Një nga rrëfimet më interesante të Tafil Boletinit, nip i Isa Boletinit, lidhet me rrugëtimin që ku i fundit pati drejt Vlorës. Në këto kujtime mund të identifikohet jo thjesht itenerari i ndjekur, por edhe lidhjet që xhaxhai i tij, kishte në zona të ndryshme të Shqipërisë së sotme me disa ndër patriotët më të njohur të kohës.

Takimi i parë ka qenë ai me parinë e Lumës, përmes Kolasjanit, me Cen Dacin, Ramadan Zaskocin e të tjerë, duke u drejtuar për në Kala të Dodës. Në katundin Ujmisht, Isa Boletini është ndalur tek Nezir Bajraktari e më pas tek Qazim Lika. Nga këtu ka rrugëtuar drejt Dibrës, tek miku i tij Elez Isufi, ku është takuar edhe me Mehmet Pashë Dërrallën, e më pas Shaqir Jegenin e Sefedin Pustinën.

Kjo pjesë e parë e takimeve lidhet me kryengritjen e madhe që u organizua në zonën e Lumës, ku ushtria serbe u thye ballë forcës së malësorëve shqiptarë. Kjo krahinë jo vetëm i theu mijëra e mijëra ushtarë serbë, por edhe u martirizua me rikthimin e tyre të mëpasshëm për t’u hakmarrë. Megjithatë Luma e kuqe siç u identifikua, nuk u përkul.

Ndërkohë gjatë rrugës për në Vlorë, konakun e parë siç shkruan Tafil Boletini, Isa e ka bërë në fshatin Borovë, të dytin në Rrapunik tek Salih Cota e të tretin në Elbasan.

Pikërisht këtu është takuar me dy figura të njohura siç ishin Aqif Pasha e Shefqet Vërlaci, të cilët e nderuan Isa Boletinin me një pritje popullore. Nga Elbasani grupi që udhëtonte drejt Vlorës ku bëhej gati shpallja e pavarësisë u drejtua për në Belsh e më pas në Lushnje ku para u ka dalë për t’i prirë Fejzullah Imshta.

Por vështirësitë e rrugës si pasojë e baltës, detyrimit për të kaluar lumenjtë e kështu me radhë i detyruan luftëtarët të ndalen në Fier, tek Sami Vrioni e Dervish Biçaku, ku të gjithë sëbashku siç shkruhet në veprën “Pranë Isa Boletinit”, shkuan tek Imer Pashë Vrioni. Pikërisht në këtë pikë Tafil Boletini jep një të dhënë thelbësore kur tregon se nga vonesa e madhe delegatët e Kosovës Isa Boletini, Zejnel Begolli, Mehmet Pashë Dërralla, Riza Gjakova, Dervish Mitrovica, Hasan Hyseni e Ajdin Draga, me qëndrim të prerë autorizuan Ismail Qemalin të ngrinte flamurin dhe të deklaronte pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë në 28 nëntor 1912.

Ata arritën në Vlorë në 29 nëntor 1912, pra të nesërmen e pavarësisë, ku u pritën nga banorë të shumtë të qytetit me një fjalim të mirëseardhjes të mbajtur nga Kristo Meksi.

Hyrja e Isa Boletinit dhe delegatëve të tjerë në Vlorë është dokumentuar me fotografinë e famshme të Petro Fotografit nga qyteti i Korçës. Padyshim që në arkivën e tij personale mund të ka patur edhe shumë të tjera, por shkatërrimi i negativëve të tij, mori me vete edhe këtë gjurmë kaq të rëndësishme historinë shqiptare./Shkoder.info