Intervistoi Leonard VEIZI

Filmi “Ballë për ballë” ka qenë një nga filmat më të vështirë, por më të bukur. Kishte një temë mjaft interesante për rusët dhe konfliktin që kishim me ta. Aty kam punuar me një përkushtim të rrallë me dy regjisorët, Pirro Milkani dhe Kujtim Çashku. Ditën që u caktua që xhirohej doli një ditë me dallgë dhe nëse unë do të thosha se nuk xhirohet do më thoshin se po bëja punë armiqësore, sepse kanë dalë të gjitha anijet dhe po harxhohet karburant, e ti na thua nuk xhirohet.

Kameran nuk e mbaja dot në sy dhe e hoqa nga stativi dhe mbajta në gjoks. Mirëpo, nuk ishte si kamerat e sotme që të kishe një ekran ta shihje çfarë po xhiron. E mbajta me hamendje. Derisa materialet shkuan në Tiranë, u pa, u la filmi, erdhi në Vlorë e u mor vesh se ishte xhiruar mirë, unë isha si i ngrirë. Nëse nuk do të kishin dalë mirë do të më thoshin armik. Një nëndetëse harxhonte 700 litra naftë në një orë dhe ne kishim tre të tilla në dispozicion ndaj mua do të më thoshin, “është bërë tërë ai shpenzim i madh dhe ti nuk ke xhiruar”. Kur do të dilte nëndetësja 105 unë kisha kamerën kryesore dhe dy asistentët e mi mbanin kamerat e tjera. Nuk mund të bënim dubla se nëndetësja nuk mund të hynte e të dilte disa herë. Unë fillova xhirimin, por nëndetësja nuk po dilte.

Fillova t’i bërtisja komandantit që ishte Dashamir Ohri: “Çfarë bëni kështu na iku filmi”. Filmi blihej në Perëndim dhe ishte me shumë kosto të madhe. Ai ma bënte me shenjë të prisja. Më vonë nëndetësja doli. Atëherë komandanti më kthehet: “Ore je në vete ti, ne na kishte pësuar defekt nëndetësja dhe do të mbytej me gjithë ekuipazhin ndërsa ti më thua, po më ikën filmi”. Megjithatë ky film përbën evenimentin artistik timin, me të cilin fitova titullin “Artist i merituar”.

Por a ka menduar ndonjëherë Ilia Terpini ta lërë profesionin e tij?

“Kurrësesi”, shprehet ai, dhe më pas vazhdon: “Do të punoj sa të kem jetë më kameran time. Për këtë po ju them edhe disa raste ku edhe pse kam qenë i ftuar për të pushuar, nuk kam mundur të qëndroj larg kameras time. Kam pasur rastin të kem mik ambasadorin turk, i cili në një koktejl më ftoi për një vizitë në vendin e tij, por me kusht që thjesht të pushoja. Edhe këtë herë nuk e harrova zakonin tim, u ktheva nga Turqia me një dokumentar fantastik.

Po kështu bëra edhe këtë vit kur shkova për pushime në Itali. Atje më ftuan për të bërë fotografitë e miseve shqiptare dhe videoklipet e tyre. Kur isha në Francë, ku qëndrova afërsisht 3 muaj, bashkë me gruan te djali ynë, më lindi dëshira për të bërë diçka të mirë. Atje vendosa që kur të kthehesha të hapja një ekspozitë fotografike të përbashkët me djalin tjetër këtu në Tiranë”.

Burimi: Telegraf.al