Nga Vepror Hasani

Një nga ndërtimet e para të themeluesit të qytetit të Korçës, Iljaz bej Mirahori, ishte dhe Rrobalarësja. Për të deri më sot nuk është shkruar asnjë fjalë e vetme. Rrobalarëset ndërtoheshin mbi një përrua, rrëke, burim apo lumë. Uji duhej të ishte i bollshëm dhe i rrjedhshëm. Korça kishte lumin e vet. Mbi këtë lumë u ndërtua rrobalarësja e Mirahorit. Ato ofronin shërbimin special të larjes së rrobave. Rrënjosnin te banorët kulturën e pastërtisë. U mësonin të fshehtat e higjenës. I bënin njerëzit të visheshin më bukur dhe shtëpitë t’i mbanin pastër në çdo kohë. I nxisnin të kujdeseshin për oborrin, rrugët dhe sofatet. Rrobalarëset përveç sapunit natyral përdornin aroma nga më të këndshmet që e bënin njeriun të ndihej mirë. Së paku e tillë ishte rrobalarësja e Mirahorit, e ndërtuar 500 vjet më parë.

Nga ndërtesa e rrobalarëses së Korçës ekziston vetëm një fotografi e vitit 1918. Fotoja nuk na jep pamjen e plotë të saj, por nga ajo që na ofrohet, kuptojmë se ndërtesa ka qenë e madhe, me mure të forta, e lartë, ndërtuar mbi lumë. Kuptohet gjithashtu që gjatë viteve të push, timit të Korçës (1912-1920), rrobalarësja nuk ka patur kujdesin e duhur. Rruga para saj është e rrënuar. Në të njëjtën gjendje është lënë edhe ura. Një grumbull gurësh të rrëzuar shëmtojnë ambientet e jashtme të saj. Megjithatë, pamja e rrobalarëses qarkullon si kartolinë, gjë që tregon se ndërtesa të tilla ose kanë qenë të pakta në Shqipëri, ose rrobalarësja e Mirahorit ka qenë jo vetëm e para në Shqipëri, por ndoshta dhe e vetmja. Kartolina synon prezantimin e një shërbimi të rrallë, jo për nga bukuria e ndërtesës, por për nga rëndësia që kishte në jetën e banorëve. Sot kjo ndërtesë nuk është më, kurse në botë rrobalarëset ruhen si trashëgimi historike

Në rrobalarësen e qytetit mund të vinte çdo grua për të larë veshjet e përditshme të njerëzve të familjes por edhe rroba të mëdha si qilima, sixhade, batanije, çarçafë, rrugica, shtresa e mbulesa të çdo lloji, pasi përveç ujë të bollshëm, hapësirës së përshtatshme, enëve të posaçme, ujit të ngrohtë, sapuneve natyrale, finjës me gjethe dafine etj, në rrobalarëse gjeje furrça, rrahëse rrobash, lopatëza për trazimin e tyre, kova, kapëse druri për nderje e deri te gjunjëzat – kutitë prej druri, të veshura nga brenda me rrobë të butë, – ku gratë vendosnin gjunjët kur lanin me dorë mbi një bordurë të pjerrët. Të paktën të tilla sende mbahen mend nga më të moshuarit të përdorura në qytetin e Korçës.

Por specialitetin e larjes së rrobave e kishin gratë që shërbenin aty kundrejt pagesës, dhe kryezonja (kështu quhej gruaja që kujdesej për rrobalarëset, e cila ishte gjithnjë nga fisi i mytevelinjve të Korçës, pasardhës të Mirahorit), të cilat dinin si mund të lahej bukur e mirë çdo lloj rrobe që nga pëlhurat deri te mëndafshi për të cilin përdorej sapun karafilash; si bëhej regjja në ujë, larja në avull dhe cilat ishin aromat më të këndshme që mund të përdoreshin për rrobat

Rrobalarësja ishte shërbim më i bukur e më special në jetën e njerëzve të qytetit të Korçës. Sapunet i prodhonin nga përzierja e hirit me vajin e qiparisit, ose nga përzierja e hirit të bardhë e të pastër me dhjamin e derrit, por llojet e sapuneve me bazë bimore ishin të shumta Në procese të veçanta të larjes përdorej uthulla, lëngu i limonit, soda e bukës, dhe kombinime të tjera natyrale. Rrobalarrësja bënte edhe hekurosjen.

Rrobalarësja kishte edhe një funksion tjetër: të detyronte të mbaje rrobat, shtëpinë oborrin, sofatin dhe rrugicën tënde sa më pastër. Rrobat që grumbulloheshin në rrobalarëse tregonin për çdo familje sa të pastra ishin. Gjithçka e tregonin çarçafët, këmishët, shtresat, mbulesat etj. Kjo duhet të ketë qenë kaq e vërtetë sa rrobalarëset me të parë këmishën e dinin se kujt i përkiste ajo. Në raset të tilla thashethmet ishin pa fund, gjë që nuk e dëshironte njeri t’i ndodhte kështu. Dëshira për t’u prezantuar sa më mirë nisi të bëhej gjithnjë e më e madhe, aq sa një ditë Korça u quajt nga Edit Durham qyteti më i pastër i Perandorisë turke, dhe kjo falë rrobalarëses se Mirahorit dhe kryezonjave, që u kujdesën për një qytet të pastër dhe njerëz të kollarisur.