Aktorja Roza Anagnosti, teksa e konsideroi të vështirë mbajtjen e një fjalimi, i quajti qëndrestarë të gjithë ata që po mbrojnë TK.

“Partia ime është arti im, prandaj të mos i ngatërrojmë gjërat. Kjo është memorie, është histori. Nuk ke pse e shkruan me fjalë historinë nëse e ke këtu ku kanë nisur shumë institucione, ndërsa teatri ka qenë zëri më i madh. Këtu kanë punuar shumë artistë që nuk jetojnë më, por edhe që jetojnë.

Energjia e atyre që nuk jetojnë më, na ka dhënë vitalitet të gjithë neve”, shprehet artistja teksa kujton argumentet e arkitektit Maks Velo, se ky Teatër mund të bëhet një teatër i mrekullueshëm. “Teatri ka nevojë për operacion, siç ka nevojë edhe njeriu kur është sëmurë. Prandaj, që ti të mos e lësh që të vdesë, duhet që ta bësh operacion. Këtu nuk është puna të prishësh, por që ne të fitojmë një teatër. Kush nuk e do një teatër të ri?”, ngre pyetjen artistja.

“Të gjithë e duan”. Prandaj, ajo kërkon që të bëhet rikonstruksioni i kësaj godine. Artistja më tej kujtoi edhe fjalën e tenorit shqiptar nga Kosova, Ramë Lahaj, i cili para dy ditësh u shpreh: “Mundesh që të jesh me fat që t’i biesh tërë dynjasë rreth e përqark, por dashurinë si në këtë tokë nanë s’e gjen askund”. Aktorja, e cila ka dhënë kontribut të madh në skenën e teatrit edhe kinematografisë shqiptare, u shpreh se me shpirt është me artistët, që ndonëse në shesh janë të paktë, por kanë një shpirt fisnik edhe një gjuhë mjaft të kursyer. “Ne nuk duam agresivitet, por duam më të mirën.

Ne nuk nisemi nga interesi personal”, thotë artistja, që riktheu edhe një herë para pjesëmarrësve vargjet e Ali Asllanit, “Unë edhe bota”. “Unë, i marrë, gjysh edhe stërgjysh, e di bota si edhe qysh cilën kemi më të shenjtë, më të dashur, edhe më të shtrenjtë, edhe me cilët bëjmë be, be për qiej, be për dhe, be për tokën kombëtare edhe për ty o tokë bujare. Sesa miq edhe sa shokë kanë lënë kokën edhe kanë marrë tokë. Tokë o tokë  që s’ke të dytë, kush të prek i dalshin sytë”, janë vargjet që Anagnosti sjell, duke kërkuar mirëkuptimin e kujtdo për qëllimin fisnik, që artistët kanë për të ruajtur memorien edhe historinë. “E të mos harrojmë që kam 40 vite në këtë tokë, prandaj më takon që të them ndjesinë time”, përfundon aktorja e mirënjohur./Panorama