Sander Prosi
Sander Prosi

“Të pathënat” është i rëndë. Dora të hepohet nga pesha e librit, por më shumë nga ato që shkruhen aty. Është një jetë e tërë, aq me tallaze, saqë edhe vetë ai që i ka shkruar, gati-gati nuk e beson dot se është pikërisht ai që e ka jetuar.

Firmën e Muharrem Fejzos e mbajnë ca nga ata filmat që kanë lënë gjurmë në kinematografinë shqiptare, që nga “Kapedani”, bashkë me Fehmi Hoshafin, te “Fijet që priten”, “Guna përmbi tela”, “Mësonjëtorja”, “Binarët e shumë të tjerë”.

Por që këta filma të vinin deri te shikuesi ka qenë një rrugë e gjatë. Secili prej tyre ka një jetë të vetën, e cila në shumicën e herëve ka qenë peripetike. Të bëje art përpara viteve ’90, ishte tepër e vështirë. Fati i një artisti, sidomos një krijuesi, ishte në tehun e thikës.

Një fjalë e thënë më shumë, një batutë që dukej “e tepërt”, një skenë që evokonte jetën në vendet “kapitalisto-revizioniste”, “nxirja e realitetit të lumtur socialist”, mungesa e atmosferës së gëzueshme në Shqipëri… etj., etj… Arsyet që mund të censuronin e të çonin deri në pezullim të filmit, ishin të panumërta.

Filmi dhe stafi realizues duhej të kalonin mbledhje pas mbledhjesh, deri te “prova e zjarrit”, që ishte shfaqja e tij përpara udhëheqjes. Të gjithë kineastët e kujtojnë atë momentin kur Beromi apo Qafa kthehej nga projektimi në Bllok.

Fytyra e tij ishte sinjali për të ardhmen e filmit… Nga këto histori, Muharrem Fejzo ka pa fund. Sot, në moshën e kujtimeve, Muharrem Fejzo ka vendosur të botojë një libër me “të pathënat” e tij. Dhe e ka titulluar pikërisht kështu, “Të pathënat”. Një libër që u promovua sot në Akademinë e Filmit “Marubi”.

Shumë situata, personazhe të gjallë e që nuk jetojnë më përmenden në atë libër dhe Fejzo, një burrë, që me elegancën dhe me kulturën që manifeston, duket si një burrë i të tjera kohërave, seç ndien një emocion, si të ishte “Çak”-u i parë, në të parin film.

Mbase ndokush do të mbledhë buzët kur të lexojë librin, një tjetër do të qeshë me absurditetin e kohës, por Fejzo dëshiron që ca gjëra t’i thotë. Ato kanë qenë ashtu, dhe nuk mund të jenë ndryshe. Mënyra e ndërtimit të librit, por edhe vetë autori thotë se ai është mbështetur në shënimet që kineasti mbante gjatë kohës së xhirimeve, por jo vetëm.

Si një njeri me pasion të veçantë për artet pamore, pikturën e skulpturën, ai mbante gjithnjë me vete një bllok shënimesh, ku me shpejtësi vizatonte imazhin e një kolegu apo një skene filmi. Në këto blloqe ai ka hedhur edhe shënimet, kujtimet, emocionet e tij gjatë çdo xhirimi, mbledhjeje, pritjeje gjithë ankth që filmi të shfaqej.

Ndaj edhe kujtimet në këtë libër vijnë prej asaj kohe, ashtu si ai i ka jetuar në atë kohë, pavarësisht se si jeta i solli ngjarjet apo raportet me njerëz të caktuar, që Fejzo përmend në libër.

Edhe pse kujtimet e tij janë të shumta, situatat, kur i është dukur se puna e tij, bashkë me atë vetë, do të merrnin fund, nuk janë një e dy arsyeja pse kineasti e ka titulluar librin “Të pathënat”, nuk lidhet thjesht me të pathënat e tij, por me të pathënat e një brezi të tërë artistësh, që nuk mundën të shprehnin dhe të krijonin atë që donin. E në veçanti, janë të pathënat e një njeriu, që ai e deshi, që do të kishte dashur ta shpëtonte, por pa mundur.

Janë të pathënat e aktorit Sandër Prosi, që vdiq në sheshxhirimin e filmit me regji pikërisht të Muharrem Fejzos, “Pranverë e hidhur”.

Ndërsa gjerb një çaj, Fejzo thotë se ai njeri ziente përbrenda nga shumë pamundë- si. Ai aktori me shpatulla të gjera, me një ballë të lartë e rrudha fisnike, mundohej nga kaq shumë të pathëna: që nga rroga e vogël që nuk i dilte për të mbajtur dy djemtë e tij në shkollë, te frika e të qenët i përgjuar në çdo kohë.

 

PJESE NGA LIBRI

Ishte një buzëmbrëmje marsi e po asaj dite. 24 mars. Retë e atij muaji të pashpirt lëshonin një shi të imët si llohë dëbore. Për fat të mirë, nuk zgjati shumë. Do të xhironim te shkolla. Vendosëm digat, projektorët dhe figurantët nëpër vendet e tyre mbi shkallë. Njëri prej tyre filloi t’i binte klarinetës, një miturak simpatik. Ishte Genti Salillari (saksofonisti i shkëlqyer i ditëve tona). Bëra mizansenën që do të kryente Sandri.

Po e prisnim me drita ndezur për t’u ngrohur sadopak mjedisi. Orët po kalonin dhe aktori nuk po dukej gjëkundi. Shkrumbi i natës po e përpinte dritën e asaj buzëmbrëmjeje të paharruar! Klarineta e Gentit që i binte një kabaje të njohur përmetare e shtonte skajshëm ankthin e pritjes. Nga rrugica e kalldrëmtë u dëgjuan hapa të shpejtë dhe më pas të ngadalësuar deri në heshtje. Të gjithë drejtuan vështrimin drejt hyrjes për nga do të vinte Sandri.

-Gati për xhirim, – bërtita.

Dritat u ndezën, cërritën digat dhe pashë të dalë nga terri Josifin. Ishte i bardhë si meit. I tkurrur nën xhupin e leshtë, dukej edhe më i vogël se ç’ishte.

Bëri një lëvizje të atillë sikur donte të qetonte veten dhe të tjerët që ishin ngurtësuar në lëvizjet e tyre. Më bëri shenjë t’i afrohesha. Pandehmat vrumbullonin brenda meje shoqëruar me tamtamet e zemrës që kishte marrë revan si troku i një kali të çmeritur.

-Merr ilaçet e zemrës, – foli ai me një zë të shpërfytyruar.

U akullova krejt. Nxora trinitrinën nga kutiza dhe e futa nën gjuhë pa e ditur pse!

-Josif, çfarë ka ndodhur? Folë, se po na luan menç.

Ai nuk foli. Mori rrugicën tatëpjetë duke u mbajtur mureve. E ndoqa pas deri te Gazi që ishte i ndezur. Të heshtur si dy mumje u zhytëm në errësirën e makinës. Gomat e makinës fërshëllyen dhe mjeti u shkëput nga vendi me një shpejtësi marramendëse. Kohë pas kohe te pasqyra ballë tij, pashë sytë e trembur të grahësit që më zhbironin.

Mori kthesën te Torra dhe frenoi përpara hotel “Vollgës”. Një turmë e hallakatur buronte e heshtur. Policia kishte rrethuar vendin. Dritat e katit të parë ishin të ndezura. Nga dera e qelqtë rrotulluese hynin e dilnin njerëz me bluza të bardha. Në turmë dallova disa persona të Sigurimit. Përpara se të zbres, Josifi më zuri për krahu dhe më shkundi fort.

-Mblidhe veten. Pi një grykë raki. Sandri… zëri iu drodh e sytë iu skuqën. Sandri, na la! Ka rënë nga kati i tretë i hotelit.

Më vetoi në tru një vegim i munguar prej kohësh! Gjithçka që shihja përreth ishte e akulluar krejt. Mos ishte ndonjë shajni, vagulli a çka tjetër… por jo.

Vdekja e Sandrit? Jo.

Një pezm i pandjerë kurrë më pushtoi të gjithin. Me vështirësi çava korridorin e policëve që donin të më ndalonin.

-Është regjisori i filmit, – foli në ecje Josifi, duke çarë përpara meje.

Kisha ngrirë përpara derës së qelqtë. Nuk më bënin këmbët të ecja më tej. Josifi më mori për dore dhe… Përpara syve më verboi çarçafi i bardhë me bllama gjaku të mpiksur. Nga grupi i mjekëve ligjorë u shkëput një grua e re.

-Ju jeni regjisori?

-Pohova me kokë ngaqë më kishte mbytur thaurima. -Aktori Sandër Prosi ka rënë nga kati i tretë, me pasojë vdekjen e menjëhershme. Shkaqet janë në shqyrtim e sipër. /Panorama/