“Në vitin 1961 ne ishim djem të rinj dhe ishim në vitin e parë të shkollës për aktor “A.Moisiu”. Ishim nja njëzet vetë apo më shumë, po me kalimin e kohës firuam. Në fund fare mbetëm rreth tetëmbëdhjetë. Shkolla kishte program të ngjeshur. Përveç lëndëve profesionale, bënim edhe gjithë programin e Fakultetit Gjuhë-Letërsi. Pra të letërsisë”.

Kështu shkruan aktori i njohur Rikard Ljarja, në parathënien e librit “Testamenti” me autor Leka Bungon. Duke folur për miqësinë e hershme me Lekën, ai kujton kohët kur mezi prisnin të dielën për të blerë gazetën “Drita” dhe mësuesin e dashur të ekonomisë politike, që ishte poeti i njohur Fatos Arapi. “Kur vinte e diela vraponim për të marrë gazetën “Drita”, lexonim me etje tërë poezitë që ishin botuar dhe i komentonim.

Nganjëherë bënim edhe ndonjë hile. P.sh. Profesori i ekonomisë politike ishte poet, sa futej në klasë, mbas dy-tri fjalive për leksionin e radhës, dikush, kur ai bënte ndonjë pauzë, një nga studentet pyeste: “Profesor e lexuat ‘Dritën’ dje? ”Profesori harronte leksionin e ekonomisë politike dhe fillonte e bënte komente për të gjitha poezitë që ishin botuar te “Drita”. Profesori kishte një temperament të jashtëzakonshëm, ndoshta edhe nga krahina nga vinte: Vlora.

Ai ishte Fatos Arapi”, shkruan Ljarja. Më tej, ai flet për karrierën dhe kontributin e Bungos në teatrin dhe kinematografinë shqiptare. Ajo çfarë e ka karakterizuar veprën e Leka Bungos është satira e hollë, mënyra sesi është përpjekur ti flasë problemeve të ndryshme shoqërore përmes artit. Kjo satirë nuk mungon as në këtë sprovë letrare, ose kapriçio siç e quan Leka këtë roman.

“Njerëzit bëhen shkrimtarë nga dëshira për t’u bërë të famshëm, nga makutëria për të fituar para, ose të frymëzuar nga ideale të larta. Unë nuk hy as te të parët, as te të dytët! Mirëpo veprat e njerëzve si puna ime që nuk kanë bërë emër në fushën e letrave, zënë pluhur në vitrinat e librarive, sepse nuk i njeh njeri.

Kjo është arsyeja që vendosa të bëj atë që nuk arrita ta bëja pesëdhjetë vjet më parë. Luftova dhëmb për dhëmb me armiqtë e këtij vendi, por nuk ish thënë që plumbi të më merrte në lule të ballit, të bija në fushën e betejës bashkë me njëzet e tetë mijë të tjerët që edhe trupi im të prehej në tokë me ta në kodrat e Tiranës, pranë monumentit ‘Nënë Shqipëri’”, shkruan Bungo.

Gazeta Shqip