Rrëfimet e Vasil Rucit/ Debutimi me Flamurtarin, shpallja si golashënues, përse zgjodhi numrin 7, cilët ishin idhujt e tij dhe ndeshja që luajti si portier. Ja si u zbulua talenti i Rucit nga Bejkush Birçe dhe goli i famshëm ndaj Barcelonës

“Tre shtata ka sot bota; Kigan, Ruci, Popivoda”

Nga Ergys Alushi

Ergys Alushi

Kur e spikati Bejkush Birçe

Loja e mirë që zhvilloi në Spartakiadë tërhoqi vëmendjen e specialistëve të futbollit vlonjat. E grumbullojnë me ekipin e të rinjve të “Flamurtarit”. Megjithatë nuk u ndahet fushave të lagjeve dhe rërës së plazhit. Në këto fusha zhvilloheshin ndeshje të forta. Aty ishte adrenalina djaloshare e shumë të rinjve të qytetit, midis të cilëve dhe e Vasil Rucit. Plazhi i Ri dhe i Vjetër ishin “laboratori” natyror i Vlorës ku spikasnin talentet në futboll, por dhe në sporte të tjera. Kishte ajër të pastër, jod, rërë të fortë, të nxehtë e me shumicë që të forconte shputën e këmbës dhe formonte këmbë të forta. Hapësira ishte e madhe aq sa duhej të vrapoje më shumë për të kapur topin mbrapa portës sesa brenda në fushën e lojës.

Edhe deti ishte mrekullia vetë, me freskinë në ditët e nxehta kur trupi mbulohej nga djersa e rëra, por edhe për stërmundimi – I kërkuar nga gazetarët pas një ndeshje të bukur dhe gola përcaktues që provonin këmbët e trupi kur duhej të vrapoje brenda tij. Ndaj dhe plazhet e Vlorës ishin të mbipopulluara me fëmijë e të rinj që luanin, vraponin e notonin me orë të tëra duke u “stërvitur” për të qenë sportistët e brezave me radhë të ekipeve të “Flamurtarit”. Nuk ishte më si vite më parë, kur kuadrot e fizkulturës së qytetit të Vlorës ankoheshin për frekuentimin e pakët të plazhit të tyre në mënyrë masive. Bile, edhe kur donin të arsyetonin rezultatet e dobëta në aktivitetet kombëtare të notit, paraqitnin, si fakt të parë, këtë frekuentim të pakët të plazhit nga banorët e qytetit.

Por gjithçka ndryshoi me kalimin e viteve. Kishte një plazh në Vlorë. Ai që gjendej në të djathtë të Skelës, me rërë dhe bregdet të pastër. Këtu laheshin ata të pakët që e pëlqenin notin dhe banjat e diellit. Laheshin sidomos ata që banonin aty pranë. Më vonë, kur filloi të mbushej me shtëpi, me vila, me kampe pushimi bregu pranë Ujit të Ftohtë, u pa nevoja e krijimit të një plazhi të ri, me gjithçka të re e të bukur për të tërhequr vizitorët, sidomos ata që vinin nga qytete të tjera. Këto dy plazhe, i vjetri dhe i riu, nuk mbetën më pa njerëz, pa vizitorë. Në to shkonte e gjithë Vlora. Por, kishte edhe një plazh të tretë. Ai ishte më i vogël, ngjitur me skelën. Ky ishte plazhi i lagjeve që gjenden aty pranë, ishte plazhi “familjar”. Këtu vinin të gjithë, që nga më të vegjlit e deri moshat e treta. Të dukej sikur çdo familje ka vendin e saj, të “prenotuar” që më parë, por gjithmonë pranë komshiut që ka në lagje. Të dukej sikur lagjja e tërë që gjendej matanë rrugës automobilistike, ishte shpërngulur për disa orë këtu, në breg të detit.

Këtu vijnë edhe sportistë edhe notarë. Stacioni i autobusit, klubi detar dhe ndërtimi i dy zadrave i dhanë akoma më shumë gjallëri këtij plazhi të vogël, krijuar nga dëshira e vet popullit për t’u marrë me not dhe sporte të tjera. Plazhet e Vlorës kanë një kontribut të madh në zhvillimin e rritjen cilësore të sportistëve vlonjatë. Një nga këta ishte edhe Vasil Ruci. Në ndeshje të tilla, aty në plazhin e Ujit të Ftohtë, Vasili do të dëmtonte gishtat e këmbës duke rrezikuar deri aktivizimin me të rinjtë. Trajneri Skënder Elmazi do ta largonte nga ekipi kur mësoi për dëmtimin që e pengonte të luante në fushën e blertë. Për rreth tre muaj qëndroi larg ekipit derisa një ditë futbollisti vlonjat Nako Saraçi do ta takonte Vasilin dhe pasi e pyeti se përse nuk ishte me ekipin, e mori me vete dhe e shoqëroi për te Skënder Elmazi. Vasili u bashkua përsëri me bashkëmoshatarët në ekip. Në një nga ndeshjet me të rinjtë, të cilën kishte ardhur për ta parë Bejkush Birçe, që ishte trajner i ekipit të të rriturve të “Flamurtarit”, Vasili realizon një gol të bukur me gjuajtje nga një distancë e largët, topi përplaset në shtyllën horizontale, vijë fatale e përfundon në rrjetë.

Trajnerit Birçe i tërhoqi vëmendjen jo vetëm goli, por dhe lëvizshmëria e teknika e djaloshit të imët. Gola të tillë Vasili i shënonte shpesh. Ai stërvitej për gjuajtjet nga distanca, goditjet e dënimit jashtë zonës dhe gjuajtjet e 11-metërshave. Gjatë verës së atij viti, në një ndeshje kontrolli që zhvillonte ekipi i parë i “Flamurtarit”, dikush mungonte nga titullarët dhe Bejkush Birçe kujtohet për djaloshin, dhe dërgon dikë që ta thërrasë “atë djalin e vogël”, që të vinte e të plotësonte vendin e mbetur bosh. Luajti si sulmues me rezervat e ekipit. Në krahun ku luante ishte mbrojtës Cane Ahmeti, kurse në qendër, luanin Mane Zeqiri, Ben Nelaj e të tjerë titullarë të ekipit të atyre viteve.

Pjesa e parë përfundon 3:0 për rezervat dhe tre golat do t’i shënonte, ai. Ndeshja përfundoi 3:3, por ajo do të ishte vendimtare për të ardhmen në futboll të Vasil Rucit. Pas ndeshjes, Bejkush Birçe do ta thërriste e do t’i thoshte; -“Nesër, te Halit Marmallata do të marrësh tuta dhe do vish te “Sazani”, do fillosh bukën”. Nuk i besohej. Akoma nuk i kishte mbushur 18 vjeç dhe ëndrra po i bëhej realitet. Do të luante me “Flamurtarin”.

E diela e 26 shtatorit 1976!

Është një datë e shënuar në historinë futbollistike të Vasil Rucit. Ndeshja e parë, goli i parë. Atë të diel, “Flamurtari” luante në Vlorë ndaj “Besës” së Kavajës. Java e katërt e kampionatit. Vasil Ruci luante që nga minuta e parë në formacion. Bashkë me Zyberin në portë, e me radhë Çipi, Zeqiri, Shakaj, P.Ruci, Xhaho, Troqe, Çurri, Zilen e Xhafën. Pas golit të Koto Ziles në minutën e 4-të, golin e dytë e shënoi Vasil Ruci, në minutën e 29-të. Ai e kishte justifikuar debutimin. Për sulmuesin e ri kishin filluar brohoritjet dhe duartrokitjet e para.

Pati vlonjatë që do ta krahasonin me Mexhit Haxhiun, i cili në muajin qershor të atij viti ishte larguar nga futbolli. Më kot pritën vlonjatët që Mexhiti t’ia dorëzonte fanellën Vasil Rucit në një ceremoni në fushën e blertë, ashtu si ishte vepruar dhe me futbollistë të tjerë. Kjo nuk ndodhi. Për dy sulmuesit më të mirë të historisë së futbollit vlonjat, nuk pati kurrë një dorëzim fanelle. Megjithatë, edhe pa këtë ceremoni, Vlora kishte gjetur sulmuesin tipik që i shkonte për shtat karakteristikës së futbollit vlonjat. Teknik e i shpejtë me topin. Në Vlorë e pëlqenin futbollin teknik. Gëzonin si fëmijë për “dyhapëshin” e Gëzim Zeqirit, të cilin e thërrisnin “braziliani”, për teknikën e lartë që zotëronte, për shpërthimet e “brigadierit” Mexhit Haxhiut, për “hapi shalët” e Pano Xhahos, për golat e bukur të Koto Ziles, për pasimin e saktë e lojën elegante të Edmond Liçaj.

Përse numri 7?

“Në atë kohë, në bluzat e lojtarëve lejoheshin deri në numrin 18. Nëse Mexhit Haxhiu do të dorëzonte fanellën, unë do të kisha numrin 10. Në kushtet kur kjo nuk ndodhi, kur u bë përzgjedhja e numrave, unë mora numrin 7. Numër që e mbanin dy lojtarët nga më të mirët e Evropës për ato vite, anglezi Kevin Keegan, dhe jugosllavi Danilo Popivoda. Por edhe Ilir Përnaska. Dy të parët ishin idhujt e mi, e më pëlqente futbolli i tyre kur i shikoja ndeshjet në kanalet e jugosllavit”.

“Vasil, Vasil, ti je bota” ushtonte dhe thirrja “Tre shtata ka sot bota, Kigan, Ruci, Popivoda”. Nuk dihet autori thirrjes së rimuar, por patjetër që duhet të ketë qenë dikush që e njihte mirë Vasil Rucin, që njihte idhujt e tij. As Vasili nuk e di se kush është autori i thirrjes që u kthye në himn të tifozëve kuq e zi të “Flamurtarit”, por kujton se ka mbetur i habitur kur e ka dëgjuar për herë të parë, ashtu si edhe ndjeu kënaqësinë që e krahasonin me idhujt e tij.

Për herë të parë golashënuesi më i mirë i vendit

Ishte 23 maj 1982. Vasil Ruci: shënuesi më i mirë i Kampionatit të 36-të Kombëtar me 12 gola nga 26 që kishte shënuar i gjithë ekipi. Do të shpallej në Vlorë, në takimin“Flamurtari” – “Tomorri”, që përfundoi me rezultatin 1-0. Vasil Ruci, do të shënonte gol në minutën e 31 me penallti, duke shënuar golin e 12. Askush më parë në historinë e futbollit vlonjat, nuk kishte dalë golashënuesi më i mirë i vendit. Atë kampionat “Flamurtari” do të renditej në vendin e dytë me 33 pikë, me trajner Agron Sulaj. Vetëm 4 pikë larg “17 Nëntorit” kampion. Vendi i dytë në kampionat ishte një sukses i madh për ekipin. Rrallë kishte ndodhur që “Flamurtari” të renditej i dyti. Shtypi sportiv do ta cilësonte si vitin e “Flamurtarit”, që jo vetëm kishte shënuesin më të mirë në vend, por zhvillonte lojëra të bukura, ku spikaste loja sulmuese, duke dhuruar spektakël e emocione jo vetëm për vlonjatët por edhe qytetet ku luante.


Kampionati i 36-të kombëtar i futbollit ishte dhe shpërthimi i Vasil Rucit si golashënues. Ai e kishte fituar pjekurinë e duhur për të qenë jo vetëm në formacionin kryesor të ekipit, por edhe vendimtar për rezultatet e mira.

Golashënues për herë të dytë

Kampionati i 38-të Kombëtar. Me 12 golat e shënuar Vasil Ruci do të shpallej për herë të dytë golashënuesi më i mirë i vendit. Ndodhte më 20 maj 1984. Për të arritur deri në suksesin e radhës, ai do të shënonte në disa ndeshje që do të ishin vendimtare dhe për ecurinë e ekipit në kampionat. Golin e parë të kampionat e shënoi futbollisti i “Flamurtarit” Vasil Ruci në minutën e 15-të në takimin me “Naftëtarin” në Qytetin Stalin. Në përfundim të javës së 21-të të kampionatit të 38-të kombëtar, Vasil Ruci do të ishte ndër 7 shënuesit më të mirë të vendit me 4 gola, ndërkohë që renditjen do ta kryesonte Hodo i “Lokomotivës” me 9 gola. Në një shkrim të gazetës “Zëri i Popullit”, të datës 17 prill 1984 “Të kthehemi tek loja sulmuese – Ç’mendojnë për këtë 7 shënuesit më të mirë të kampionatit?”do të jepte edhe Vasil Ruci mendimin e tij: “Ajo që e pengon lojën sulmuese e për pasojë konkretizimin e saj, golin, më duket se duhet ta gjejmë tek ai koncept shumë i ngushtë që ekziston te skuadrat e bashkë me to dhe trajnerët, kur ata luajnë jashtë.

Për hir të pikës sakrifikohet me pa të drejtë veprimi me forca të shumëfishuara në sulm. Nganjëherë dhe në kundërshtim me natyrën që ka njëra apo tjetra skuadër. Së dyti, dua të nënvizoj edhe një mendim. Lojës sonë sulmuese po i zbehet një traditë e bukur, largimi nga veprimet në krahë. Preferohet gjatë sulmit zona e qendrës se të nxjerr menjëherë përballë portës, por pak njohim ne sulmuesit lëvizjen vertikale për të marrë topin vertikal. Natyrisht dobësia vjen nga mungesa e stërvitjes. Detyra e dhënë para ndeshjes mbetet në letër, nëse asaj nuk i shtojmë krijimin individual apo dhe atë kolektiv”. Në javën e 22-të, Vasil Ruci do të shënojë golin e barazimit në fitoren e “Flamurtarit” në Vlorë përballë “Besës” së Kavajës me rezultatin 2-1.

Në ndeshjen e luajtur në Vlorë ndaj “Luftëtarit” të Gjirokastrës, 6 maj 1984, “Flamurtari” do të fitonte 4 me 1. Vasil Ruci do të ishte autori i tre golave, dy prej të cilave me 11-metërsh. “Flamurtari” arriti një fitore të merituar ndaj “Luftëtarit”, duke zhvilluar një nga takimet më të bukura të kësaj faze. Në çaste të veçanta loja e futbollistëve vlonjatë ishte e shpejtë, me qartësi veprimesh dhe forcë goditëse, ku spikati Vasil Ruci, autor i 3 golave…” Pas kësaj ndeshje ai do të ngjitej në kuotën e 10 golave, i dyti pas Hados me 11 gola.

Gjithçka do të zgjidhej në javën e fundit të kampionatit kur Vasili shënon dy gola duke u shpallur golashënuesi më i mirë i vendit me 12 gola nga 30 gola që kishte shënuar i gjithë ekipi. Atë kampionati do të shpallej kampion “Labinoti” i Elbasanit ndërsa “Flamurtari” renditej në vendin e katërt me 29 pikë, tetë pikë larg vendit të parë. Por edhe pas përfundimit të kampionatit, Vasil Ruci do të vazhdonte të shënonte gola. Këtë herë në ndeshjet e Kupës së 31-të të Republikës.

Në takimet gjysëmfinale me “Partizanin”, vlonjatët do të fitonin në Vlorë me rezultatin 2 me 0, me gola të Vasil Rucit e Agim Bubeqit dhe do të barazonin në Tiranë, 1 me 1. Krahas vlerave si ansambël kolektiv, skuadra ka edhe pika garancie. Ka golashënuesin më të mirë të kampionatit Vasil Ruci, i cili do të shënonte mjeshtërisht nga një goditje dënimi, duke e lënë të habitur portierin e “Partizanit”, Perlat Mustën për trajektoren që mori topi e përfundoi në cepin e djathtë të portës, aty ku takohen dy shtyllat.

“Duelet” e tij me portierin e “Partizanit”, vlonjatin Perlat Musta do të ishin nga më të bukurat në futbollin shqiptar të atyre viteve. “Ruci pranë topit e përballë tij Musta në mbrojtje të portës”, – ishte shpesh shprehja që përdornin komentatorët sportivë. Në karrierën e tij ka luajtur edhe njëherë portier. Ka ndodhur në një ndeshje në Tiranë kundër “Partizanit” pas daljes me kartonin e kuq të portierit Luan Birçe. Për gati 15 minutat e fundit ka veshur dorezat e portierit duke shkaktuar jo pak habi në stadium.

Atë ndeshje “Flamurtari” e ka fituar 1 me 0 dhe “portieri” Vasil Ruci nuk do të pësonte gol për aq minuta sa mbrojti portën e ekipit të vet. Shfaqi siguri dhe në portë. U duartrokit edhe për dy pritje të bukura, paçka se mbrojtësit ishin në ankth për të mos pësuar gol, në ato minuta kur në portë ishte një sulmues shtashkurtër dhe jo një portier i vërtetë. Por, Vasili kishte vënë në shërbim të ekipit zemrën e jo centimetrat e trupit. Ashtu si kishte vepruar gjatë gjithë karrierës së tij futbollistike.

I shënon “Barcelonës”

Ai ishte në kulmin e tij kur i shënoi “Barcelonës”! Dhe ku ka më bukur për një futbollist që kulmin e tij ta arrijë duke i shënuar një skuadre të madhe në Evropë, siç ishte “Barcelona” e Spanjës. Kjo do të ndodhte në 17 shtator 1986. Vasil Ruci i shënon “Barcelonës”! “Në 22 minuta e 21 sekonda të pjesës së dytë, më shumë se 15 mijë njerëz brohorasin fuqishëm e pa ndërprerje “Gol!”. Çfarë të kishte ndodhur?

Ajo që s’pritej, por që e dëshironin të gjithë?! Vasil Ruci i kishte shënuar gol “Barcelonës” së madhe…” Në Vlorë do të zbriste “Barcelona” e madhe e futbollit evropian. 20 herë fituese e kampionatit spanjoll. Fituese e dy kupave të Evropës dhe e 4 kupave të UEFA-s. Në formacionin e “Barcelonës” luante edhe golashënuesi më i mirë i Kampionatit Botëror i zhvilluar atë vit në Meksikë, anglezi Lineker. Në këtë ndeshje “Flamurtari” do të mrekullonte jo vetëm vlonjatët, por të gjithë shqiptarët, që atë ditë ishin sy e veshë nga Vlora. “Takimi ka një start të fuqishëm për meritë të “Flamurtarit”, që i jep lojës ritëm.

Minuta e 3-të, kalim spektakolar i Ziajit mes tre spanjollëve, shpërthim i vrullshëm në mesfushën e “Barcelonës”, kombinim me Vasil Rucin që frenohet në hyrje të zonës dhe loja merr zjarr. Mesa duket spanjollët nuk e prisnin këtë zhvillim loje… Golin kundër “Barcelonës” Vasil Ruci e veçonsi golin më të bukur të karrierës së tij. Është një gol që i ka të gjitha brenda. Asgjë nuk është e rastësishme. Marrjen e topit në ajër e cilëson si një “kryevepër”. Që në marrjen e topit e kishte menduar dhe gjuajtjen, por edhe se ku do ta dërgonte topin.

Në mendjen e tij gjykoi se tërheqja duhet të ishte shumë e mirë sepse nëse e tërheq keq, topi do t’i mblidhej. “Do ta lija topin që të binte poshtë dhe pa e prekur ende tokën do ta godisja. Goditja nuk ka qenë shumë e fortë, por konçize, e prerë, e thatë. Nuk mbaj mend asgjë se çfarë ka ndodhur pas ndeshjes. Nuk më kujtohet asgjë. Kam qenë si i mpirë. I kisha shënuar “Barcelonës”.

E çfarë mund të kërkojë më shumë një futbollist, një sulmues? Fati kishte qenë me mua, por jo me ekipin, kur katalanasit na barazuan në fundin e takimit. Dhe më shumë akoma kur ai gol në Vlorë e kualifikoi “Barcelonën” sepse ndeshja në fushën e tyre përfundoi në barazim 0-0. Në një intervistë që kisha dhënë para ndeshjes në Vlorë për një televizion të Barcelonës kur më pyetën nëse do të arrija t’i shënoja “Barcelonës” më kujtohet se kam thënë që fati do të jetë me mua dhe unë do të shënoj gol.”.

Burimi: Telegraf.al