TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Një pasqyrë metalike e zbuluar në gërmimet arkeologjike të vitit 2019 në parkun arkeologjik Amantia pas restaurimit të kryer kohët e fundit bëri që nga gjendja delikate të shpëtohet dhe të ruhet në një gjendje shumë të mirë.

Kështu deklaron studiuesi dhe restauruesi Frederik Stamati, i cili vjen me një tjetër dëshmi të trashëgimisë sonë kulturore.

Në fotografitë e publikuara nga Stamati shikohet pasqyra metalike përpara restaurimit dhe pas restaurimit.

“Pasqyra ka një vrimë që shërbente ose për ta varur, ose për ta mbërthyer në dorezë. Është hera e parë që identifikojmë në pasqyrat e zbuluara në Shqipëri metalin spekulum dhe kjo e pasuron arkeologjinë tonë me një të dhënë të re. Gjatë punës restauruese dhe reagimit kimik, na lindi dyshimi se sipërfaqja e pasqyrës ka patur një shtresë të hollë prej plumbi. Por ndërsa metali është analizuar me teknikën SEM, (Scaning Electron Microscopy), do të duhet të analizohet në të ardhmen edhe me XRF, ( X-Rays Fluorescence Spectroscopy)”, – thekson Stamati.

Sipas tij, po në të ardhmen do të na duhet të analizojmë po me këtë rrugë edhe disa pasqyra të zbuluara më parë.

Stamati tregon se “pasqyrat e para të përdorura nga njeriu kanë qenë prej guri të lëmuar. Më vonë u prodhuan ato prej metali, rreth 5000 vjet më parë dhe shumë më vonë ato prej qelqi. Kushtonin shumë”.

“Legjenda thotë se pasqyra e parë u formua në Himalaja. Diku kalonte një përrua. Ai ndaloi për të ndërruar drejtimin. U formua një pellg. Po kalonte një grua dhe hodhi vështrimin ne pellg dhe aty pa një vajze dhe kuptoi se ishte reflektimi i saj”, – tha Stamati.

Nga duart e mjeshtrit dhe profesorit Frederik Stamati kanë dalë në dritë mjaft materiale dhe dëshmi historike të kombit tonë./k.s/

Burimi: Ata.gov.al/ATSH