Personazhi i sotëm i Festës së Këngës në News24, nën drejtimin e Gjergj Lekës, është një këngëtare shumë e njohur për publikun e cila pavarësisht se ka më shumë se 30 vjet që është shkëputur nga kënga vazhdon të ketë një publik që e adhuron.

Ajo është Alida Hisku, një këngëtare shumë e dashur, që rrjedh nga një familje artistësh dhe që pavarësisht se e larguar nga skena shumë kohë më parë, vazhdon të këndojë dhe të bëjë muzikë. Në kopshtin e shtëpisë së saj në Gjermani, ajo ka improvizuar edhe një skenë ku këndon me miqtë e saj gjerman, një vend që u bë shtëpia e saj e dytë pas largimit nga Shqipëria. Alida Hisku është një këngëtare shumë ndryshe nga të tjerat, jo vetëm për mënyrën e të kënduarit që ajo ka, por edhe për komunikimin direkt me publikun që ajo përcjell dhe
Alida gjithmonë ka pranuar çfarë i kanë ofruar në materialet muzikore.

Këngë për partinë, këngë revolucionare, të gjitha këngët që i jepnin dikur të këndonte në kohën e komunizmin, kompozitorët e dinin që ajo do t’i këndonte me gjithë shpirt. Me një karrierë të nisur që në festivalet për fëmijë, ku mori edhe çmim në 1969, Alida Hisku gjithashtu ishte një këngëtare që mori çmime në festivalet në Radion televizion, ku përmendim këtu këngën ‘Vajzat e fshatit tim’, në festivalin e 13-të, ku ajo fitoi edhe çmimin e parë.

Me një repertor shumë të pasur prej më shumë se 60 këngësh, Alida Hisku mbetet një këngëtare shumë e dashur edhe sot për publikun. Në një interviste të dhënë për ‘Na ishte një herë Muzika’, Alida tregon për ëndrrën e saj për të organizuar një muzikal me këngët e saj të cilat janë të shumta, gërshetuar me biografinë dhe tra, gjedinë e saj të rinisë. ‘Unë do vazhdoj të ëndërroj- thotë Alida- derisa kjo ëndërr të realizohet. Cdo ditë e ujis ëndrrën time dhe ajo që e ushqen këtë ëndërr është shpresa, të cilën deri në këto momente nuk e kam humbur, ajo më jep forcë’.

Alida ka mbetur e njëjtë nuk ka ndryshuar aspak, vetëm në një gje ka ndryshuar këngëtarja, për mirë sigurisht. Siç rrezikon kur hidhet nga avioni me parashutë në moshën që ka, apo merr patentën e drejtimit të avionit, ajo njësoj sillet edhe me këngën, pra pasioni mbi të gjitha. Edhe pse ëndrrën ja thyen në mes, Alida siç e tha edhe vetë vazhdon të ëndrrojë dhe realizimi i këtyre ëndrrave është qëllimi më i rëndësishëm në jetën e saj. Alida Hisku prezanton në Festën e Këngës, një këngë të ‘Dekadës së Majit’, e kënduar siç thotë ajo vetëm një herë, por që sipas asaj është shumë e bukur. “Është një këngë shumë e bukur, me tre nota, shumë e thjeshtë, por që publiku pa dalë nga salla filloi ta këndonte dhe kjo ishte kënga e fundit e kënduar prej meje, me të cilën unë u ndava edhe nga publiku’. Një pjesë të kësaj këngë Alida Hisku do e këndojë sot, ndërsa këngën e plotë do e këndojë në muajin Maj, gjatë Netëve të këtij Festivali Pranvere, që siç thotë Alida, ‘i rizgjoi ëndrrat’.

(da.xha/BalkanWeb)