Fatmira Nikolli – Kur më 1927, në moshën 15-vjeçare, Sabiha Kasimati vinte për herë të parë në atdhe, nuk e dinte se ky udhëtim do ta shënjonte përgjithnjë jetën dhe vetë fundin tragjik të saj. Rruga e përshkuar me karvanët e kohës, tronditjet a frika e sulmeve, sot, duket se i paracaktoi fatin në dy dekadat e ardhshme, me gjurmët që la, e gjurmët që ju fshinë në vendin prej ku kishte rrënjët.

Ende adoleshente, e rritur në Adrianopojë (Turqi) ku kishte lindur në kohën që Shqipëria shpallte pavarësinë prej Perandorisë Osmane, asgjë prej saj, nuk të fliste për një vajzë të Orientit. I ati, Abdurrahmani, ishte mjek në zë, me lidhje të thella me elitën intelektuale e politike të shtetit shqiptar që rrekej të modernizohej.

Kasimatët u vendosën në Korçë dhe Sabihaja, si i vëllai, filloi Liceun Kombëtar. Në shkollën e njohur si Liceu Francez ajo mori mësime nga një staf i ardhur nga perëndimi, me mësues shqiptarë e frëngë, që përtej programit mësimor bazë me lëndë të shkencave ekzakte e shoqërore, orientonin edhe bazat e formimit të nxënësve si qytetarë. Niste që në atë moshë për Sabihanë, ndjekja e jetës kulturore dhe njëherësh njohja me lirinë e mendimit e veprimit.

E ardhur nga një familje e mirë, njohëse e disa gjuhëve të huaja, mes të cilave fliste rrjedhshëm frëngjishten, me bukurinë dhe ëmbëlsinë që përcillte portreti i saj, vajza e vetme e shkollës ishte e çlirët, çapkëne, e zgjuar dhe me rezultate të larta në mësime. Duke qenë një ndër të paktët institucione arsimore të kohës, mendohet se Sabihaja mund të jetë njohur aty, edhe me Enver Hoxhën që ka kryer të njëjtën shkollë e që vite më pas do të instalonte regjimin komunist në vend.

Pasi mbaroi Liceun, ajo filloi punë në Shkollën Amerikane të Kavajës më 1932, më pas u rikthye në Lice si mësuese e klasave të ulta, por për shkaqe shëndetësore e la shpejt dhe u punësua si mësuese e frëngjishtes në Tiranë në Institutin Femëror “Nana Mbretneshë”. Më 1936 Sabihanë e gjejmë në Torino të Italisë, ku ka nisur studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Biologjisë, me bursë nga shteti shqiptar. Natyra e saj dhe guximi për të ngritur zërin del herët në pah, kur si studente nënshkruante një kërkesë drejtuar Ministrisë shqiptare të Arsimit që t’u jepte mundësinë nënshtetasve të saj, të jepnin provime edhe në sezonin e vjeshtës, duke pasur parasysh problemet me gjuhën italiane e mungesën e teksteve. Punën e saj të parë shkencore, nëse mund ta llogarisim të tillë tezën e diplomës, ia kushton vendit të origjinës, nën titullin “Fauna Iktiologjike e ujërave të ëmbla të Shqipërisë”. Shqipëria e pushtuar nga fashistët gjatë kohës që ajo ishte në Torino vijon të jetë nën pushtim, kur Sabihaja kthehet nga studimet. Më 1941, është mësuese e shkencave, kimisë dhe higjienës në Shkollën Normale Femërore “Nana e Skënderbeut”. Dy vite më pas detyrohet të shkëputet për shkak të tuberkulozit dhe nis kurimin në Itali.

Por, para se të ikte, kishte hedhur hapin e parë, në formësimin e njërës prej ideve më të qenësishme si grua e shkencës. Ishte ftohtë në 12 janarin e 1943-it, kur mësuese Sabihaja takonte kryetarin e Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare, Ernest Koliqin, me të cilin njihej prej kur ajo ishte studente e ai ministër i Arsimit. I thoshte në vija të përgjithshme atë që më pas ia paraqiste përmes një projekti të detajuar në letër. Ajo propozonte krijimin e “një koleksioni zoologjik, tue filluar nga Dega e Iktiologjisë”, për të cilën kishte mbrojtur diplomën; përgatitjen e “një ‘erbario” mbasi flora shqiptare, ka provuar interesimin e botanistëve më të shquar, sidomos gjerman dhe t’Europës përgjithësisht” si edhe mbledhjen “në bashkëpunim me Drejtorinë e Minjereve pranë Ministrisë s’Ekonomisë, e llojeve të ndryshme të mineraleve dhe të fosileve që gjinden në shtresat e tokës në Shqipni”. Sabihaja i thoshte Koliqit se për këtë duhej një bibliotekë me vepra shkencore, bibliografinë e së cilës e kish bërë gati dhe se duhej ngritur edhe një laborator studimesh mikroskopike për kërkime shkencore. Duke kuptuar mangësitë shqiptare në këtë lami, vërente se “do të kishin një randësi të lartë nga pikëpamja gjuhësore… të caktoheshin njëherë e mirë në rast se nuk ekzistojnë emrat dhe termat teknikë shqipe, gjë që do të pasuronte mjaft gjuhën t’onë kombëtare”. Po ndërtonte një kështjellë në shkretëtirë. Dhe e dinte. Atëkohë ishte veçse 31 vjeçe, e re, e bukur, e zgjuar, elegante, e veshur me sqimë, e shkolluar, e formuar, ishte e bija e një mjeku, e ishte edhe motra e një mjeku, e një inxhinieri dhe një juristi. Ishte një grua e lirë, në një qytet që rrekej të linte pas fashistët, e të mësohej me nazistët. Por teksa në Tiranë gjëmonin armët, vizioni i saj shkencor e injoronte, a mbase më mirë e sfidonte luftën. Një muaj pas propozimit të saj, në messhkurtin e të njëjtit dimër, Instituti Mbretnuer i Studimeve vendos të ngrejë një muze të shkencave dhe ngarkon Sabihanë të merret me të. Ajo e nis punën me përshkrimin e materialeve që duheshin dhe librave për bibliotekën e muzeut. Ikja e pushtuesve, çlirimi i vendit dhe instalimi i një sistemi të ri politik nga fitimtarët e gjen atë të përkushtuar në kërkimin shkencor. Është në Institutin e Studimeve Shqiptare dhe më 1946 bashkë me Gjergj Komninon dhe grupin e drejtuar nga Eqrem Çabej, është marrë me skedat në gjuhën shqipe për termat e shkencave të natyrës. Është ende aty kur qeveria e re e riorganizon Institutin më 1947 dhe vë në themel të punës së tij ideologjinë marksiste- leniniste.

Dokumentet shteruese që kanë shqyrtuar studiueset Ledia Dushku dhe Doris Pasha për studimin mbi të cilin bazohet ky artikull, nuk japin të dhëna për raportet që ka pasur Kasimati me Institutin e Studimeve gjatë regjimit komunist. Prej tyre, kuptohet vetëm se nga qeveria e ardhur pas çlirimit nuk shiheshin me sy të mirë shtresat e intelektualëve të pasqaruar mbi pozicionin e tyre gjatë luftës, të shkolluarit në perëndim, ata që e kanë mbështetur pushtuesin ose ata që kanë qenë indiferentë, siç kishte qenë biologia Kasimati. Por nevoja për zhvillim ekonomik i jepte rëndësi shkencave të natyrës dhe Kasimati si e para iktiologe boton në “Buletinin e Shkencave” më 1948 artikullin “Probleme të peshkut dhe të peshkimit në vendin tonë”. Pasi jepte shumëllojshmërinë e peshqve, cilësitë e ujërave dhe mundësitë prodhuese të tyre, numëronte pa drojë për kohën edhe mangësitë e shumta, që nga varkat, transporti e konservimi. Veç anës kritike, studimi i Sabihasë ofronte edhe zgjidhje të mundshme duke propozuar që nga organizimi i peshkimit deri te përdorimi i mjeteve moderne a citimi i ligjeve ndërkombëtare. Janë të guximshme kritikat e saj të drejtpërdrejta, nëse kemi parasysh se regjimi i kohës, në vitet 1946-1947 e kishte treguar tashmë natyrën e tij hakmarrëse ndaj kundërshtarëve, madje vetë Sabihaja kishte njohur tronditjen e humbjes së miqve të afërt.

Me gjithë erën e frikës që ndjehej mes intelektualëve, ajo vijoi punën për përgatitjen e monografisë “Peshqit e Shqipërisë” siç mësohet nga plani i punës së Institutit të Shkencave. Më 1948 botimi i veprës u shty dhe Sabihaja vijoi ekspeditat për peshqit e ujërave të kripur në Shqipëri më 1949. Studimi u përfundua dhe u botua më 1950, siç del në dritë në të dhënat e Institutit të Shkencave dhe dokumentet e Sigurimit të Shtetit, por në mënyrë të pashpjegueshme, në ditët tona nuk ka mbërritur asnjë kopje e tij. Në raportin e bashkëpunëtores së Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Prurësja”, më 27 prill 1950, del që Kasimati i ka rrëfyer se “…Tash kemi shpënë në shtypshkronjë një broshurë për t’u botuar; është vepra ime, pjesën më të madhe më ka ndihmuar dhe Çabeu. Sot këtë broshurë vajta dhe e mora nga shtypshkronja. Ju thashë atyre se e kërkon Komisioni i Kontrollit…” Ndonëse ishte procedurë që të dënuarve nga regjimi ju ndalohej dhe ju bëhej vepra karton, për librin e mësipërm, nuk ka asnjë gjurmë as në skedat dhe dokumentacionin e Bibliotekës Kombëtare. Hipotezën e përhapur se studimi i Sabiha Kasimatit është përvetësuar dhe është botuar më 1958, me të njëjtin titull nën autorësinë e tre emrave të tjerë, studiueset Ledia Dushku dhe Doris Pasha e kanë gjetur të vështirë ta provojnë.

Shkollimi në Perëndim, origjina familjare, formimi liberal, natyra e guximshme dhe e çlirët për të thënë hapur mendimin e saj kritik qoftë ky në kundërshtim me propagandën e shtuar të regjimit, rrethi i njerëzve me të cilët shoqërohej disa prej të cilëve me të afërm në burgje, besohet se ishin arsyet që e vendosën Sabiha Kasimatin në vëzhgimin e Sigurimit të Shtetit. Por sa i takon kohës që filloi përndjekja, sa zgjati dhe çfarë e përcaktoi vendimin për të, ka shumë pikëpyetje. Dritëhijet janë të mëdha duke qenë se në Arkivin e Sigurimit nuk është gjetur një dosje me emrin e saj dhe të dhënat për Sabihanë janë marrë nga dosjet e atyre me të cilët ajo shoqërohej. Në raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, ajo shfaqej kritike ndaj reformave të qeverisë, politikave të ndjekura, varfërisë dhe e shprehte hapur pakënaqësinë ndaj pushtetit, medias së kontrolluar prej tij madje edhe fjalimeve të mbajtura nga një njeri i pushtetshëm si gjeneral Mehmet Shehu mbi moralin e të rinjve.

“Shtypi dhe radjo thonë se amerikanët i ushqejnë t’arratisunit me mish kali, por ky i këtyre kutive këtej ça është vallë? Se neve nuk i kemi as këto. Rrallë na bie t’i kemi, edhe këto me ndërmjetësinë e miqvet tonë”, shprehej ajo sipas raportit të spiunes. Sabihaja e kritikonte regjimin më 1950 me të njëjtën gjuhë që mund ta bëjë dikush sot në liri, kur thoshte “udhëheqësit tanë kur duanë të venë ndonjë tjetër në Komitetin Qëndror që e kanë më të besimit, heqin ndonji që e kanë pasur… I venë ca akuza të kota, në qoftë se ay i ka zbatuar, prapë me urdhërin e tyre i ka zbatuar”. Janë të guximshme për kohën sa mendimet edhe qëndrimet e saj, kur rezulton se Kasimati ishte në dijeni të mënyrës se si pushteti vepronte me qytetarët. “Prurësja” e zgjedhur nga Sigurimi ta ndiqte raportonte se Kasimati “takohet me kaptera dhe gra të cilat kanë burrat kriminelë me damkë”. Në raportin zyrtar për Institutin e Shkencave në 3 shtatorin e 1950-ës, Sabiha Kasimati përshkruhej se “as politikisht as ideologjikisht” nuk kishte gjë të përbashkët me sistemin dhe madje shihej se as që mund të korrigjohej. Ishte koha që iluministët francezë zëvendësoheshin me Marksin.

Por vrojtimit disavjeçar i vjen fundi. Më 20 shkurt 1951, pas vënies së bombës në Legatën Sovjetike, Sabihaja do të arrestohej bashkë me 21 intelektualë të tjerë të akuzuar për sulm terrorist. Dosja hetimore i numëronte disa ‘mëkate’: “gjatë okupacionit ka pasur marrëdhënie me elementë fashistë, shqiptarë e italianë. Mban qëndrim armiqësor ndaj pushtetit, flet kundër reformave dhe mban kontakte me elementë armiq…. Ka pasur kontakt me deputetin anglez Lester Hutchiston. Ka mbajtur kontakte me njerëz të misionit anglez… dhe me J.S.Payne me të cilin ka pasur lidhje të ngushta. Armike e betuar e pushtetit të sotëm. Ka urrejtje karshi tij dhe sidomos karshi komunistëve, kritikon moralin komunist etj”.

Procesverbali i mbajtur nga Gjykata Ushtarake, pretendon se Kasimati e ka pranuar një pjesë të akuzave dhe ajo citohet të ketë thënë: “Kam qenë kundra pushtetit popullor sepse nuk përputhet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit, që me akte revolucionare të arrihet në komunizëm, jam lidhur me një grup shokësh te cilët edhe ata kanë qenë armiq të partisë Komuniste. Ndër shokët e grupit tim ka pasur edhe njerëz që mendonin se duhet të hidheshin në aksione kundër pushtetit. Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as që kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje, ku është marrë vendim për akte terroriste. Ka bërë vaki që të kem folur se një luftë e re është e paevitueshme dhe se kjo është në interes të popullit shqiptar”. Një javë pas arrestimit, Sabihaja dhe 21 intelektualët e tjerë ekzekutohen, pa ju dhënë mundësia të kundërshtojnë vendimin. Studiuesit e vënë në dyshim procesin hetimor dhe kanë arritur në përfundimin se janë falsifikuar procesverbalet nga Gjykata Ushtarake, pas ekzekutimit pa gjyq të 22 pafajshmëve, mes të cilëve edhe Sabihaja.

Vetëm një javë e përcolli nga jeta në liri drejt vdekjes. Ajo ende nuk i kishte mbushur 39 vjeçe, kur ia prenë jetën në mes. Familjarët besojnë se u vra ngaqë në një letër dërguar Enver Hoxhës, ose në një takim me të, e ka kritikuar për qeverisjen dhe se qe pikërisht ai që ia vuri emrin në listën e atyre që duheshin ekzekutuar. Megjithëse janë konsultuar me të gjitha arkivat e vendit, Ledia Dushku dhe Doris Pasha, mbi studimin e të cilave bazohet ky artikull, nuk kanë gjetur një dokument që vërteton një letër të tillë. Familjarët kanë rrëfyer edhe se një zyrtar i lartë komunist, mik i saj, e kish ftuar në kafe për ta këshilluar “duhet të mbyllësh gojën jo me karficë, por me babushkë…” Rrëfimet nuk mjaftojnë për të kuptuar çfarë ka menduar, çfarë ka dashur të bëjë, sa i ka dhembur dhe si e ka luftuar kohën.

Në fund të një studimi që ka shfrytëzuar disa burime, e vetmja gjë që mund të thuhet, është se Shqipëria komuniste nuk kishte vend për një grua të lirë, që kishte qenë indiferente gjatë luftës e që ishte kritike pas luftës, për atë që po bëhej atdheu i saj. Vajza që dikur kishte lënë Turqinë e mandej Italinë për të bërë muze shkencash e studime shkencore, qe tepër e lirë për ta lejuar të jepte shembullin e saj në Tiranën që kërkonte një tjetër model të gruas komuniste. Vajza e re që erdhi e strukur në krahët e të atit, nuk u la të thinjej. Mbeti përjetësisht e re me pengjet e atyre që nuk e lanë t’i bënte. 40 vite pas vdekjes, kur regjimi po shkërmoqej, një vendim i Gjykatës së Lartë e shpalli të pafajshme. Sot, “Nder i Kombit”, 67 vite pas natës kur zëri u saj u shua përgjithnjë duke lënë pas heshtje, pikëpyetje e barrën e dhimbjes, një godinë e gjelbër në rrugën e Tregut Elektrik në kryeqytet, mban në ballinë emrin e saj. Në krah të majtë të derës, një kënd kujtese shfaq portretin e saj me një buzëqeshje të ndalur në kohë. Duket sikur amaneti i Sabihasë ka marrë jetë, por tanimë duke i njohur meritën. Për të “evolucioni është në natyrën e gjërave” dhe koha provoi se kishte të drejtë.

Burimi: Gazeta Shqiptare