Fillimet e shekullit 20-të u karakterizuan nga kryengritjet e shqiptarëve në të gjitha territoret e saj. Pa dyshim ndër më të njohurat janë ato të Veriut të Shqipërisë. Pikërisht më 1910 Shefqet Turgut Pasha shkon në Shkodër për të zbutur kryengritjet e Malësisë. Ishte koha e luftimeve të ashpra mes dukagjinasve dhe ushtrisë turke. Me në krye Dedë Gjo Lulin dhe Mehmet Shpendin do ngrihej flamuri në Bratile, në majë të Deçiqit. Kryengritja e vitit 1911 tronditi pushtimin Osman dhe në shtator të vitit 1912 do të plasë lufta ballkanike.

Në tetor të vitit 1912 Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë dhe trupat e tij kaluan kufirin mes dy shteteve. Trupat malazeze mësynë Shkodrën. Gjendja ishte tejet alarmante. Shqipëria ishte në prag të copëtimit të saj. Në këtë periudhë akute për kufijtë e Shqipërisë,10 mijë vullnetarë të Shqipërisë së mesme, të prirë nga gjenerali Esat Pashë Toptani hynë në qytet. Populli shkodran përballoi për 7 muaj rrethimin e ushtrisë së Malit të Zi dhe Serbisë, të cilët në luftën ballkanike që kishin nisur donin të aneksonin qytetin ndaj futën në burgje një grusht të madh patriotësh. Mbi kryeqendrën e Veriut u hodhën 36 mijë gjyle por Shkodra rezistonte…

Ishte koha kur Turqia ishte tronditur nga problemet e brendshme dhe fuqitë ballkanike, të ndihmuara nga diplomacia ruse vendosën të pushtojnë sa më shumë territore, me idenë që Konferenca e Ambasadorëve, që pritej në dhjetor të vendoste shtrirjen e kufijve të tyre në të gjithë tokat që kishte nën kontroll. Knjaz Nikolla, princ i Malit të Zi ishte vendosur në krye të trupave për t’i dhënë zemër ushtrisë. Në këtë kohë ministri turk i Luftës urdhëronte Hasan Riza Pashën që komandonte forcat turke në qytet që lufta kishte mbaruar dhe ai duhet të dorëzonte Shkodrën tek malazezët.

Përgjigjja e komandantit të qytetit erdhi më 24 dhjetor, ku ai shprehte bindjen e gjithë popullatës se ishin kundër dorëzimit dhe insistonin që qyteti të vazhdonte të mbrohej. Kryetari i Bashkisë Shkodër,  Gjylbegu, i lutej sulmuesve të mos sulmonin spitalet, qendrat e fëmijëve, kishat, xhamiat, konsullatat dhe qendrën, ku ishin vendosur gazetarët e huaj. Gjithashtu të lejonin hyrjen në qytet të ilaçeve dhe ushqimeve për diplomatët dhe për 13 gazetarët e huaj. Po ato ditë ai mori mesazhin që Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte njohur nga Fuqitë e Mëdha dhe Shkodra mund të mbrohej me flamurin shqiptar. Kjo do të ndihmonte që malësorët të organizoheshin më mirë dhe të ndihmonin në ruajtjen e territoreve shqiptare.

Çështja e Shkodrës u bë e njohur në gjithë Evropën për shkak të gazetarëve që ishin dislokuar në Shkodër dhe interesit që shteti i ri shqiptar kishte në qarqet europiane. Hasan Riza Pasha mori një mesazh direkt nga Kryeministri Shqiptar, Ismail Qemali, që e sqaronte se rezistenca në Shkodër ishte jetike për të ardhmen e qytetit dhe e ftonte ta mbronte nën flamurin shqiptar. Qytetin e mbuloi zia dhe predhat binin kudo. Të gjithë nuk besonin që qyteti mund të rezistonte derisa të vinin forca për ta mbrojtur nga e gjithë Shqipëria. Por qyteti rezistoi.  Edhe pse ushqimet me gjithë racionimin e bukës nuk gjendeshin më. Pjesa më e madhe e qytetit ishte kthyer në gërmadhë.

Pikërisht në këtë moment kaq drastik hyn në lojë Esat Pashë Toptani. Ministri i jashtëm i Malit të Zi dhe princi Danilo bisedoi me Esat Pashë Toptanin dhe u arrit në një marrëveshje, që qyteti të dorëzohej. Shkodra u dorëzua në orën 3 të mëngjezit më 23 prill 1913.

Konferenca e Ambasadorëve kishte bërë plane që Shkodra t’i kalonte malazezëve. Por në momentin më vendimtar Austro-Hungaria dhe Italia u kujtuan që ajo ishte qendra e katolicizmit shqiptar. Me ndihmën e Anglisë ata vendosën që qyteti t’i mbetej Shqipërisë. Edhe Cari i Rusisë nuk mund të ndërhynte ndaj këtij ultimatumi. Trupat serbe u tërhoqën ndërkohë që malazezët jo . U deshëm përsëri ndërhyrja e britanikëve dhe e qeverisë së re shqiptare që Shkodra të kthehej përsëri e lirë.

Pikërisht këtë moment të rëndësishëm historik përcjellin pamjet e ralla të videos që konica.al përcjell për ndjekësit e saj