rolin.

Deri tek përkëdhelja që i bënte rolit, përkëdhelje aq e bukur, si dinte ta bënte vetëm ajo. Apo qëndrimi i saj si qytetare, pasi në mëshirimin e një figure, aktori fut edhe qëndrimin e tij si qytetar, natyrisht edhe qëndrimi që mban vetë figura.

Brezat e aktoreve, do t’i këshilloja që kur një Violetë e ngarkuar nga pesha e moteve, dilte në orar në punë, nuk përtonte edhe pasdite, të komportohej aq bukur, po të rejat çfarë duhet të bëjnë? Violeta ishte plaka labe, një trime që nuk i a bënte tërr syri, ishte një nënë e dhimbshme, një lypsare, një Olimbi, një Ollgë… Sot na shpalosen role të vakta. Nuk bëhet arti pa shpirt. Ne, brezi i Violetës, nuk morëm asnjë çentezë, por roleve u dhamë shpirtin tonë.

Shpërblimi më i madh për ne, është vlerësimi, që na bën populli, duartrokitjet që na shoqërojnë tërë kohën e na mbajnë gjallë, na bëjnë të lumtur. Kjo është gjëja më e rëndësishme në jetën e një aktori.

Duhet të dimë se jeta e artisti është mësim, mësim, mësim deri sa të mbyllë sytë. Çdo gjë është arritur në sajë të mundit, sakrificës, por jo të shpërblimit material. Për sa kohë, që është në mes paraja, ne nuk mund të kemi art. Arti nuk i ka qejf pazaret. Nuk bëhet pazar me artin.