Njeriu që i dha drejtim frymës së kohës, me kredo në gjendjen e edukimit të artit nëpërmjet filtrit të së vertetës dhe kënaqësisë. Njeriu që i bëri të gjithë për vete me urtësinë që e karakterizonte; zërin dhe sytë e paqtë.

Aleksandër Prosi, njeriu që i dhuroi i pari teatrit ndërsjelljen gjegjëse të gjëndjeve: planeve logjike dhe monologjeve të brendshme.

Udha për te njeriu është e vështirë, por Sandri e gjeti shtegun për të mbetur i pavdekshëm tek të gjithë vdekatarët.  Ai kristalizoi individualitetin e tij të spikatur në mbi 100 role. Gama e gjerë e personazheve të cilat ai jetëzoi kanë mbetur aty; jo vetëm në arkivën e artë të Teatrit Kombëtar, por dhe në sirtarin sekret të kujtesës sonë emocionale.

Në shënimet e tij të fëmijërisë, shkruante: ‘’Më pëlqen të ndjek filmat. I adhuroj! Sidomos ato të Charlie Chaplin. Më pëlqen shumë kinemaja. Ëndërroj të bëhem violinist…’’

Lindur në Shkodër më 1920. Pas mbarimit të gjimnazit në Tiranë nga ku merr dhe pjesë në dramën ‘’Vilhem Teli’’, do të shkonte në Austri për të ndjekur studimet për  stomatologji. Por duket se i la në gjysmë, për të përfunduar atë çka donte: Artin.

Ndaj dhe kthehet për të marrë pjesë në konkursin që asokohe mbahej në Teatrin Popullor më 1947 dhe e fiton atë, për të nisur kështu me  përgjegjshmëri profesionin e aktorit, kontributi i të cilit përçon dhe sot mesazhe të qarta duke na bërë thirrje mes rikuptimësimesh; edukimin e të bërit dhe të qenët artist. Nga ku në fakt, sot, druaj kjo tokë nuk pjell më…

Të gjithë filmat e tij, i kemi parë. Janë rreth 30, por shumë prej kolegëve dhe artdashësve veçojnë: ‘’Përballimi’’ – 1976, ‘’Udha e Shkronjave’’ -1978, ‘’Gjeneral Gramafoni’’- 1978, ‘’Njeriu me top’’ – 1977, ‘’Nëntori i dytë’’- 1982, ‘’Dora e ngrohtë’’- 1982, me interpretime të një mjeshtërie të lartë njërzore, filmike dhe skenike.

Kritiku dhe Prof. Dr Josif Papagjoni, na tregon në librin e tij ‘’Aktorët’’ një fragment të rrëfyer dhe shumë domethënës të operatorit Pali Kuke për Sandër Prosin në rolin e Dhaskal Todrit në filmin “Udha e shkronjave”.

“Ka qenë fillim shtatori 1977, kur në Llogora po xhironim Malli për vendlindjen të këtij filmi. Të gjithë ishin vënë në shërbim të aktorit, për t’i vjelë emocionet më të larta. Dhaskal Todri, me karvanin e tij, hyn në kuadër duke u ngjitur në një rrafshnaltë që mbizotëronte luginën e hapur në horizont.

Ai ndalon, zbret nga kali dhe duke u afruar, nuk ngopet dot duke thithur ajrin e vendit të tij. I përloten sytë duke parë trojet e Shqipërisë: “Arritëm, Tunxh”. Sandri po bënte maksimumin. 1 dubël, 2, 3, 4, por diçka mungonte.

Vladimir Prifti: – Pesë minuta pushim. Pi një cigare, Sandër.

Sandër Prosi: – Jo, jo, o bëhet tani o s’bëhet më pastaj. Gati, Pali?

Dubli 6, 7, 8, STOP. Ai po e përballonte shumë mirë teknikisht, por i mungonte lëngu krijues i vërtetë.

Pali Kuke: – Sandër, po të duash bëjmë dhe dubla të tjerë, mos ki problem për filmin.

Sandër Prosi : Jo, nuk do të bëjmë asnjë dubël!

Në këto fjalë e sipër, në gjarpërimin e rrugës së Llogorasë po zbriste autobuzi i linjës. Si na vunë re, filluan t’i bien borisë pa pushim. Pasi afrohet, dikush zbret e duke iu marrë fryma i jep Sandrit një qese me rrush: ” I ke nga shoferi, të uron suksese”.

Kështu Sandri e përshëndeti dhe kur autobuzi u zhduk në kthesë tha: “XHIRIM” dhe vërtet ishte dubli më i mirë, ky që është vendosur në film’’

Aktori e përjeton me përqëndrim të lartë emocional rolin, situatën, rrethanën. Fisnikëria dhe respekti i atyre njërëzve për aktorin, zgjuan tek ai mallëngjimin dhe virtytet e tij. Respekt për popullin dhe dashuri. Shumë dashuri. Nëse ngacmuesi i ardhur nga jashtë do të ishte i një lloji tjetër, edhe karakteri i emocioneve të aktorit do të ishte tjetër, – përfundon Profesor Josifi analizën e tij.

Dhe ka të drejtë. Flasim për njohjen e vetvetes në fuksion të rolit, të menduarit artistik dhe aspektin vlerësues të artit që Sandër Prosin e shoqëroi përgjatë gjithë karrierës së tij.

Liria e madhe e personazheve në galerinë që ai intërpretoi nuk kanë gjeografi, pasi ai hynte në lëkurën e tyre dhe duke na e gdhendur memories sonë aq saktë, me daltën e talentit të tij hyjnor të gjithë metamorfozën e roleve të tij.

Duke gjetur kështu çelësin e komunikimit me spektatorin e duke e trashëguar brezash atë. Ai flet! E bën këtë ende duke na thënë gjëra të rëndësishme, thelbësore. Ai ndez përfytyrimin tonë, duke i dhënë një kontekst ideoemocional ngacmimeve qe pëson realiteti ynë.  Mjafton t’i kthehemi filmave të tij për ta kuptuar këtë.

Në teatër ka shkëlqyer në rolin e Otellos. Nuk iu deshën pak, por plot katër vjet për të arritur magjinë e këtij personazhi, duke punuar veçmas me vetveten, për të arritur ndjesitë komplekse të kësaj figure. Shumë teatro në fakt, e trajtojnë si tragjedi të xhelozisë, por Sandri rezulton ndryshe; duke i mëshuar nderit dhe besës, veçori këto që e ndoqën deri në fund të jetës, duke e lënë dënimin e pabesisë për në fund.

Ka interpretuar gjithashtu në “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Fytyra e dytë”, “Hamleti”, “Makbethi”, “Familja e Peshkatarit”, “Epoka para Gjygjit”, “Revizori”, “Xhaxha Vanja”, etj…

Por arsyeja që do të mbetej në gjysmë filmi “Pranverë e hidhur”, do të ishtë vërtet e tillë. Ky film do të shënjonte fundin e jetës së tij. Vdekja e Sandër Prosit tronditi gjithë kombin. Muharrem Fejzo, regjisori i filmit, ka treguar të pathënat e kësaj ngjarjeje nëpërmjet librit të tij. Ai aty rrëfen biseda e detaje të shumta të ngjarjeve, që nga trishtimi që pësoi pas lajmit Enver Hoxha deri tek vizatimi i vdekjes tragjike të Artistit të Madh.

“Një turmë e hallakatur buburone e heshtur. Policia kishte rrethuar vendin. Përpara se të zbres, Josifi më zuri për krahu dhe më tha: Mblidhe veten. Pi një grykë raki…zëri iu drodh dhe sytë iu skuqën – Sandri…Sandri na la! Ka rënë nga kati tretë i hotelit.

Nga grupi i mjekëve ligjorë u shkëput një grua e re dhe erdhi drejt meje. Ju jeni regjisori? Pohova me kokë ngaqë më kishte mbytyr thaurima. – Aktori Sandër Prosi, ka rënë nga kati i tretë me pasojë vdekjen e menjëhershme. Shkaqet janë në shqyrtim e sipër. Mundet një marramendje ose një aksident pa paramendim…’’

Ai vdiq më 24 mars të vitit 1985, duke na lënë një mori pikëpyetjesh në kokë.

Cila ishte e vëreta? Pse Sandër Prosi vdiq në këto rrethana tragjike? Çfarë e hidhëroi këtë artist të madh për t’i shtegtuar kësaj Pranvere kështu?

Një gjë është e sigurt, nuk do e dimë kurrë.  Por ama i përulemi yjësisë magjike që la këtu poshtë,  duke ndierë gazmendin e tij fitimtar të fuqisë tokësore në çdo film që shohim.

Ndaj, ky Falenderim shkon për ty, Sandër!/Konica.al/Ilnisa Agolli