INTERVISTA/ Flet “Piktori i Merituar” Zef Shoshi: “Ekspozita Retrospektivë është jeta ime në pikturë”

Një pikturë nudo më hapi probleme në Lidhjen e Shkrimtarëve

– Portreti i Enver Hoxhës mori çmim të parë

– Odise Paskali ka thënë :“Ky  është tamam portret zyrtar”

Albert  Z. Zholi

Në moshën 15 vjeç, bën një autoportret dhe në moshën 17 vjeç bën portretin e gjyshes. Këtu fillon sfida e tij me pikturën një art sa i vështirë por edhe i bukur. Studimet në San Petërburg i dhanë atij një pjekuri në mënyrën e të pikturuarit duke e bërë një ndër protagonistët e piktorëve shqiptarë të realizmit socialist. Duhet thënë që fama e tij si i piktor u rrit kur bëri disa portrete të ish udhëheqësit komunist Enver Hoxha,  kur dihej, që të merrje një nismë të tillë, ishte përgjegjësi që luhej me kokën.

Por Zefi ja doli me sukses aq sa pikturat e tij të Enverit u vendosën në të gjitha institucionet shtetërore të asaj kohe. Por portreti me përmasa të mëdha 2×1.2,u vendos në hyrje të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Shumë piktura të tij sot ruhen në fondin e Galerisë së Arteve, por sipas tij ato janë po aq të bukura sa dhjetëra piktura të tjera të realizuara në periudhën postkomuniste. Tablotë e tij ngjasin me qëndismat e veshjeve të grave zadrimore, me qilimat karakteristikë shqiptarë, ndërsa nudot e tij përcjellin një natyrshmëri impresionuese

  1. Zef, përse e keni titulluar kështu këtë ekspozitë me një numër të konsiderueshëm veprash tuajat në të gjitha shkallët e jetës?

Kjo ekspozitë përmban punimet e mia ndër më të mirat që në bankat e Liceut dhe deri në ditët tona. Jam munduar të  bëj një përzgjedhje të veprave të mija në të gjitha këto kohë duke ruajtur kohët pra nga Liceu në Akademinë e Arteve në San Petërburg (ish- Leningradi), ku unë studiova, periudha e realizmit socialist dhe tashmë pas viteve 1990, pra pas përmbysjes së komunizmit.

Ju studimet e larta i keni bërë në ish- BS, pra në San Petërburg. A keni në këtë ekspozitë punimet e asaj kohe dhe a keni lënë në galerinë e asaj Akademie punime të tuat?

Nga punimet e asaj kohe në akademinë ruse unë kam sjellë disa punime, siç është “portreti i një vajze”, kur isha në vit të parë është “portreti i një plaku” kur isha në vit të dytë, është një kompozim po i vitit të dytë “Karvani”, një punim i vitit të tretë “punëtoret që pushojnë pas pune”.  Këto vepra që i kam punuar në ish- BS, janë një kujtim i veçantë i jetës sime, se aty u formua karakteri im si piktor.

Si ka qenë Akademia Ruse e pikturës e asaj kohe?

Shkolla ruse e asaj kohe kërkonte profesionalizëm, kishte disiplinë. Kërkesë llogarie. Tendenca e asaj shkolle ishte që nga auditorët të dilnin piktorë realistë. Kërkesat ishin të forta dhe unë pata vështirësi që të futesha në kanalet e duhura të shkollës, por gradualisht pastaj u ambientova. Ishim disa shokë që mësuam aty dhe morëm vlerësime nga më të mirat nga pedagogët e shkollës. 

Aty kishte një atelie që drejtohej nga piktori Jorgason, i cili ishte një nga piktorët më të njohur të asaj kohe, dhe President i Akademisë së Arteve të BS-së. Në atelie kalonin studentët pas vitit të dytë. Pikërisht në vitin e tretë kishe të drejtën të shkelje në këtë atelie, që shihje dhe merrje njohuri të mëdha. Aty kanë studiuar piktorët e shquar si: Vilson Kilica dhe Sali Shijaku. Në atelietë e tjera ka qenë dhe Agim Zajmi, në atelinë e piktorit të shquar Bobishof, i cili kishte atelienë e skenografisë.

Ndonjë vepër e juaja a ka ngelë në Akademinë e Petërburgut?

Po, disa punime të shkollës.  Aty zgjidheshin punimet më të mira të studentëve dhe mbaheshin në arkivin e shkollës. Unë në fondin e asaj Akademia kam dy nudo, një kompozim, një portret dhe një vizatim.

E keni mall për Akademinë e Petërburgut?

Po. Kam shumë mall. S’kam shkuar asnjëherë pas përmbysjes së komunizmit. Dua të më jepet mundësia të shkoj dhe njëherë.

Po në fondin e Galerisë së Arteve sa piktura tuajat janë ruajtur?

Në këtë fond ruhen disa punime të mijat. Në këtë ekspozitë janë nxjerrë rreth 8 punime që janë në fondin e saj. Ato janë ekspozuar vetëm sa ditë do jetë hapur ekspozita pastaj do të qëndrojnë sërishmi këtu. Janë tashmë pasuri e Galerisë së Arteve.

Sa punime keni vendosur në këtë ekspozitë?

Gjithsej janë 66 punë. Janë punët më të zgjidhura të miat gjatë gjithë karrierës si piktor. Unë kam bërë një seleksionim edhe këtu në Galeri, para se ti ekspozoja. Menduam që ekspozita të kishte 66 punë nga 73 që unë solla. Pra u bë një rivlerësim i punëve që ekspozita të ishte sa më e pëlqyeshme. Pra 7 punë u hoqën që ekspozita të merrte më shumë vlera.

Ju keni marrë titullin “Artist i merituar” në ç’vit e keni marrë këtë titull dhe si jeni ndjerë?

Këtë titull unë e kam  marrë në vitin 1983, kryesisht për veprën murale të ekspozuar në Muzeun e Skënderbeut në Krujë “Lu, fta Iliro-Romake” . Kjo është në sallën e ilirëve, sapo hynë në sallën e Muzeumit të Skënderbeut në Krujë. Natyrisht ky ishte një vlerësim i madh për  mua. Njëkohësisht jam vlerësuar dhe me çmimin e Republikës për një tablo, 1989 “krijimi i kooperativës malore”, dhe në shumë ekspozita kombëtare kam marrë shumë çmime. P.sh këtu është tabloja “Mjelëset” me të cilën kam marrë çmim.

Kam lexuar dhe pyetur për ju ku është thënë në rrethet e piktorëve se ju keni bërë dhe dy portrete të Enver Hoxhës. Në çfarë periudhe janë bërë dhe kush e ka dhënë vlerësimin që ato të ekspozohen?

Portreti  kryesor që i kam bërë Enver Hoxhës është ai që Enveri ndodhet në zyrën e punës. Ai portret ruhet sot në fondin e Galerisë. Ndërsa vepra të tjera si “Gjunjë më gjunjë me popullin”, “Bisedë për tokën”, janë dërguar në një fond tjetër tek piramida dhe nuk e di saktë fundin e tyre. Se di nëse janë apo jo. Por di që atëherë kam bërë punë me porosi për Enver Hoxhën.

Ju kur keni bërë këto vepra e keni takuar Enver Hoxhën?

Jo nuk e kam takuar Enver Hoxhën. Unë portretin e tij e kam realizuar sipas një fotografie, duke e bërë skicën, vizatimin,në karbon dhe prej këtij vizatimi që doli mirë realizova portretin me ngjyra.

Kush e dha përfundimisht firmën që këto portrete të bëheshin publike dhe të vendoseshin në Galeri apo ambiente?

Natyrisht, ajo është aprovuar nga lart. Nga Byroja Politike. E ka parë kryesisht Ramiz Alia gjatë procesit të punës. Ai ka bërë ndonjë vërejtje të vogël, por në përgjithësi puna ka shkuar mirë. Pasi e ka aprovuar Ramiz Alia ajo ka shkuar në ekspozitën kombëtare.

Po porositë për portrete të Enver Hoxhës si kanë ardhur?

Pas këtyre punimeve kam bërë dhe punë të tjera për Enver Hoxhën. P.sh, portreti që është vendosur lart arkivolit  kur bëheshin homazhe ditën e vd, ekjes ishte një punë e imja. Pra në vitin 1983 m’u dha porosia, për të realizuar një portret të madh deri poshtë gjunjëve të Enver Hoxhës, që do të vendosej në hyrje të godinës së Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ai portret më ka ngrënë shumë kohë dhe ishte me shumë përgjegjësi. Dihej atëherë se ç’të priste n.q.s nuk realizohej si duhej në mënyrën më të mirë të mundshme ai portret. Kur e mbarova ai u pëlqye shumë dhe u vendos aty ku thashë në hyrje të Godinës së Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Çfarë përmasa ka pasur ky portret?

Ka qenë 2 metër i lartë dhe rreth 1 metër e pak i gjerë. Pra përmasa relativisht të mëdha.

Me këto portrete të Enver Hoxhës ke marrë vlerësime?

Sigurisht. Portreti i Enver Hoxhës mori çmim të parë ( ai që është në tavolinën e punës), portreti i madh është vlerësuar shumë nga piktorët dhe skulptorët. Një fjalë të madhe e mbaj mend se ma ka thënë Odise Paskali “Ky  është tamam portret zyrtar”. Kjo është fjala e tij, në kuptimin  e vlerave zyrtare për të qëndruar në një vend zyrtar. Portreti i tavolinës është pëlqyer nga të gjithë masat dhe nga kolegët. Unë e shoh si vlerë artistike, nuk e shoh se kujt i dedikohet. Pra e shoh të zhveshura nga ideologjizmat dhe sot nga bindjet politike. E shoh si vepër, si pikturë.

Nga të gjitha portrete ju nuk keni tashmë asnjë pikturë që keni bërë për Enver Hoxhën?

Jo, nuk kam asnjë. Ato ishin porosi zakonisht për publikun apo për ambientet zyrtare të kohës. Pra unë s’mund t’i mbaja. Por unë kam me dhjetar skica përgatitore që i bëja kur përgatitesha për portretet. Ato skica vizatimore i kam ende dhe kësaj dite.

 Sa ekspozita keni hapur gjithsej dhe cilat kanë qenë vlerësimet?

Unë ekspozitat e mia i ndaj në dy faza. E para në fazën e realizmit socialist që jemi vlerësuar nëpërmjet çmimeve. Kështu ishte vlerësimi atëherë. Por edhe nëpërmjet vlerësimit të kritikës apo të popullit. Ndërsa në periudhën postkomuniste, kjo ekspozitë është ekspozitat më e plotësuar, më e bukur, më emocionuesja për mua. Për arsye se jep profilin tim krijues në 50 vite pune të vazhdueshme. Kjo edhe për faktin se është e para që hapet në sallën e madhe të Galerisë së Arteve kur dihet se ekspozitat e mëparshme hapeshin në sallën e vogël hyrëse. Kam hap dhe një ekspozitë para disa vjetësh në sallën e vogël, ndaj kjo ekspozitë për mua është një ditë e shënuar.

Sot në ditët e demokracisë a ka vlerësimin e duhur piktura dhe vetë piktorët. Si shikoheni ju nga shteti?

Nga pikëpamja morale, në periudhën e realizmit socialist kemi qenë më të vlerësuar. Pra moralisht. Ndërsa sot ka njëfarë indiferentizmi ndaj pikturës dhe neve piktorëve. Është ekonomia e tregut dhe rrugët e përhapjes së punimeve duhet t’i bëjmë vetë. Aktualisht për pikturat janë të interesuar vetëm një grup i vogël biznesmenësh, ku mund të themi se nga pikëpamja financiare jemi më të vlerësuar se në komunizëm. Por nga pikëpamja morale nga qarqet zyrtare shihet një indiferentizëm total. P.sh në ekspozitën që unë hapa, megjithëse ishin lajmëruar shumë zyrtarë, apo televizione, nuk erdhi asnjë zëvendësministër, pa diskutuar për ministër. Erdhi vetëm ambasadorja angleze. Këtu duket  qartë indiferentizmi i qeveritarëve ndaj artit viziv.

Keni ndonjë peng në gjithë këtë rrugëtim, mes qindra pikturave anekënd Shqipërisë dhe jashtë saj?

Pengu im është që të kem ndonjë aktivitet ndërkombëtar, pra të hap ndonjë ekspozitë vetjake apo të përbashkët me piktorë të tjerë në ndonjë vend të Evropës. Këtë e them që të bëhet e organizuar dhe jo nisëm vetjake. Që shteti të marrë përsipër, pasi dukemi ende si të izoluar. Pra de jure jemi të hapur, por de facto për ne piktorët e vjetër duket sikur jemi të izoluar dhe punët tona nuk shihen aty ku duhet dhe vlerësimi është më i madh dhe më profesional.

Në gjithë këto punime, vetë ju keni ndonjë pikturë që ju e veçoni?

Unë do veçoja portretin e “Tornitores”, e cila nuk është ekspozuar sepse është në linjën e Galerisë së Arteve. Unë nuk insistova të ishte domosdoshmërisht. Pas saj do të thoja për “Mjelëset”, piktura murale e Krujës që është një vepër e madhe, krahas shumë veprave të shokëve të mi në atë Muze, që janë vepra po aq të bukura në mos më të mira se të mijat.

Në këtë ekspozitë ju keni dhe një portret femre nudo që i përket periudhës së realizmit socialist. A lejohej në atë periudhë piktura nudo dhe si ka shpëtuar kjo pikturë pa u vënë re dhe pa marrë ndëshkim?

Këtë nudo e kam bërë në periudhën e shkollës. Në pushimet e saj, pasi në realizmin socialist nuk lejohej nudizmi. Këtë pikturë e kam ruajtur me fanatizëm dhe me siguri brenda në shtëpi. Unë kisha një dhomë në shtëpi që punoja, pra pikturoja. Unë kam pas atëherë disa piktura nudo. Studioja ime ishte ajo dhomë në shtëpi. Vjen njëherë nga lagjja nga fronti demokratik i asaj kohe, për të kontrolluar për higjienën. Ata panë disa piktura nudo dhe me vrap më paditën në Lidhjen e Shkrimtarëve. Ata e cilësuan pornografi. Atë kohë ishte Foto Stamo, sekretar i Lidhjes. Ai i qetësoi duke u thënë se janë vepra arti, janë punime shkolle, që nuk publikohen etj…Ata vetëm në këtë mënyrë u qetësuan.

-(Kjo intervistë është realizuar në vitin 2010)

Burimi: Telegraf.al