Nga Leonard Veizi

Njëri prej tyre, ndër 12 filmat me metrazh të gjatë që ai ka prodhuar si regjisor, është padyshim emblemë e kinemasë Shqiptare. “Koncert në vitin 1936” dhe sot, 35 vjet pasi është shfaqur për herë të parë, ka shumë mesazhe për të thënë. Ndërsa ai, ka ditur që nëpërmjet një kohë të “harruar” të fshikullojë problemet që shfaqen gjithmonë në administratën apo politikën shqiptare sado që ndryshojnë kohët. Duke kujtuar punën e tij në vitet e një censure të egër, ku më së shumti nuk duhet të bëjë atë që kishe ndër mend, Saimir Kumbaro, regjisori i njohur, si i filmit artistik po aq edhe i atij dokumentar, thotë:

Të punoje në Kinostudio, ishte privilegj. Mund të krijoje edhe për vete, apo ishe një artist i monitoruar në gjithçka?

Sigurisht që ishte privilegj, madje privilegj i madh. Megjithatë ç’do gjë ishte nën kontroll. Unë kam filluar punë më 3 janar 1970. Fillimisht si asistent regjisor, por më është dhënë mundësia të realizoja disa kronika dhe dokumentarë mbi çështjet sociale dhe kulturore. Në atë  kohë dominonte shkolla ruse për shkak se dokumentaristët kishin studiuar atje.

Cila ishte teknika e realizimit të filmave?

Ne xhironim me teknologji të prapambetur. Kamerat ishin “Ariflex” dhe bënin zhurmë. Çdo gjë dublohej. Për të marrë një intervistë me zë të pastër duhej të mbuloje kamerën me batanije. Për më tepër çdo gjë censurohej. Më kujtohet kur realizova një dokumentar në Kavajë, ku në qendër ishte një grup fëmijësh 5-6 vjeçarë që shërbenin si guidë në fabrikën e qelqit apo të baltës. Dokumentari u pa   nga Mehmet Shehu, i cili i tërhoqi vëmendjen drejtorit të asaj kohe: “Përse i keni lyer buzët e fëmijëve me të kuq?” Shkak i buzëkuqit qe cilësia e pelikulës (orwo), një prodhim gjermano-lindor që merrej me klering. Po të mos ishte cilësia e filmit do më kishin dënuar.

Ishit të mbikëqyrur?

Jo vetëm unë, por shumë krijues të kinostudios survejoheshin nga Sigurimi i Shtetit. Unë kam qenë i shkathët, pak llafazan, por si i thonë fjalës “qesh e ngjesh”.

Tematika e filmave tuaj ka të bëjë me 4 periudha të historisë shqiptare; pasqyrimi i Mbretërisë, i Luftës së Dytë, i Realizmit Socialist dhe i viteve të Demokracisë. Në cilët nga këto pasqyrime artistike keni ndjerë se keni dhënë maksimumin tuaj?

Për katër vjet punova si asistent, derisa fati deshi që bashkë me Rikard Ljarjen të na besohej filmi i parë i metrazhit të gjatë, “Rrugicat që kërkonin diell”. Filmi u pëlqye dhe ne na nderuan fillimisht me kupën e festivalit. Por doli që kompozitori kish kopjuar disa nota nga filmi francez “Çështja Sabiel”. Vendimi i jurisë u anulua dhe ne na dhanë çmimin: “Regjia më e mirë e festivalit”. Në këtë periudhë u ndaluan pothuaj të gjithë filmat e huaj.

Kjo gjë na dha mundësinë të realizonim ç’do dy, tre vjet një film. Ky qe fat për ne të rinjtë, për arsye se nën direktivën e partisë, patëm mundësi të punonim në film. Asokohe u dha urdhër të realizoheshin deri 14 filma të metrazhit të gjatë. Kinostudio me administratën e saj, bënte punën e producentit dhe kështu, ne nuk e vrisnim mendjen se sa kushtonte filmi. Kemi punuar me pasion seriozitet dhe modesti.

Ne punonim, ndërsa qeveria bënte sikur  na paguante… Sidoqoftë, pasioni triumfonte mbi lakminë për fitim. Direktiva e partisë ku ne na cilësonin ndihmës të saj u përqendrua tek filmat historikë të Luftës Nacional Çlirimtare. Duhej të vinte viti 1978, që të realizoja filmin “Koncert në vitin ‘36” me skenar të Kiço Blushit. Si pjesë e propagandës duhej që mbretëria të diskreditohej.

Vendosja e ngjarjeve në kohën e mbretit më shërbeu të them disa gjëra që ndesheshin edhe në kohën e socializmit. Në fakt, vendosja në atë periudhë, bëri që filmi t’i shpëtoj censurës së egër të Komitetit Qëndror dhe filmi u shfaq me sukses.

Pseudo intelektualët e tipit Fotaqi (Robert Ndrenika në rolin e tij) ndesheshin kudo, në Ministrinë e Kulturës e gjetkë. Është ky shkaku që mesazhi universal i filmit vjen i freskët, ende edhe sot. Po kështu edhe komedia “Historiani dhe Kameleonet” godiste dukuritë hipokrite të kohës që jetonim. Në atë kohë kur tolloni mbizotëronte një delegacion shkoi në Meksikë për të marrë çmimin e parë të ushqimit. Mënyra më e mirë për t’i shpëtuar censurës qe zhvendosja në kohë.

Fatkeqësisht filmi nuk i shpëtoi censurës. Ai ju nënshtrua operacioneve që kur e shoh sot me vjen keq. Të njëjtin fat pësoi edhe filmi “Nxënësit e klasës time” me skenar të Kiço Blushit. Disa servilë të partishëm më hapën probleme duke thënë: “I ke vënë personazhit që përfaqëson pushtetin kasketën që përdor shoku Enver”. “I ke vënë personazhit pas kurrizit bustin e shokut Enver”. Në fakt qëllimisht ia kisha vënë. Edhe ky film iu nënshtrua operacioneve.

Patët probleme?

Edhe mund të kisha. Megjithatë dikush më mbronte. Në atë kohë shef i redaksisë ka qenë Neshat Tozaj me të cilin  pata realizuar filmin “Gëzhoja e Vjetër” dhe “Gracka”.

Dy filmat që sapo përmendët, a ishin të vështirë për t’u trajtuar dhe sa ndërhynin drejtuesit e lartë të Ministrisë së Brendshme në filmat me tematikë nga puna e Sigurimit të Shtetit?

Në fakt i pari “Gëzhoja e Vjetër” ishte me subjekt policor, ndërsa i dyti “Gracka”, aksion me subjekt nga Sigurimi i Shtetit. Neshati e ndërroi nja tre herë skenarin për shkak të arrestimeve që ndodhën pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Duhet thënë se Shehu dhe Hazbiu kanë qenë figura historike në radiolojën “Liqeni i Vajkalit” nga ku Tozaj mori shkas për skenarin. Kështu që edhe “Gracka” që në skenar pësoi cënime dramaturgjike për shkak të censurës. Pas këtyre filmave realizova, të tjerë me subjekte aktuale si “Gjurmë në Kaltërsi”, “Rrethimi i Vogël”.

Çfarë ndryshoi tek “Vd ekja e kalit” krahasimisht me filmat e tjerë?

Në vitin 1991 fillova të realizoj filmin “Vd ekja e kalit” me skenar të Nexhati Tafës. Filmi u xhirua kryesisht gjatë agonisë së PPSH-së dhe distribucioni i tij u bë i mundur pas ndërrimit të sistemit. Asnjë censurë, asnjë ndërhyrje, vërejtje apo rixhirim.

Finalen e kam shkruar vetë. Ngjarjet e asaj kohe më detyruan të shtoj finalen e filmit, ku dy armiqtë takohen. Skenografi i filmit, Arben Basha, shok i fëmijërisë time, vuri re një detaj. Në parlamentin e atyre viteve kishte shumë anëtarë partie. M’u afrua dhe më sugjeroi të shtoja në skenar një skenë ku ky fenomen goditej. Me drejtorin e fotografisë, Bardhyl Martiniani u ulëm dhe realizuam atë finale që flet shumë.

Industria e filmit

Duke folur për institucionin e filmit të pas viteve ‘90 Saimir Kumbario thotë: “Kinostudio nuk mund të vazhdonte të mbahej nga shteti: ishim rreth 700 punonjës dhe teknologjia ndryshoi, kështu që mbajtja e saj nga shteti përbënte një luks. Një gjë mund të bëhej: sikur të aprovohej një ligj, i cili t’i detyronte televizionet të transmetonin deri 60% vepra shqiptare dhe të ndalohej pirateria e filmave të huaj, si pasojë gjërat do qenë ndryshe… do shpëtonim shumë krijime me vlerë, do shpëtohej piroteknika dhe armatimi, që përdoreshin për filmat e luftës, rekuizita dhe kostumeria. Hapësirat e tjera të Kinostudios tanimë janë kthyer në shërbim të televizioneve. …“Na ishte njëherë Kinostudio”, madje kanë bërë edhe reportazhe me këtë titull… Ne e paskemi të vështirë të ruajmë traditën, trashëgiminë kulturore, të Mirën!”

Historitë e vjetra, në dritën e dokumentarëve

Ai është një regjisor, i cili i ka gjetur vetes gjithmonë punë, vitet e fundit, me seriale dokumentarësh. Duke iu referuar viteve të punës në tranzicion regjisori Saimir Kumbaro thotë: “Gjatë tranzicionit të stërgjatë jam marrë kryesisht me dokumentarë dhe reportazhe. Mes të tjerash ka qenë një projekt i “IREX” me subjekte të ndryshme nga jeta urbane në Shqipëri. Qe një projekt ku evidentoheshin vlerat e njerëzve tanë.

Më në fund duhej të vinte viti 2007 që unë të realizoja filmin “Ne dhe Lenini”. Komedi dramatike, ku nëpërmjet satirës kritikohen persona që duan të përfitojnë në mënyrë të pandershme. Më pas kam realizuar dokumentarë të ndryshëm, ku më të spikaturit janë: “Shërbestari i Kombit” për figurën e Mit’hat Frashërit dhe “Martirët”, dokumentarë historikë. Mendoj se dokumentarët historikë janë të domosdoshëm.

Ajo që më shqetëson aktualisht është pirateria që bëjnë televizionet. Ky fenomen  negativ ka bërë që krijuesit të dalin jashtë loje. Shpresoj që më në fund shikuesit shqiptar t’i kthehet jeta e përditshme, problemet me të cilat përballen dhe historia që kalon e ka kaluar. Uroj që qeveria të mendojë edhe për filmin televiziv serial, teatrin në ekran, edukimin e fëmijëve me vlerat pozitive që i kemi, por nuk kemi mundësi financiare t’i demonstrojmë nëpërmjet artit.

Edhe një gjë që nuk mund të rri pa e thënë, është mbivlerësimi që kryeministri ynë i bën artistëve që banojnë jashtë vendit. Mirë bën që i falënderon dhe nxit, por para tyre duhet të vlerësojë ata që jetojnë në territorin e Shqipërisë. Ata që për njëzet vjet po hanë pluhur e baltë, që kanë parë dhe dëgjuar krismat e 97-s. Sipas vlerësimit që bën kryeministri ynë i bie që edhe unë të kërkoj të importojmë një kryeministër francez, grek apo gjerman. Me një fjalë një princ Vid bashkëkohor”.

Përplasja me Foto Çamin e Xhelil Gjonin

Në vitin 1990, Saimir Kumbaro ashtu si dhe disa krijues të tjerë të Kinostudios u bënë protagonistët e “kryqëzimit” të të dërguarit të Byrosë Politike, më pas të Foto Çamit. Përplasjet vazhduan në një mbledhje, ku u bënë shumë pyetje të cilat nuk morën përgjigje. Ja çfarë kujton ai nga ajo mbledhje: “Para ndërrimit të sistemit, kur unë përgatita në letër filmin “Vd ekja e Kalit” ndodhën shumë ngjarje. Të paktën pesë mijë vetë hynë nëpër ambasada.

Kjo ngjarje ndodhi pas veprimit të familjes Popa, që guxoi të kërkonte strehim politik në ambasadën italiane. Ilir Demalia, në atë kohë tregonte lart e poshtë një barcoletë që na frikësonte: “Gjashtë vetë hanë e pinë, gjashtëqind të tjerë thajnë e ngrijnë”. E kish fjalën për sigurimsat që kishin rrethuar ambasadën. Pastaj erdhi radha e demonstratës tek sheshi “Skënderbej”.

U bë zhurmë se Iliri, Reiz Çiço, Hektor Pustina, Besim Kurti, Ylli Beqiri e ndonjë tjetër që mund t’ia kem harruar emrin, akuzoheshin si pjesëmarrës në demonstratë. Sekretari i Komitetit të Partisë P.L. erdhi t’u bëjë gjyqin. Mbledhja degjeneroi. Kjo ndodhi në mars, në s’gaboj. Pastaj në korrik 1990 ndodhi ngjarja e ambasadave. Punonjësit e kinostudios e kishin trembur deri diku frikën. Partia dërgoi Foto Çamin, por ai e pa veten keq se, njerëzit tashmë nuk kishin më frikë.

Gjatë mbledhjes u ngritën dhe diskutuan shumë krijues dhe teknikë, ku kritikuan veprimet e komunistëve të udhëheqjes. Nejse, për këtë është shkruar dhe stërshkruar disa herë dhe nuk më pëlqen të kujtoj një kohë tmerri. Xhelil Gjoni na detyroi të firmosnim për të dalë në një miting famëkeq, ku në sheshin “Skënderbej” u shanë dhe u stërshanë ata që kishin guxuar të hynin nëpër ambasada. Pothuaj të gjithë ishim dakord me veprimet e guximtarëve.”

Realizmi socialist

“Gjatë periudhës ku shtetin e drejtonte Enver Hoxha, u ndaluan në përgjithësi filmat e huaj. Qeveria komuniste dha urdhër të shtohej prodhimi vendas. Nga rreth 240 filma të metrazhit të gjatë, për mendimin tim, shumë pak kanë vlera. Sipas meje, e keqja qëndron në faktin, sepse ende sot televizionet mbahen me krijimtarinë kinematografike  të para një shekulli. Në filmat tanë himnizohet komunizmi, sekretari i partisë, heroi i punës socialiste etj. Nuk jam kundër shfaqjes së tyre, por para shfaqjes së filmit duhet bërë një bisedë me autorët, të cilët t’i bëjnë të ditur rinisë së sotme kontekstin, në ç’rrethana janë xhiruar ato filma”, thotë regjisori, Saimir Kumbaro.

Publikuar në gazetën SHEKULLI më 17.12.2013