Romi Romeo
Tregim. – Nga Ilir Kadia

– Ejani zotëri, urdhëroni! Jeni i pari myshteri për mijëvjeçarin e tretë. Do jua lustroj këpucët falas.
I hodha një sy këpucëve të mia dhe mu duken njëmijë vjet të vjetra edhe pse mijëvjeçari i ri kish vetëm tetë orë që kish hyrë. Një bojë kafe do ti sillte në kohë.

– Edhe ti je njeriu i parë që më duhet të paguaj për këtë mijëvjeçar. Ndaj nuk pranoj nëse mi lustron falas.
-E thënë e bërë, urdhëroni!
Ustai që më ofronte shërbimin ishte një djalë rom tek të njëzetat. Kish vendosur një karrige druri në cepin e parmakut lindor të urës së madhe të Lanës, me shpinë nga universiteti ndërsa mes një stoli të ulët dhe karriges ku u ula ishte një arkë bosh fishekësh pushke ku mbështeta këpucët.
Ishte veshur shumë hollë për një ditë dimri tiranase, si kjo e sotmja. Një këmishë fanellate me kuadrate të kuq që, sado e trashë që dukej, prap ishte pak. Pantallonat kadife, të lërosura nga bojrat, në gjunjë i kish të grisura.
Stoli ku ish ulur shihte nga jugu por dielli kish vetem pak, as një orë që kish dalë mbi Dajt, shihte pjerrtas dhe nuk ngrohte akoma. Ai i hukati pëllëmbët e duarve dhe mori e më vuri mbrojtëset e kartonit në qafat e këpucëve që të mos më bënte pis çorapet.

– Si e pritët të « Riun » zotëri ? – më pyeti ndërsa hapi kutitë e bojës. Cipat e tyre ishin të paprekura.
-Në shesh, si gjithë populli. Duke numëruar mbrapsht me shishe rakije në dorë, – i thashë ndërsa kujtova minutat para mbrritjes së të « Riut » në sheshin « Skënderbej ».

Kish dalë i madh e i vogël. Djemtë e rinj ndiznin fishekzjarre dhe i hidhnin nëpër këmbët e njerëzve. Si ta kishin bërë me fjalë. Burra e gra kërcenin përpjetë ti shpëtonin zjarreve. I gjithë sheshi kërcente. Edhe Rovena me të shoqin përkrahu, dy metra larg meje. Kërcente dhe shihte nga unë. E megjithatë shyqyr që kishin vënë mend. Nuk hidhnin bomba e nuk shtinin me kallashnikov siç kishin bërë çdo vit të ri të tre viteve të fundit. Edhe ky do ketë qënë patjetër një nga çunat e sheshit mbrëmë. Gjysma e të keqes. Mëngjeseve punoka të paktën

-Si do të jetë mijëvjeçari i ri për Shqipërinë zotëri ? – më pyeti lustraxhiu ndërsa më hapte bojë mbi këpucë, pa ngritur kokën.
Pyetja e tij më habiti. Nuk e prisja.
-Ti po thua më i dehur apo më pak i dehur se ky që shkoi ?
Ai ngriti kokën. M’i nguli dy sytë e zinj si kongjij. Kish një fytyrë si të Marlon Brandos të ri.

-Jo, unë po pyes : më me shumë apo më me pak dashuri, zotëri ?
Fjalet e tij më shkundën.
-Ku e di ti ç’është dashuria ? – e pyeta.
-Po më fyeni !
-Pse po të fyej ? Si e ke emrin ?

Po prisja që ai të thosh Dervish, Muharrem, Safet
-Romeo, – tha ai me çiltërsi.
Unë e tërhoqa këmbën nga arka, si ujku i përrallës do e ketë tërhequr nga poshtë derës së shtëpisë së kecave, kur ata e kanë pikasur se i kish rënë mielli dhe i ishin zbuluar qimet e zeza.
-Romeo ?!

-Po.
-Kush ta ka vënë këtë emër?
-Babai.
-E di ti Romeo kush ka qënë Romeo?
-Po.
-Kush?

-Dashnori më i madh i mijëvjeçarit që shkoi.
Romi Romeo, i bishtit të urës të Lanës përgjigjej në dialog duke më fërkuar këpucët për ndriçim.
Fill pas mbrritjes së vitit të Ri kisha shkuar në shtëpinë e Rovenës, pas mesazhit të saj se i shoqi ishte dehur prap që me gotën e parë dhe deri në mëngjes nuk ngjallej. Vajta e i bëra sërish burrin Rovenës për tre-katër orë. E dija që kjo nuk ish dashuri por kështu bënin të gjithë beqarët e stazhinuar si unë. Dashuria ishte e dalë modës për ne. Se, ksi jo. Por se, ks bënim. Çdeshëm më shumë ?

Isha i lodhur dhe mezi prisja që të kapja një taksi e të shkoja në shtëpi, në Kinostudio.
Tirana, atë mëngjes ishte si deti në bunacë. Asgjë nuk pipëtinte. Asnjë makinë nuk lëviste në bulevard.Vetëm ky njeri kish dalë pa gdhirë e me proftasi mua si klientin e parë të mijëvjeçarit.
Tani që po mbaronte punë më hypi dëshira ta njihja më shumë.
Nëna kish zakon që të parit njeri që trokiste në derën tonë në ditën e parë të vitit të ri ti bënte dhurata të shumta, kushdo që të ish ai. Ajo uronte që ai të ish dorëmbarë.

Tani kujtoj se për çdo vit trokitja e parë në derën tonë bëhej nga një grua arixhofkë, me shtëpi tek Rruga-Ura.
-Ti Romeo, mos e ke shtëpinë tek Rruga-Ura ?
-Jo, u përgjigj. – Unë jam nga Elbasani. Sot është dita e pare e punës në Tiranë. Po Tirana fleka akoma !

Ai m’i hoqi kartonat mbrojtëse nga nyjet e këmbëve dhe më ra tek pulpat me pellëmbë për :”Me shëndet!”
Por unë nuk i lëviza këmbët nga arka. As dorën nuk e futa në xhep për të nxjerrë lekët e për të paguar.
-Zotëri ?!

-Jo Romeo, nuk çohem pa më thënë kush je ?
-Të dukem si kamera e fshehtë?
-Po.
Ai zu të qeshë. Dhëmbët e bardhë i ndrinin si inxhi.
-Po jo o njeri, Romeo nga Elbasani jam. Djali i Qazimit që nuk jeton më. Ka tre vjet.

-Babai yt quhej Qazim. Dhe sa vjeç ish kur vd, iq ?
-Dyzet. Ne romët vd, esim shpejt.
-Ai ishte dashnor i madh?
-Po, – tha Romeo,- ai ishte dashnor i madh. Dhe mua prandaj ma vuri emrin Romeo, për nder të dashurisë së tij.

-Dhe motrës tënde ja vuri emrin Zhuljeta për hir të dashurisë me nënën tënde.
-Për hir të dashurisë me dashnoren e tij.
-Aah ? Më fal ! Nuk ishte nëna jote dashnorja e tij. Epo, kjo ndodh.
-Para se te vd, iste ai shkoi tek e dashura e tij, jetoi me të dy muaj dhe vd, iq tek shtëpia e saj.

Mua mu kujtua në çast Rovena dhe burri i saj që tani do jetë çuar e do ketë filluar të rruhet për të qënë gati për vizitat e vitit të ri ndër miq me gruan e tij,dashnoren time, për krahu.
-Babai yt ka qënë një dashnor i madh Romeo! Dashnorët e mëdhenj nuk gjykohen!

-Babai im ka qënë një dashnor i madh, por nuk ka qënë një njeri i mirë, zotëri !
Zëri i tij tregonte vendosmëri. Ai po gjykonte babain e tij të vd, ekur dhe për këtë kish një arësye të tij, me siguri. Por unë desha ta mësoja këtë arësye.
-S’ka qënë njeri i mirë se ndau nënën tënde ? Por jo, mo Romeo. Kjo s’ka të bëjë hiç me të qënit njeri i mirë.

Romeo kërceu përpjetë. Tani më shihte ai nga sipër.
-Si s’paska të bëjë hiç, zotëri ! Përralla më thua ?! E para të mos martohej me nënën time nëse kishte një Zhyljetë tjetër…
– Ndodh…

-S’ka pse të ndodhë hiç nëse je Romeo. E dyta. U martua me nënën time ? Ta linte pas fëmijës së parë a të dyte e jo të bënte tëtë fëmijë dhe pastaj ta braktiste e të shkonte tek Zhuli i tij. Kjo nuk është dashuri zotëri, kjo është bythqirllëk. Më kuptove?!
Domosdo që e kisha kuptuar. Sa hapi gojën. Se ishte një njeri krejt ndryshe nga ne ky Romeo nga Elbasani.
Ai, ndërkohë, u ul sërish në stol e filloi të mbyllë kapakët e kutive të vogla të bojës.

-Romeo!
-Urdhëro, zotëri!
-Pse më thua zotëri?
-Se do më paguash, zotëri.

-E ke një Zhuljetë ?
-E kam, zotëri.
-Çfarë i bëre dhuratë mbrëmë për vitin e parë të mijëvjeçarit?

Ai nuk foli një çast. Sikur nuk pati besim nëse e meritoja përgjigjen e sinqertë apo jo.Po heshtja e tij zgjati pak.
-Ndeza njëqind fishekzjarre dhe me dorën e saj dhe me dorën time i hodhëm lartë në qiell, ti bënim shenjë zotit se jemi të dashuruar, zotëri!
-E pse njëqind copë, Romeo?

-Se aq janë vargjet që deri tani kam thurrur për dashurinë , zotëri!
Romi Romeo më shokoi.
Futa dorën në xhep, nxora një pesëmijë lekësh dhe ja futa si një letër në kutinë e postës, mes këmishës fanellate të hapur, mes dy kopsave të para, deri në lartësinë e majës së zemrës.
-Nuk bën kaq , zotëri!

-Puna si lustraxhi jo, por ti dhashë në avancë për librin me njëmijë vargje për dashurinë. Botoje Romeo dhe kushtoja…
-Mirelës, zoteri ! Kështu quhet ajo.
Si mund ta kish emrin ndryshe një femër e dashuruar nga romi Romeo, veç të përbërë nga notat e muzikës ?

E imja e kish Rovena. Shk, atërrim. Si mund ta kish ndryshe?!
Vetja mu duk njëmijë vjet i vjetër. Më keq se këpucët pak çaste më parë.
U çova nga karrigia, megjithatë, i bindur se njeriu i pare i vitit të ri do të më kish lustruar edhe mua. Sadopak.

Nga vëllimi me tregime « Dyzet sy të majtë »