47 vjet më parë, më 25 tetor 1970 përfundoi elektrifikimi i plotë i Shqipërisë. Përmasat e punës që u bë, shifra, krahasime dhe fakte. Një prizë, një çelës elektrik dhe mandej një radio ishin një mrekulli e paparë  që linte pas shekujt e errësirës dhe do të ndryshonte standardin e jetës në të gjitha drejtimet…

Xhevdet Shehu – DITA

Mungesa e energjisë elektrike në ditët e sotme për një a dy orë, ngjan si një hata e madhe dhe qytetarët fillojnë me të drejtë menjëherë ankesat dhe kritikat për strukturat përkatëse shtetërore. Ku janë premtimet që na keni bërë? Përtej një ankese, ka më shumë revoltë. Sepse në errësirë mungojnë shumë gjera: një film, një telenovelë, një ndeshje sporti, nuk ka internet, nuk ka lajme…  Nuk ka parlament e qeveri…

Nuk ka disko dhe Facebook, anulohen kushedi sa takime dashurore, dhe kushedi se sa zemra lëndohen dhe nervozohen. Thjeshtë, vetëm se mungon energjia e elektrike.

Nga mungesa e kësaj energjie mund të vdesin njerëz nëpër spitale dhe të bllokohen kompjuterët në kalimet kufitare…  Mungon komunikimi, domosdoshmëria e të cilit nuk mund të vihet në dyshim. Bota shurdhohet dhe qeniet njerëzore ndihen pa asnjë vlerë.

Vetëm atëherë e kuptojmë mrekullinë e rrymës elektrike dhe të kuptojmë revolucionin që ka ndodhur në jetën tonë, jo shumë larg po gjysmë shekulli më parë…

***

Në të vërtetë ky është një revolucion pozitiv që ka ndodhur këtu e afro gjysmë shekulli më parë në Shqipëri.

Shekulli i kaluar është quajtur me të drejtë si shekulli i dritës në rang botëror. Pa energjinë elektrike nuk ka kuptim asnjë arritje shkencore dhe qytetëruese. Por, le të ndalemi se si ka ndodhur tek ne:

Më 25 tetor të vitit 1970, në fshatin Agim (Çiflik) të rrethit të Fierit, u festua përfundimi i elektrifikimit të të gjithë Shqipërisë.  Entuziazmi ishte i jashtëzakonshëm pasi ky fakt ishte jo vetëm i mahnitshëm për kohën, por edhe në kufijtë e pabesueshmes. Ky entuziazëm reflektohej anekënd Shqipërisë, tek ata qindra mijë njerëz, punëtorë e fshatarë, studentë e deri edhe nxënës shkollash që morën pjesë në elektrifikim dhe që shikonin me sytë e tyre të mirat që u sillte.

Jeta e tyre e përditshme paskëtaj  nuk do të ishte më e njëjta, ndërsa do të shtoheshin kërkesa të reja që ndryshuan rrënjësisht standardin e jetës dhe kulturën e tyre. I kishte ardhur fundi epokës së kandilit dhe pishës proverbiale në jetën e tyre.

Për ta kjo ishte “drita e partisë”, ishin “telat e partisë” që shtriheshin fshat më fshat dhe radiot buçisnin nga këngët për partinë dhe udhëheqësinë e saj. Në fillim të fushatës, Mehmet Shehu, në atë kohë kryeministër bënte thirrje: “Duhet ta trajtojnë vazhdimisht gjatë 4 viteve këtë aksion të madh, për të mbajtur gjallë frymën e kësaj lëvizje masive revolucionare”.

Për të kuptuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje, si dhe për t’u dhënë një mesazh të fuqishëm bashkëkomabsve të tij, Enver Hoxha shkoi vetë dhe preu shiritin e një ekspozite mbi elektrifikimin e përfunduar në Pallatin e Kulturës në Tiranë më 4 nëntor, 1970.

Janë shkruar libra nga shkrimtarët më të mirë të kohës për këtë ngjarje, janë bërë kantata dhe vepra artistike të pafundme në artet figurative në atë kohë me një entuziazëm të paparë. Mund t’i kritikosh ato vepra për një entuzizëm të tepruar në ato vepra, por duhet të vendosesh, qoftë dhe për pak çaste në atë kohë që t’i kuptosh dhe t’i arsyetosh, jo t’i kritikosh apriori.

Sepse drita elektrike nuk ishte komuniste! Ishte vetë qytetërimi modern që po vinte me hapa galopantë dhe të pashmangshëm. Shqipëria kurrsesi nuk mund të bënte përjashtim. Për më tepër, regjimi i kohës e shfrytëzoi maksimalisht në favor të tij, duke qenë njëkohësisht i përgjegjshëm për pasojat që do të sillte kundër tij.

Po të mos ishte energjia elektrike, shqiptarët e izoluar nuk do të mund të dëgjonin Zërin e Amerikës dhe të kuptonin realitetet ku jetonin… Pa dritën e 1970-s, shqiptarët do ta vononin edhe shumë e shumë vitin ’90…

Elektrifikimi i Shqipërisë ishte ndër projektet më ambicioze e më prestigjioze të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Krahas një sërë politikash zhvillimore, ndërtuese dhe transformuese, që përfshinin luftën kundër analfabetizmit, mbrojtjen e vendit, emancipimin e gruas, arsimimin e të gjitha niveleve, luftën për higjienizimin, kanalizimin, hapjen e tokave të reja, zhvillimin e infrastrukturës, apo sjelljen e ujit të pijshëm në shtëpi.

Pa energjinë elektrike shumë nga këto projekte nuk do të ishin realizuar kurrë. Dhe ky proces ndodhi në kuadër të një procesi tjetër më të gjerë, atij të modernizimit social, ekonomik dhe teknologjik të Shqipërisë së mes-shekullit XX.

Nuk mund ta mohojë askush faktin që një nga pasuritë më të mëdha të krijuara në atë kohë, hidrocentralet gjigante mbi lumin Drin etj, janë edhe sot e kësaj dite të pakonkurrueshëm dhe vazhdojnë të mbajnë gjallë ekonominë shqiptare. Elektrifikimi ishte i nevojshëm për të zhvilluar projektin e një Shqipërie industriale.

Brenda një kohe të shkurtër u ndërtuan hidrocentralet kryesore: në Selitë, 1952, Ulzë 1958, Vaun e Dejës, 1971, dhe në Fierzë, 1978, që edhe sot janë ende në funksionim. Më tej kemi ngritjen e një kompleksi të madh uzinash e fabrikash, të cilat nuk mund të funksiononin pa energjinë elektrike.

E kur kujtojmë këto vepra, është e pamundur të kujtohet edhe fakti që në atë kohë Shqipëria komuniste ishte në kulmin e miqësisë me Kinën e largët. Pa ndihmën e madhe dhe kontributin e kinezëve në atë kohë, ky projekt madhështor zor se do të realizohej në ato përmasa dhe në atë kohë rekord.

Le t’u referohemi shifrave zyrtare për dimensionet e kësaj arritjeje: 1759 fshatra u elektrifikuan, u lidhën 6500 kabllo elektrikë të kapacitetit 6\10 kv, u shtrinë 12 000 km linja elektrike të tensionit të ulët, u instaluan 2000 kabina elektrike, u ngritën më shumë se 50 mijë shtylla betoni dhe 330 000 druri, u elektrifikuan 140 000 shtëpi.

Elektrifikimi i plotë i Shqipërisë u paralajmërua përmes elektrifikimit të qendrave urbane si Saranda, Gjirokastra, Durrësi, Tirana, Korça dhe Elbasani që ishte nisur që para Luftës së Dytë

Elektrifikimi rural i Shqipërisë kulmoi në kohën e regjimit komunist, përmes një fushate të fuqishme gjatë viteve ’67-’71. Kjo fushatë ishte objektivi më i rëndësishëm i një plani pesëvjeçar sikurse bëheshin në atë kohë dhe ishtë menduar të përfundonte në ditën që do të hapej Kongresi i 6-të i PPSH. Në të vërtetë përfundoi një vit më herët.

Kjo ndodhi pothuajse 100 vjet pasi Thomas A. Edison shpiku llampën inkandeshente (viti 1879). Ndërkohë elektrifikimi rural kishte ndodhur tashmë në shumë vende, si p.sh në BS (1920-1932), në SHBA (1935-1955), në Irlandë (1946-1959).

Krahasuar me mjaft shtete të tjera, elektrifikimi shqiptar shënon një rekord. Greqia, fjala vjen e përfundoi elektrifikimin një vit më vonë, ndërsa Bullgaria që e kishte filluar këtë proces në fillim të viteve ’40 e përfundoi në një vit me Shqipërinë.

Një prizë, një çelës elektrik dhe mandej një radio ishte një mrekulli për çdo shtëpi fshati që linte pas shekujt e errësirës. Më vonë me shpejtësi do të hynin televizorët dhe frigoriferët që përbënin një luks të paparë.

Prandaj dhe me këtë edukatë të re qytetare që u kultivua hap pas hapi, mungesa e energjisë sot duket për cilindo si një fatkeqësi, si një dramë e paimagjinueshme, sidomos për të rinjtë që nuk mund ta imagjinojnë jetën pa internetin dhe lehtësirave që ka krijuar rryma elektrike.