Diku pas maleve Himalaja, jetonte një mbretëri e vogël, e cila udhëhiqej nga një mbret i urtë, i mençur dhe largpamës, por për fat të keq dergjej në shtrat nga sëmundja e gjatë. Duke ndjerë fundin e jetës, ai thirri djalin e tij të vetëm, i cili sapo kishte mbushur moshën e burrërisë, të cilit i tha:

“O bir! Unë ndjej se po jetoj ditët e mia të fundit dhe dua të jap një këshillë të vyer. Nëse rrethanat e jetës vijnë të tilla, saqë të neveritet jeta dhe nuk dëshiron të jetosh as dhe një ditë më shumë, shko tek shpella e errët pas pallatit mbretëror. Brenda në shpellë do të gjesh një litar të varur, gati për të varur veten dhe për të shpëtuar nga hallet e telashet.”

Akoma pa e mbaruar mirë fjalën e tij, mbreti mbylli sytë përgjithmonë.
Trashëgimtari i vetëm i mbretërisë dhe i pasurive, filloi të abuzojë me dëfrime dhe shpërdorime. Ai shoqërohej me shoqëri të keqe, për të cilët kushedi sa herë e kishte paralajmëruar i ati. Pas disa vitesh, mbreti i ri mbetet pa asnjë kacidhe dhe situata ekonomike në vend përkeqësohet. Sakaq, miqtë e braktisën dhe nuk shoqëroheshin më me të. Edhe miku më i ngushtë që kishte pasur, refuzoi ti japë qoftë dhe borxh.

Mbreti i ri dhe i përkëdhelur, i mësuar me të gjitha të mirat, e kishte të pamundur të ambjentohej me kushtet e vështira të jetës. Duke mos patur asnjë zgjidhje tjetër, atij iu kujtua porosia e babait. Me vete tha:
“Ahhh more baba. Po, do të shkoj tek shpella jote të var veten.” 
Dhe ashtu bëri. Vajti tek shpella e errët. Mezi gjeti litarin e varur, e vuri në qafë, ndërkohë që sytë i lëshuan disa pika loti të nxehtë. Mandej, ai hodhi veten në greminën aty pranë.

Por, a thua v diq?! A thua mbaroi gjithçka aty?! A ishte vërtet ai fundi i tij?!
Me tu hedhur për tu vetëvrarë, këmbët i prekën një vend të cekët, sakaq tërheqja e litarit bëri të shemben përtokë një deng parash e monedhash floriri. Përbri tyre, ai gjeti një letër nga i ati ku i shkruante:

“O bir! Tani besoj se e kupton se jeta e kësaj bote është plot shpresë dhe rreze drite, nëse shkund pluhurin që të ka mbuluar sytë dhe heq dorë nga shoqëria e keqe. Kjo është gjysma e pasurisë time, të cilën e pata fshehur për ty. Reflekto dhe hiq dorë nga shpërdorimi dhe ab uzimi!” /Akropoli i Ri