Një nga aktoret më të dashura të publikut shqiptare, Roza Anagnosti, në fëmijërinë e saj, ka ushtruar sportin e gjimnastikës. Për shumëkënd mund të duket një çudi. Por në rininë e saj është marrë me gjimnastikë, duke përfaqësuar ekipin e Vllaznisë, si në kampionatin kombëtar, ashtu edhe në Spartakiadën e Parë Kombëtare të zhvilluar në vitin 1959. Këtë e ka “zbuluar” Dashamir Sherja në librin e tij “Enciklopedia e sportit shkodran” dhe gazetari Gjergj Kola e ka evidentuar këtë fakt.

Duke i hedhur sytë te sporti i gjimnastikës, rastësisht na zuri syri emrin e Roza Xhuxhës (Anagnostit). Ja çfarë shkruhet në këtë libër për të: “Roza Xhuxha (Anagnosti) u lind më 27.10.1943, një vajzë e vogël mjaft simpatike që pëlqen shumë sportin dhe artin. Është në rrethet artistike e sportive të shtëpisë së pionierit në Shkodër, ku dallon në gjimnastikë dhe në recitime. Në moshën 11-12 vjeçare bie në sy të njrës prej kuadrove më të apasionuara të gjimnastikës, Nurije Ramës, e cila kujdeset për ta tërhequr në radhët e gjimnastikës.

E mëson të interpretojë me saktësi ushtrimet në vegla dhe ato të lira, të cilat i pëlqen shumë. Dallon Roza Anagnosti (Xhuxha) aktorja e madhe, që ka qenë gjimnaste me Vllazninë edhe në paralelen e shkallëzuar. Në vitin 1957, kur nuk ishte as 14 vjeçe, merr pjesë në kampionatin kombëtar të gjimnastikës, bashkë me të motrën Angjelinën dhe me shoqen e saj Marije Hajati, si dhe disa shoqe të tjera shkodrane.

Vazhdon të stërvitet me pasion e këmbëngulje aty tek palestra afër Kafes së Madhe (ish- kinema Rozafat), e cila u dogj dhe më pas u adaptua në palestër. Sipas kujtimeve të zonjës Roza, aty në atë palestër stërviteshin të gjithë sportistët shkodranë. Në vitin 1959, do të zhvillohej Spartakiada e Parë Kombëtare në Tiranë. Një eveniment sportiv me shumë rëndësi. Shkodra merr pjesë me ekipin e femrave në gjimnastikë dhe ndër vajzat pjesmarrëse është edhe Roza Xhuxha, që ishte 16 vjeçe. Në ushtrimet e ekzekutuara me bukuri dhe elegancë, ajo meritoi duartrokitjet e publikut të shumtë dhe bën një figurë mjaft të mirë në këtë paraqitje.

Merr pjesë edhe në kampionatin kombëtar një vit më pas dhe pastaj tërhiqet nga gjimnastika dhe i kushtohet artit skenik. Tashmë njihen nga të gjithë spektatorët shqiptar performancat e artistes nga Shkodra, Roza Xhuxha (Anagnosti), që ka hyrë edhe në historinë e sportit shkodran si një pjesmarrëse cilësore në gjimnastikë dhe si pjesmarrëse në të parën Spartakiadë Kombëtare Shqiptare”.

Vetë aktorja e madhe asnjëherë nuk e ka përmendur këtë fakt gjatë intervistave të ndryshme, të paktën publikisht. Nuk është “zbuluar” as ndonjë foto e kohës ku ajo merr pjesë në garat e gjimnastikës. Gjithsesi, përpara se ajo të bëhet një divë e skenës shqiptare, Roza Anagnosti ka qenë një gjimnaste shumë e zonja…/Eduart Illnica/Konica.al/