Nisur, nxitur nga pesë-gjashtë fotografi po bëj këtë vështrim. Pse këto fotografi edhe sot për mua janë kaq intriguese? Pse ato janë mbajtur të fshehta deri tani?
Këto fotografi historike janë shkrepur në Shkodër në shkurtin e vitit 1938. Aty janë takuar Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni) dhe Lasgush Poradeci me At Gjergj Fishtën dhe Ernest Koliqin.

Nderimin Shkodra veçanërisht po ia bënte Asdrenit. Ai ishte pritur ftohtë nga Tirana zyrtare më 1937, kur u kthye nga Bukureshti për festimin e 25 vjetorit të Pavarësisë. Edhe më parë (1914) Asdreni pati mbetur i zhgënjyer nga pritshmëritë prej vendit të tij.
Shoqata “Rozafa” i ka ftuar për t’i respektuar poetët “toskë”, poetin, veteranin “plak” Aleks Stavre Drenova, poetin e Himnit të Flamurit, dhe Lasgushin, yllin e ri poetik të kohës. Ka dalë banda në rrugët e qytetit për t’i përshëndetur.

Pritja gala, siç thuhet sot, është dhënë në kinema “Rozafa”. Fishta aty ka mbajtur një fjalim mjeshtëror për Asdrenin. Ishin të dy veteranë në zë të çështjes kombëtare, të dy poetë të shquar. Për moshën që kishin, Asdreni 56 dhe Fishta 57 vjeç, atëherë konsideroheshin “poetët pleq”.
Asdrenin, fjalimi i Fishtës e ka mallëngjyer, sa e ka përqafur vëllain shkodran, pa patur gojë të flasë. Salla ka shpërthyer, nuk i ka përmbajtur emocionet.

Pastaj recitime nga nxënësit, këngë, pjesë operistike nga këngëtarja Tefta Tashko dhe pianistja Lola Aleksi, të dyja mysafire, po ashtu, të Shoqërisë ‘Rozafa’.
Festa ka zgjatur pesë ditë. Profesorët e gjimnazit të Shkodrës u kanë dhënë pritje pune me çaj dhe me verë poetëve.

Ngjarja ka pasur jehonë në shtypin më prestigjoz të kohës.
Është një eveniment për të cilin sot meriton të shkruhet një libër. Libër nga një historian i letërsisë. Me analiza për kuadrin politik dhe artistik kur ndodhi ngjarja, me analiza për personazhet, të cilët atëherë me të drejtë quheshin yjet e Parnasit shqiptar, yjet më të ndritshëm të letërsisë, të artit shqiptar.

Disa prej tyre mbase takohen me njëri-tjetrin për herë të fundit.
Fishta, lindur më 1871, vdiq mbas dy vjetësh, më 30 dhjetor 1940. Botimi i shumë veprave, sidomos botimi përfundimtar i ‘Lahuta e malcisë’, 1937, e renditën atë ndër poetët më sublimë të shqiptarëve.
Asdreni lindur më 1872, vdiq më 1947. Botimi i poezive te “Psalme murgu’, 1930, një libër me emër në poezisë shqipe, e bënë Asdrenin modernizues të poezisë sonë, poet që e kapërcyeu romantizmin, për të zënë vend në modernitet.

Por…Asdreni ishte dhe mbase edhe sot, edhe sot…ka mbetur një poet “syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur”.
Nga atdheu i vetë, Shqipëria, Asdreni mbase nuk është respektuar më shumë sesa në ato ditë në Shkodër, në ditët e messhkurtit 1938. Ai ka punuar në përfaqësinë diplomatike shqiptare në Rumani. Mbas vitit 1939 mbeti pa punë. Pa të ardhura, pa familje…
Lasgushi, lindur më 1898, ishte 40 vjeç më 1938. Me botimin e librit ‘Ylli i zemrës’, 1937, ai zuri vend të paluajtshëm në letrat shqipe. Jetoi edhe gati 50 vjet më pas, vdiq më 1987.

Shkrimtari më i ri në këto fotografi, 35 vjeç, është Ernest Koliqi. Librat e tij me tregime ‘Hija e maleve’,1929, dhe ‘Tregtar flamujsh’,1935, “Pasqyrat e narcizit”,1937, e bëjnë atë ndër themeluesit e prozës moderne shqipe.
Në këto fotografi Ernest Koliqi ngjan më energjiku, personi më me siguri dhe vetëbesim. Ai ndihet më autoritari në të gjitha fotografitë që vijnë nga ato ditë. Dhe kishte të drejtë të ndjehej kështu. (Nuk ishte, siç thonë, ministër arsimi më 1938). Kishte mbaruar universitetin e Padovës më 1937, ishte lauruar me tezën Epika popullore shqiptare (Epica popolare albanese). Ndërkohë kishte punuar si pedagog i gjuhës shqipe në atë universitet. Ishte i njohur si albanolog nga rrethet shkencore jashtë vendit.
Por… Pas Asdrenit, vdekur në Bukuresht, vdekur pa pension, në skamje, i braktisur nga shteti i tij, jetën më dramatike e pati Ernest Koliqi.

Ernest Koliqi ishte një i pajisur me shumë talente: poet, fletorar, tregimtar, romancier, dramaturg, eseist, përkthyes, hartues antologjish e monografish, pedagog, politikan… por rrethanat politike të kohës bënë që ai të anatemohej në gjallje nga vendi i tij. Ai i ruajti fuqitë krijuese deri në fund të jetës. Kontributet e tij janë me vlerë edhe për sot. Vdiq në Romë më 1975.
Si ndodhi që mbas kësaj pritjeje kaq bujare nga Shkodra, pas kësaj njohjeje e fotografimi nga afër me Koliqin, Asdreni i kthyer në Tiranë më 1939, kur Koliqi ishte ministër arsimi, prapë mbeti i zhgënjyer? Pse ai iku pa kthim më në të prapë nga vendlindja e tij?

Lasgushi e Koliqi kanë qenë ziliqarë me njëri-tjetrin. Siç thonë. Koliqi dhe në Shkodër është miqësor me Lasgushin, dhe kur ka qenë ministër arsimi, dhe kur qe drejtor i Institutit të Shkencave (1939-43) Lasgushin e ka sajdisur me vende pune të respektueshme. Lasgushi nga fundi i jetës ka shkruar një poemë kundër Koliqit. Si ka ndodhur?
Duhet një libër për të na dhënë një kuadër të plotë të marrëdhënieve artistike në ato vite. Për këtë duhet të presim.

Dua ta mbyll me një përshtypje të luksit dhe të elegancës që buron nga këto fotografi të viteve ’30 të shekullit që shkoi. Shqipëria e atyre viteve, pavarësisht varfërisë në masë, ka pasur një elitë me referenca evropiane të spikatura. Kjo shpallet qoftë dhe në katër-pesë fotografi… Është një veshje e klasit dhe modës së lartë për kohën. Shkodra e ‘Kafes së Madhe’ e kinema ‘Rozafës’, Shkodra e mjediseve intelektuale shndërrit në një ceremonial që flet për një rreth njerëzish të ditur, të respektuar dhe të kujdesur për anën formale të paraqitjes, aq domosdoshme në evenimentet me rëndësi.

Burimi: Alb-Spirit.com