“Dobësia ime, nipi dhe mbesa”

Është padiskutim një ndër emrat më të mëdhenj të artit shqiptar. Robert Ndrenika, ikona e artit tonë skenik në një intervistë të dhënë disa kohë më parë për një të përditshme shqiptare ka zbuluar disa anë të panjohura nga jeta e tij, të cilat ne po i risjellim edhe një herë sot.

Keni më shume miq apo armiq?

Miq pa dyshim. Kam miq të shumtë të vjetër e të rinj në moshë. Eshtë një nga pasuritë e jetës sime.

Cila është familja e Ndrenikës?

Gruaja dhe 2 vajzat. Në familje na ka karakterizuar një harmoni dhe mirëkuptim i thellë.

Një ditë e zakonshme e Ndrenikës?

Zyrtarisht kam dalë në pension, por ende punoj me dëshirë shumë të madhe kur më ofrohen role që më përshtaten e pëlqejnë. Jashtë skenës, qëndroj pranë familjes. Preferoj të shëtis me time shoqe për rreth dy orë në ditë në kodrat e Liqenit Artificial.

Një ditë e jashtëzakonshme?

Njëra prej vajzave të mia jeton në Gjermani. Kur ajo, së bashku me familjen e saj vjen në Shqipëri, ne mblidhemi të gjithë së bashku dhe përjetojmë çaste të lumtura. Këto jane vërtet ditë të jashtëzakonshme.

Një gjë përballë së cilës ndiheni i pafuqishëm?

T’u kundërshtoj nipit dhe mbesës.

Çfarë ju lodh më shumë?

Humbja e kohës.

Çfarë urreni më shumë?

Demagogjinë.

Çfarë doni më shumë?

Energjinë pozitive; harmoninë midis popujve dhe njerëzve.

Nga kush merrni më shumë urime?

Nga ime shoqe.

Nga kush merrni më shumë kritika?

Përsëri nga ime shoqe. Besoj se është adhuruesja dhe kritikja më e përkushtuar që unë kam.

Frika më e madhe e Ndrenikës?

Nga njeriu i keq.