Verdi Take – Ishte viti 1964 kur nëpër korridoret e kthinat e Cirkut të Tiranës, mes akrobatëve, xhonglerëve, ekuilibristëve, klounëve, u duk edhe një vajzë e re, me një trup delikat, që nuk mbante veshur rroba akrobatësh, por e mbuluar nga një fustan basme, të gjatë, bojë qielli, me lule të bardha. “Po kjo?”… “Kush është kjo”?… “Çfarë di të bëjë kjo”? sa e sa pyetje me zë dhe pa zë. Askush nuk jepte asnjë shpjegim. U mësua vetëm se emri i saj ishte Sanie dhe mbiemri Baçova, Epo, thanë, duhet të jetë motra e Tahir Baçovës. Gjë që nuk ishte e vërtetë aspak. Dhe, një mesditë gjatë provave kontroll në arenë, u pa të dalë aty edhe Sania. Në dorë mbante një shkop të hollë, të vogël, duke zhvilluar një orë mësimi në një klasë, me banka, dërrasë të zezë… Veçse, “nxënësit’ e saj ishin një tufë qensh; Rrapi, Xhina, Diana dhe Luçi.

Mësuesja e tyre, Sania i drejtonte të zinin vendet nëpër banka… madje të rrinin edhe urtë të silleshin mirë… dhe të kishin mendjen në mësim. Ishte ora e aritmetikës. Mësuese Sania shkruante numra në dërrasën e zezë dhe “nxënësit-qen” me lehjet e tyre plot zë të lartë, raportonin zgjidhjen e veprimit aritmetik. Kur u shfaq ky numër para spektatorëve, në premierën “Fluturime akrobatike”, jo vetëm u prit me kureshtje, por edhe u duartrokit shoqëruar edhe me të qeshura. Ata kishin parë në cirk, zbutëse kafshësh një femër! Kjo ishte ngjarja më e re për ta. – “Sapo isha fejuar me Tahirin, tregon Sania. Të them të drejtën, nuk desha të kisha të njëjtin profesion me tim shoq, por ai nguli këmbë shumë gjatë. Nuk e boj dot, mor Tahir, i thosha. Kur shoh se çfarë po heq ti me kafshët! Pu, pu, pu… Nuk e boj dot, mos mu qep”.

-Nigjo, mi, nigjo ktu – ngulte këmbë Tahiri.
-Mjafton t’u fitosh zemrën. Si kujton ti, se kafshët nuk kuptojnë, e? Pse më bindet ariu mua? Ë? Pse bën ariu në arenë ato çfarë i kërkoj unë?

– Se e mësove.
-Po pra. E mësova, e bëra shok. Atij i pëlqeu që unë sillesha mirë me të. Krijoi besim tek unë.
-Qyqja, po do të më kafshojnë, more burrë.
-Hajt, se të mësoj unë si të mos të të kafshojnë. O budallaqe, – më thoshte ai kur bisedonim në shtëpi. – Do jesh femra e parë shqiptare si zbutëse kafshësh, nigjon?

Në vitet më pas, pranova dhe arrita të punoj edhe me cjapin, edhe me ariun, me pëllumbat. Eh!… Vite të bukura. Një kënaqësi shumë të madhe kisha kur shkonim turne për të dhënë shfaqje në qytete e fshatra të ndryshme të vendit. Gjithandej kemi shkuar.

Vit, pas viti, shfaqje pas shfaqje, unë e dashurova profesioni tim. Ma beso, zoti Verdi, ndjehesha shumë e qetë dhe e lumtur kur punoja me kafshët. I ledhatoja, i ushqeja, i pastroja, si nona e tyne, mo. Vërtet unë isha dhe mbeta femna e parë zbutëse kafshësh në Shqipëri, por ma beso, më vjen shumë keq që këtij profesioni nuk iu afrua asnjë femër tjetër. Unë kam 27 vite që jam ndarë nga ajo puna ime që e kisha me aq pasion dhe vazhdimisht jam përpjekur të gjej ndonjë vajzë të re që t’i jepja ‘sekretet’ e profesionit, por nuk më është afruar asnjë! Është çudi se femrat i duan kafshët, i marrin në shtëpi, i ushqejnë, i pastrojnë, i çojnë te veterineri, dalin shëtitje me to. Po, sa bukur do të ishte, t’u mësonin atyre numra të bukur e të dilnin në arenën e cirkut. Plasa të gjej një, ta mësoj.

VLERËSIMET
Vitore Sallaku, veterane e cirkut, “Artiste e Merituar” e “Mjeshtre e Madhe” ka thënë se “Sania ishte e apsionuar në profesionin e saj si zbutëse kafshësh. E talentuar dhe shumë modeste. Kurrë nuk mburrej. Grua zonjë. Ne dridheshim kur e shikonim në prova, se helbete, ariu, ari është… Ajo sikur i hipnotizonte kafshët”. Për Sulejman Dibrën, ish-drejtor i Cirkut, “i gjithë kolektivi e admironte Sanie Baçovën. E donin, e respektonin. Nuk mbaj mend të paktën një herë t’i jetë hequr vërejtje për punën, disiplinën, sjelljet”.

Akrobatja Gjystina Petrela ka treguar se “vështirësitë e punës na lidhën me dashuri ndaj njëra-tjetrës. Sania ishte grua e sjellshme, kokulur, nuk merrej kurrë me llafe”. Ndërsa, xhongleri veteran i cirkut e president i Shoqatës të Artistëve të Cirkut Kombëtar, Halil Minxolli kujton se, “Sanija mbahet mend si grua e sakrificave. Ishte dhe mbeti e vetmja femër shqiptare si zbutëse kafshësh. Ajo ka hyrë denjësisht në historikun e Cirkut Kombëtar Shqiptar”. Për të ëmën, muzikanti Ilir Baçova, “ka përjetuar sakrifica të mëdha gjatë kohës që punonte në cirk. Ma beso, dilte nga shtëpia në mëngjes herët dhe veç kur kthehej në darkë, vonë.

Dilte herët, me tenxheren e mbushur me ushqim për kafshët, shkonte i ushqente, stërvitej me ta, pastronte ambientet ku ata jetonin, pastaj vinte ora e shfaqjeve, ç’të të them… Ajo më shumë rrinte në cirk se sa në shtëpi. Dhe të mendosh në familjen tonë të madhe, të gjitha punët binin mbi supet e saj. Nëna ime ka qenë heroinë, vallai”. I shoqi, Tahir Baçova “Artist Merituar” thekson se, “Sania e mori shpejt zanatin dhe filloi të vepronte e pavarur nga unë. E di pse, Verdo, nigjo ta shpjegon Tahri ty. Kur punon me kafshët, ato duan edhe butësinë, edhe delikatesën. Sania si femër i kishte këto cilësi, i ushtroi me sukses dhe pati realizime shumë të bukura e të vështira. Ajo punoi me shpirt dhe shumë e përkushtuar. Veç.. do ta thotë Tahiri ty një peng që kam? (Ai ul pak zërin dhe vjen më afër meje sikur do të thotë një sekret): E kanë lonë içikë mas dore! Ajo e meriton ta vlerësojnë me titullin ‘Artiste e Merituar’. Pyesni kë të doni, t’ju tregojë për të”.

EPILOG
Tahiri e uli zërin kur më shprehu atë pengun e tij, sepse ashtu janë brumosur, pa pretendime, dy njerëz të thjeshtë, qytetarë të ndershëm, artistë në shpirt. Por, kjo nuk do të thotë që të mos u vlerësohet në mënyrë zyrtare, publike dhe dinjitoze vepra e tyre artistike. Zërin për këto duhet ta ngrejë masa e gjerë e artistëve tanë.

Në këtë 7-8 Mars, një tufë të madhe mimozash për ty Sanie Baçova. Gëzuar festat! Sa toptha të vegjël, të verdhë, ka në degët e “kësaj tufe”, aq mijëra urime të dërgojnë ty spektatorët, që të panë e të admiruan në vite, si artiste, si femra e vetme zbutëse e kafshëve, e guximshme, elegante e plot sharm. Me veprën tënde ti ke vendosur një medalion argjendi në qafën e brishtë të femrës shqiptare. Ti i meriton këto urime. Bile, diçka më shumë…!

Burimi: Gazeta Shqiptare