Nga Andreas Dushi

Në revistën “Zani i Naltë”, Viti III, nr. 8, fq. 50 lexojmë një pohim që prof. dr. Njazi Kazazi bën për Sami Frashërin ku thotë: Sami Frashëri ka hyrë në historinë e kulturës shqiptare jo vetëm si ideolog, enciklopedist, përkthyes, erudit, filozof e sociolog, por edhe si pedagog, didakt dhe autor tekstesh shkollore. Në librin “Portrete të shquara” botuar sivjet, autori shkon edhe më tej kur thotë: Tashmë janë të njohura idetë e tij për zhvillimin e arsimit kombëtar, hapjen e shkollave dhe deri tek universitet shqiptare…

Rëndësia, roli dhe funksioni i Samiut për shkollat shprehet në një pjesë të krijimeve të tij, veçanërisht në librin “Emsalet” që do të thotë “Fjalët e Urta”, botuar në vitin 1879. Ai është i pari shqiptar që thotë se nuk ka jetë njerëzore pa arsim dhe fëmija duhet të marrë mësim para se të bëhet 7 vjeç dhe edukimi i tij duhet të fillojë ditën që lind.

Me këto radhë, ai tregon domosdoshmërinë që ndjente nga nevoja për arsim si dhe moshën në të cilën arsimi duhet të fillonte. Ai, ndryshe nga koha kur jetoi, dallon qartësisht edukimin nga arsimi duke thënë se edukimi fillon qysh në lindje, çka nënkupton nga familja, ndërsa arsimi disa kohë më vonë.

Në kryeveprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, Sami Frashëri paraqet idenë e tij për një sistem i cili nuk përfshinte vetëm arsimin bazë që lidhej me shkrim, këndim dhe aritmetikë të thjeshtë, por vazhdon më tej deri në specializimet në fusha të caktuara, çka do të thotë çelja e universiteteve dhe ndjekja e tyre nga shqiptarët.

Sipas tij, Universitetet duhet të ndiqnin parimet e Rilindjes Kombëtare, të dhëna në po të njëjtën vepër e cila për dekada me radhë u kthye në lajmotiv të lëvizjeve kombëtare për liri dhe mëvetësi.

Me idetë e tija, Frashëri thuajse një shekull para universitetit të parë, tregoi benefitet që ky i fundit do t’i sillte shoqërisë si dhe nevojnë që shoqëria ka për të.

Burimi: Konica.al