Traffic jam in Tirana, Albania, September 2005 / Êõêëïöïñéáêü êïìöïýæéï óå äñüìï óôá Ôßñáíá, ÓåðôÝìâñéïò 2005

RRËFIMI I ANGLEZIT – Nga Ilir Kadia

-E para herë që vini në vendin tonë?, – e pyeta anglezin që mora në Rinas dhe që më kërkoi ta çoja në “Rogner”.
-Po, e para, – tha ai duke parë me vëmendje peizazhin pas xhamave të dritares. Ai kishte një fytyrë tamam si unë. Të tillë i kisha imagjinuar edhe më parë atë. Kishte flokë bjondë, edhe pse ishte tek të 70-tat, qepallat po bjondë dhe madje dhe qimet e hundës ia shihja nga pasqyra ime që i kishte ashtu.

-Domethënë unë jam shqiptari i parë që takon në këtë jetë?, – e pyeta unë me njëlloj kënaqësie.
-Jo, – tha prerë anglezi.

Unë e dija që e kisha përvetësuar me kohë zakonin e Xonit, berberit ku qethesha prej 30 vjetësh tashmë, dhe s’mund të rrija pa e cytur sërish.
-Mos më thoni zotëri që shqiptari i parë që keni njohur ka qënë një femër?, – e pyeta unë duke kujtuar dëshmitë e pështira të të huajve të tjerë, sidomos të italianëve, të cilët kishin më shumë qejf të mburreshin, se pas hapjes së Shqipërisë në 90-tën kishin rendur nëpër bordele të mësonin si ishin shqiptaret në atë punë.

-Po, tha anglezi, femër ka qenë. Një femër krejt e veçantë.
Ai i tha me kaq admirim këto fjalë, sa unë nuk guxova ta ngacmoj më tej. Vetëm, kur ishim bërë miq tamam, sipas meje, domethënë kur ai më thirri prapë mua pas dy ditësh ta çoja sërish në Rinas, ai më ofroi një kafe në lokalin e aeroportit. Kishim shkuar dy orë para se të nisej aeroplani, siç ishte shkruar në biletë, por unë e dija se duhej të prisnim jashtë edhe të paktën një orë, sa të fillonte kontrolli i biletave, pra gjatë kësaj kohe ai më tregoi këtë histori…

-Jeni vdiq javën që shkoi. Mendoj se kjo më liron prej sekreteve që mbaja për të si shok, mik i ngushtë dhe si avokat i saj. Ajo erdhi në Londër në një ditë dimri të vitit të parë të pasluftës së dytë botërore nga Roma. Kishte lidhur miqësi atje me atë që unë s’po e quaj ndryshe veçse një Mi. Ai ishte një ushtar i yni i asaj kohe. Ia kishte bërë bahçe me lule vendin tonë dhe i kishte thënë se do t’i dhuronte, kur të vinte këtu gjerdanin më të bukur dhe më të çmuar të botës. Jeni më ka treguar se kur zbriti në aeroport nga aeroplani ushtarak, pista ishte qëruar nga bora vetëm në një korridor dhe bënte një i ftohtë që i hynte në palcë.

Nëpër mjegull lëvizte e mbështjellë me një pallto të tij dhe tërhiqte drejt një godine gjysmë të shkatërruar të aeroportit një palë këpucë të rënda ushtarake. Ai e solli në fshat Jenin e bukur dhe mburrej se kishte sjellë trofenë më të çmuar të luftës. Por një javë më vonë u zhduk dhe e braktisi. E la vetëm, në dimrin e egër të Anglisë, atë lule delikate të Elbasanit. Por gjerdanin ia kishte dhuruar ama. Ajo e solli në dyqanin tim të nesërmen në mëngjes kur ai ishte zhdukur. – Më ndihmo të mos vdes! – më tha duke më hapur në banak një shami të madhe me të cilën kishte mbështjellë gjerdanin e dhuruar nga Miu. Gjerdani ishte mrekullisht i bukur. Marramendës. Njëqind dyqane si imi nuk krahasoheshin me vlerën e tij. I mbështolla ca patate dhe i mbusha një gavetë me qumësht. – Gjerdanin mbaje. Nuk kam me çfarë ta thyej. Kur të bëhen harxhet e tua sa vlera e tij flasim, – i thashë ndërsa i shënova në një letër sa kushtonin në atë kohë aq patate dhe qumësht sa i dhashë. Gjithë me përshtypjen e atij çasti për vlerën e paçmuar të atij gjerdani unë e ndihmova Jenin sa munda.

Dhe në fakt, jeta asaj nuk i eci fare. E brente malli për Elbasanin. E kish lënë Shqipërinë me një barkë të nisur nga Shëngjini në nëntorin e 44-ës. Gjermanët i ndihmuan ca oficerë shqiptarë t’i hypnin në gjemi bashkë me familjet e tyre që të shkonin në Itali, se e dinin që komunistët që po fitonin luftën do t’i vrisnin si bashkëpunëtorë të tyre. Jeni ishte në mesin e vitit të tretë të «Nënës mbretëreshë», kur i ati arriti ta marrë me vete vetëm atë. Nëna mbeti në Elbasan. Gjemia u nis pa të dhe Jeni mbeti me kokë mbrapa gjithë jetën. Kishte një dorë për pikturë, si të ish e lindur piktore. Muret e shtëpisë së saj janë plot me piktura me vajza të veshura me kostume popullore shqiptare.

Kostumet janë të ndryshme, por fytyra e vajzës që i vesh është e njëjta. – Është fytyra e nënës sime, – më thosh Jeni sa herë më tregonte pikturat. – E kam të bukur nënën. Vetëm nga radio merrte vesh ndonjë gjë se ç’bëhej në Shqipëri. Por kjo deri në 67-tën. Pastaj edhe radio u mbyll dhe mbaj mend tek dilte në të hyrë të fshatit, hipte në kodër dhe u fliste zogjve në gjuhën e saj. I pyeste për nënën. Tek e dëgjoja më dukej gjuha juaj si e zogjve. Gjallë është, gjallë nuk ka vdekur, më pret, më thosh, duke më përkthyer cicërimat e tyre. Dhe vërtet. Kur u hap Shqipëria në 90-tën, vrapoi e para atje dhe ndejti një muaj. Nëna e priti në shtëpinë e saj, në Elbasan, por vetëm një javë ndejti me të. U çmall dhe i la shëndenë. Jeni e qau dhe u mërzit, por kur erdhi këtu më tha se ishte mërzitur më shumë më sjelljen e kushërinjve.

Ata e kishin pritur me shumë dashuri në fillim, por kur panë dhuratat e saj modeste, ca çorape, bluza e karamele për fëmijët ia thanë në sy qejfmbetjen: “Ne kemi vuajtur gjithë jetën pse të kemi patur ty kushurirë dhe ti vjen nga Anglia dhe na sjell karamele?” Ata kujtojnë se unë këtu kam magazina me makina, frigoriferë, rrobalarëse. Më dhanë një listë me dhuratat e herës së dytë. S’di ç’tju them.
Që atëhere ajo nisi historinë e famshme të testamentit të saj. I jepte një vlerë gjithmonë e më të madhe gjerdanit të saj dhe vinte tek unë e më kërkonte shumën e faturave që nuk më kishte shlyer që nga fillimi. Pastaj hiqte prej vlerës disamilionëshe të gjerdanit shumën e faturave të mia dhe bënte listën e dhuratave për në Shqipëri.

Prej lajmeve që merrte nga Shqipëria, për njerëzit e saj, bënte ndryshimet në testament. Në 97-tën kur mori vesh se disa nga kushërinjtë humbën shtëpitë në skemat piramidale bëri një testament të ri dhe i nxori ata nga fillimi i listës. Nga një vilë prej meje secilit, shkruante pas rreshtit të parë. Se rreshti i parë ishte gjithmonë njëlloj: ”Nënës, një varr prej mermeri të vërtetë nga Jeni». Unë ngela i prekur kur në 22 testamentet që ajo kish shkruar edhe rreshti i fundit ishte gjithmonë njëlloj: “Mikut tim Xhorxh, i përket gjerdani. Që të lajë me të faturat që s’ia kam shlyer gjithë jetën dhe të mbajë për vete pjesën që mbetet nga përmbushjet e dëshirave të sipërpërmendura.”

Ishte një dhuratë e madhe që Jeni më bënte. Mendova se mund t’i jepja fund punës sime e të gëzoja një pension të mirë me ç’më mbetej nga gjerdani.

Kështu që e çova gjerdanin te një miku im i mirë argjendar për të patur një ide të përafërt se ç’vlerë do të kishte pasuria ime. Ai e mori në dorë dhe e ktheu para e mbrapa një copë herë të mirë:
-Nuk kam parë gjerdan të punuar më bukur se ky në gjithë jetën time. Por…Është fals, djalë i dashur, – tha ai i qetë, ndërsa shtoi «Fals mjeshtëror, ama».
-Si mund të ishte ndryshe dhurata e Miut?’- mbylli tregimin e tij anglezi Xhorxh.

Njerëzit në tavolinat e tjera filluan të lëvizin për kontrollin e biletave. Ai bëri të çohet. Por unë s’mund ta lija të ikte pa më shuar kureshtjen e fundit.
-Më falni. Po ju ku ishit këto dy ditë? Nuk ju pashë gjëkundi në Tiranë.
Anglezi Xhorxh mblodhi ato pak rraqe të tij nga toka dhe duke më zgjatur dorën për mirupafshim më tha:
-Isha në Elbasan. Pagova faturën e fundit të Jenit. Varrin e nënës së saj.

Gusht, 2005
Përzjerje historish njerëzore në një rrëfim shumica i sajuar në kujtim të Vera Melitt(Blloshmit)./Naishtedikur.info

Traffic jam in Tirana, Albania, September 2005 / Êõêëïöïñéáêü êïìöïýæéï óå äñüìï óôá Ôßñáíá, ÓåðôÝìâñéïò 2005