Ka disa ditë që ka dalë nëpër librari libri i ri i shkrimtarit dhe studiuesit Ylli Polovina “Komunizmi, siç e pashë”. Janë 224 faqe ku autori bën një gjest në të kundërt të rrjedhës së përgjithshme: jo fsheh apo manipulon me kujtime të tanishme të kaluarën e tij gjatë periudhës së diktaturës (ka lindur në 1948), por e bën të ditur atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, në kohën reale të ndodhjes.


Me premtimin për faksimile për çdo lexues që dëshiron të besojë saktësinë e rrëfimeve, Polovina hap për lexuesin bashkëkombës pjesën më me interes publik të ditarit të tij rreptësishtë personal dhe të fshehtë të para rënies së sistemit shoqëror socio-komunist.


Ky ditar i tij, i mbajtur rregullisht gjatë tërë jetës, ka nisur kur ishte 17 vjeç.
Në pjesën hyrëse të librit të tij Ylli Polovina mes të tjerash shprehet se “Kam shpresën, por ndoshta vetëm iluzionin, se me çfarë po bëj, do të jetë një shërbim për të njohur të shkuarën e ndërlikuar të realkomunizmit shqiptar”. Ndërkohë nuk e minimizon merakun se lënda e shkruar që parashtron mund edhe të keqpërdoret pikërisht kundër tij, i cili në fund të vitit 1981 hyri edhe në Partinë e Punës të Shqipërisë.
ENVER HOXHA I PARË NË DY KOHË
Dy fragmente nga libri
(Shkruar në mars 2019)

“Enver Hoxha ishte një fatalitet tjetër, për mos t’i hyrë Jaltës dhe përse në tryezën e bisedimeve për një marrëveshje rindarjeje të rendit botëror, të tre më të fuqishmëve të botës iu duk më mirë të shpërfillnin dhe pothuaj harronin fatin e Shqipërisë, duke ua lënë prehë komunistëve stalinistë dhe jugosllavëve.
Të vjen keq kur sheh se vazhdohet akoma të depërtohet drejt misterit, kllapisë dhe tiranisë Enver Hoxha me hokà dhe sharje, me nënvleftësime të tij.

Diktatori nuk ishte as belbacuk, as gafaxhi, as fytyrëzymtë, as i trashë. Komunizmin Enver Hoxha e pati zgjedhur sepse nuk ka ideologji më të përkryer për ta mbajtur një popull sa të jetë e mundur më gjatë në gjendje kopeje.
Oratoria e tij ishte një nga mjetet kryesore. Diktatori në realizimin e sistemit, i cili në parim ishte mirëfilli një gafë, nuk gaboi kurrë. E çoi atë gjer në fund me një stil metodik shembullor, si të qe një simfoni orkestrale.

Enver Hoxhës nuk i dridhej zemra kurrë nëse bashkëluftëtarët e tij përfundonin të zhdukur e pa varr, por ndodhte që përlotej nga ndonjë këngë popullore. Zëmërimi i tij ka qenë i tmerrshëm, por në të njëjtën kohë buzëqeshja dhe tundja përshëndetëse e dorës plot magji.
Mund të kenë qejf ta quajnë të paditur, por ai kishte bibliotekën jo vetëm më moderne, por edhe më pluralisten në Shqipëri, madje lexonte e shkruante pa pushim. Për të Italia ishte “aeroplanmbartësja e imperializmit amerikan”, por kur shkonte për pushim në Vlorë apo në Pogradec një ditë para mbërritjes së tij antena të posaçme në pika të larta të relievit fillonin të transmentonin televizionin italian. Kur ikte sigurisht antena mbyllej, por banorët e qytetit ndërkohë patën shijuar ca kohë nga “kapitalizmi i urryer”.

Eleganca e veshjeve të Enver Hoxhës, por jo luksi, e mbanin përherë ashtu siç kishte qënë në të ri: shqiptar që pati shijuar jetën e Perëndimit.
Sot mund të bësh sikur nuk e di që diktatori në qytetin e vet rridhte nga një familje me emër publik, kur ishte pikërisht kështu. Mund të ripërsëritet se marksizmi i tij vinte nga zgëqet e Uraleve, por në të vërtetë pati ardhur nga zemra e kontinentit, nga vetë Franca. Madje pothuaj i gjithë grupi që e mbështeti, vinin nga Perëndimi, jo nga Lindja.
Enver Hoxhës mund t’i thuhet po ashtu se nuk e donte Kosovën, kur me siguri e ka dashur. Ndërkohë, sepse donte mbi të gjitha pushtetin e vet, i solli çështjes kombëtare dhe vetë Kosovës dëme mjaft të mëdha.

Hoxhës mund t’i përplaset në fytyrë edhe akuza se nuk e donte as Shqipërinë, kur në të vërtetë mendonte se e donte. Veç nuk gjendet tjetër si ai në historinë tonë që i dobësoi aq fort burimet njerëzore dhe ekonomike të saj.
Metoda e inateve, pra e thjeshtëzimit të Enver Hoxhës, mund të çlirojë përkohësisht nga dhimbja apo të lehtësojë dufe individësh, veç nuk zgjidh asgjë. Është i njëjti stil si ai i realkomunistëve, të cilët për të poshtëruar kundërshtarët e tyre ballistë i bënin ata sikur nga frika dridheshin si purteka.


Enver Hoxha, po ta krahasosh me liderët e tjerë komunistë të Lindjes, përfshi edhe vetë Stalinin, ka qenë më i bukuri i tyre, më inteligjenti, më dinaku, më radikali, më joreformatori, më dogmatiku, më servili, më mosmirënjohësi, më i eturi për pushtet personal, më i pashpirti.
Patëm regjimin më të ashpër të ish-lindjes komuniste, por ndërkohë udhëheqësin më të përsosur për këtë mashtrim.


Ja përse ishte një dramë të lindje në sistemin politik që sajoi ai dhe shumë e mundimshme t’i shpëtoje narkozës së enverizmit. Gjithçka qe ndërtuar me një talent diabolik. Të imunizuar sadopak ishin vetëm ata që nuk e donin atë regjim sepse thjesht qenë ideologjikisht kundërshtarë politikë të tij, pse jo edhe ithtarë të ndonjë regjimi tjetër.
Këta nuk kishin arsye dhe energji desidence.
Enverkomunizmin mund ta rrëzonte vetëm rezistenca e atyre që kërkonte t’i tjetërsonte si të vetët politikisht”.

Shkruar ditën e enjte, 11 prill 1985

Në orën 8.00 marr Bardhën në telefon për kontratën e shtëpive të reja, sepse vinte këshilli i lagjes dhe policia për të larguar ata që kanë zënë padrejtësisht disa apartamente në pallatet në hyrje të qytetit, të porsandërtuara me kontribut vullnetar nga punonjësit e Kombinatit të Tekstilit.


Bardha vjen dhe më thotë se mblidhet pleniumi i Komitetit të Partisë së rrethit dhe menjëherë pastaj mbledhjet e përgjithëshme të komunistëve. E kundërshtoj dhe i them se pleniumi i rradhës është për efektivitetin e punës së kuadrit, ç’janë këto mbledhje urgjente komunistësh? “Unë s’di gjë, më thotë, se përse është, por më duket për një shqetësim”.
Unë ndjeva gjëmën. Në zyrë kisha dhe dy redaktorë të radio Tiranës. Pas pak ata i marrin në telefon nga redaksia dhe u thonë “mos lëvizni deri në orën 12.00!” Njëri prej tyre, i nxirë në fytyrë, më thotë menjëherë: “Ç’do të ketë ndodhur Ylli? Do të ketë vdekur shoku Enver. Asnjë shqetësim tjetër s’mund të jetë më i madh për Partinë”.


Pastaj gjithçka rrodhi vetë, si në shurdhërim e humbje ndjenje të plotë. I rashë telefonit. Zëra të zymtë, të rënduar. Përgjigja: “Ka ndodhur ajo që di edhe ti”.
Pastaj një vrap i marrë në Kombinat, me biçikletë, sepse në orën 10.00 mblidheshin organizatat bazë. Kudo njoftohej Partia.
Pritëm e pritëm, pastaj vjen shoqja Mine Guri, u mblodhëm tek zyra e Elvira Dushkut, drejtoreshë e Kombinatit.


Pastaj… lotë e qaj. Unë në fillim u përmbajta, por më pas u fsheha pas kurrizit të një shoku dhe qava pa zë.
Ika për në Kinoklub majë biçikletës. Më gjëmonte në vesh “Vdiq Lenini” e Majakovskit. Nga më erdhën gjithë ato vargje? S’e di. Kishin fjetur gati një jetë të tërë.


Në pallat, në korridor më priste trupa e estradës “Tipa nga bangat e shkollës”. Të heshtur, gati në lotë. Rrugës, në një “Aero”, një sekretare partie qante… Dhe unë, pas disa fjalëve si dolën me shfaqjen ua thashë, se sytë e tyre pyesnin, pyesnin. Dhe ngjita shkallët me rrëmbim…

Burimi: GSH.AL