“Teatri është i shenjtë, unë jam me artistët. Jam me Robert Ndrenikën”. Kështu u shpreh aktorja e njohur Roza Anagnosti për “Gazeta Shqiptare”.

E pyetur për debatin që po zhvillohet, Anganosti tha dje se teatri duhet të jetë në qendër, në të njëjtin truall ku është Teatri Kombëtar ekzistues. “Në të gjithë botën kështu është teatri kombëtar, në qendër të qytetit.

Nëse ka një projekt për një teatër të ri, le të bëhet ku është teatri jonë. Unë kam luajtur më shumë se 30 vite aty, kam interpretuar sa e sa role. Ai është vend i shenjtë. Unë jam me kolegët”,- theksoi aktorja e njohur, që në prononcimin e saj për “GSh” tha se teatri ka nxjerrë sa e sa breza të artë.

“E vlerësoj Teatrin Kombëtar për identitetin, për kulturën. Duhet të jetë absolutisht në qendër. Godina është shumë e rëndësishme. Dhe do angazhim konkret. Nuk mund të ikin aktorët pa pasur një projekt konkret për teatrin, siç iku Opera, që ta di që teatri do jetë ku ishte. Mbështes artistët, mbështes Robert Ndrenikën. Teatri duhet të mirëmbahet. Shumë mirë që është bërë Turbina, por ajo është për projekte të tjera”,-shtoi Anagnosti.
Sipas saj teatri nuk duhej të ishte lënë në atë gjendje që është. “Bënë oborrin e Teatrit Kombëtar e nuk bënë teatrin”.

 

Debati në takim
Prej 1 jave, debati për zhvendosjen e artistëve të Teatrit Kombëtar te objekti Turbina dhe ndryshimi i ligjit për Artin e Kulturës, ka përfshirë në debat emra në zë të artit dhe Ministrinë e Kulturës.

Dje, në takimin me Ministren e Kulturës Mirela Kumbaro, paracaktuar për orën 16:00 shkuan të parët Artan Imami, Bujar Asqeriu, Laert Vasili, Armand Bora. Ndërkaq, përreth 1 orë 200 artistë e kanë pritur ministren në sallën e Teatrit Kombëtar. Që një ditë më parë, debati ishte nëse do të shkonte ministrja në Teatër, apo artistët në ministri.

Artistët thanë e presim në teatër, ndërsa ministrja tha se në teatër shkon për shfaqje, ndërsa për takime e diskutime janë zyrat e shtetit. Kësisoj, teksa ora shënoi 16:00, takimi në ministri filloi mes ministres dhe artistëve të pranishëm. Debati për ligjin për artin u zhvendos atje. Pas debateve të shumta mes ministres dhe aktorëve, këta të fundit i dorëzuan Kumbaros disa propozime për ndryshimin e projektligjit për artin dhe kulturën.

Kumbaro nga ana e saj tha se projektligji është hedhur në faqen zyrtare te ministrisë për të nxitur debat dhe sugjerime, që nuk kanë munguar as nga bashkitë. Ministrja, tha se “janë dy nisma, të cilat do të nxisin cilësinë e artit, 1- decentralizimi i cilësisë artistike dhe tenderimi, i cili duhet hequr pasi ka burokraci që pengojnë. Gjithashtu, shtohen dy ambiente të reja ku do të qarkullojnë aktorët”. Ajo u ndërpre disa herë nga Bujar Asqeriu.

Bujar Asqeriu
Teatrot në rrethe kanë vdekur, zonja ministre, tunduni. Unë nuk jam kalimtar dhe nuk mendoj për lekët, unë jetoj për teatrin, jam i vërtetë dhe nuk i servilosem askujt. Jo moj zonjë, nuk servilosem. Zonja ministre vlerësojini dhe respektojini artistët. Asnjë nga studentët nuk kthehet andej nga ka ardhur.

A e dini zonja ministre, se në teatër nuk ka ujë për të larë fytyrën? E kam larë fytyrën, por ju nuk e dini, me ujin që vinte nga tualeti i një lokali aty pranë. Jam shumë i qetë unë zonja ministre. Por a e dini ju çfarë është një artist? Ti ke pasur vëllain tënd Arben Kumbaro. Ti je motra e Benit dhe unë të dua shumë, por gjërat nuk funksionojnë kështu. Jo, jo, mos më keqkupto, nuk servilosem unë.

Nuk kam pse të servilosem. Por për mua Teatri është jeta, është shpirti i kombit. Unë e kam lidhur jetën me Teatrin. Unë për 3-4 vjet dal në pension, por teatri është shpirti i këtij vendi, investoni zonja ministre, për teatrin shqetësohem unë. Asnjë kryeministër nuk mbahet mend në Brazil, por Pele mbahet mend, sepse arti është ai që mbahet mend.

Artan Imami
I gjithë informacioni që ka ardhur nga debati që shpesh herë nuk ka qenë frytdhënës dhe jam i sigurt që jam çdo lloj argumenti juridik që ju do të sillni do të jetë i njëjti. Unë bëj thirrje që të mos lëvizet asnjë cm2 nëse nuk merret mendimi i të gjallëve, unë bashkohem me protestën, që të bëhet sa më shpejtë diçka për atë teatër.

Duhet të shohim ligjin për artin, për të parë çfarë të ndryshojmë në të. Duhet ndryshuar disa gjëra. Na janë bllokuar tualetet Bujar, dhe Teatri nuk ka pasur lekë që t’i zhbllokojë. Jemi turpëruar me artistët e huaj, kur shkonin në tualet. Më vonë takimit iu shtuan Ema Andrea dhe Kastriot Çipi. Ata thanë se artistët që kishin ardhur të parët në takim, nuk përfaqësonin grupin e teatrit ku ishin më shumë se 200 veta, por përfaqësonin veten dhe interesat e tyre.

Ema Andrea
Sot ishim në teatër. Ju pritëm. Paskeni qenë me artistë të tjerë. Ne përfaqësojmë një grup jo vetveten e jo interesat personale.

Kastrot Çipi
Është debat jo teknik, por politik. Duhet të vini në teatër.
Ju thoni s’ka projekt. Kreu i bashkisë thotë që ka (për Teatrin Kombëtar). Erion Veliaj ka përmendur madje edhe një arkitekt. Pra paska projekt dhe paska edhe një arkitekt për të. Tani, cilido që të jetë arkitekti, qoftë edhe më i miri në botë, artistët duhet të konsultohen, duhet të bëhet publik projekti. Ju jeni e shqetësuar të vini në teatër.

Mirela Kumbaro
Unë në teatër vij për shfaqje. Kur bëhet fjalë për diskutime janë zyrat e shtetit. Mund të dëgjojmë e të shkëmbejmë mendime me njëri-tjetrin.
Në fund të takimit, u la që të ketë bisedime të mëtejshme për të diskutuar më në hollësi se çfarë duhet ndryshuar nga ligji.

Edi Rama:
Nuk ka teatër me kullë. Kryeministri Edi Rama për “Opinion” tha se teatri me kulla ka qenë një ngjarje e 20 viteve më parë. Ata që e kanë këtë makth janë ndarë nga jeta. Ka të tjerë që janë shfaqur që e kanë këtë makth.

Në rast se shteti s’ka mundësi do bëhet një ndërtim miks, por nuk është ky rasti. Nuk do të ndodhë kjo gjë. Sipas Arian Çanit, Erion Veliaj ka takuar artistët, sepse një ndërtues po blen pronat rreth e rrotull teatrit. Aty do ndërtohet tha Çani, ndaj sipas tij, artistët janë të frikësuar, sepse mendojnë se teatri rrezikon./Konica/