E kush nuk është mahnitur nga bukuria e këtij qyteti. I quajtur Perla e Jugut, Saranda mban sot kurorën e mbretëreshës së Shqipërisë.

Historia e këtij qyteti është me të vërtet e lashtë.

Për herë të parë në burimet antike qyteti përmendet në shekullin II para Krishtit me emrin Angjismos. Ciceroni, oratori i famshëm romak, që kishte në rrethinat e Butrintit mikun e tij më të afërt, Pompon Atikun, kaloi këndej duke u kthyer nga Butrinti për në Romë. Qyteti duket se ka marrë një rëndësi relative në periudhën e “pax romana”.

Straboni, gjeografi i famshëm romak i shekullit I para Krishtit, e përmend si një pikë të rëndësishme tranziti në lidhjet mes Romës dhe Greqisë. Në shekullin IV pas Krishtit qyteti u rrethua me mure mbrojtëse deri në dy metra të trashë.

Në brendësi të këtij territori janë zbuluar mbetje banesash, por edhe një bazilikë paleokristiane e shekullit VI-të, me dysheme të zbukuruar me mozaik. Në 414-516 qyteti citohet në analet kishtare bizantine si qendër peshkopate. Në vitin 551, 50 anije të mbushura me gotë të ndodhura nga hordhitë ostrogote të Atilës që vinin nga toka plaçkitën e dogjën Onhesmin dhe Butrintin.

Një lulëzim të rëndësishëm qyteti përjetoi në shekullin X, kohë në të cilën u shndërrua në një liman të rëndësishëm të Temës së Nikeas. Në 1034 qyteti pushtohet nga bullgarët, të cilët u detyruan t’ia lëshojnë pas një gjysmë shekulli normanëve të Robert Giuskardit që vinin nga Sicilia. Këta rindërtuan edhe kështjellën. Në shekujt XII-XIII qëndruan për pak kohë edhe venecianët. Osmanët u shfaqën, për t’u larguar pesëqind vjet më pas, në 1413.

Rrënimin e fundit, si për ironi të fatit, e pësoi nga një sundimtar i famshëm shqiptar, Ali Pashë Tepelena. Në shekullin XIX-të Saranda kishte një zyrë doganore, një karantinë, një zyrë agjencie lundrimi, një han dhe disa lokale të shërbimit. Megjithatë jeta në bregun e mbushur me histori kishte nisur të rilindte. Krijimi i Shqipërisë së pavarur e gjeti Sarandën vetëm me afër 100 banorë.

Zhvillimin më të madh duket se e mori në kohën e  Mbretit Zogu I, në vitet ‘30 të shekullit XX-të. Gjatë kohës së pushtimit Italian qyteti u pagëzua me emrin “Porto Eda”. Eda ishte vajza e dashur e Mussolinit, por në vitet e komunizmit qyteti mori përsëri emrin Saranda.

Popullsia: Rrethi i Sarandës, veç qytetit përfshin edhe Bashkinë e Konispolit dhe Finiqit. Popullsia e rrethit zyrtarisht është 85 000 banorë, Krahas popullsisë me kombësi shqiptare, në rrethin e Sarandës jeton edhe një minoritet grek.

Besimi: Në Sarandë, ashtu si pothuaj kudo në Shqipëri, do të gjeni të kombinuara dy besime kryesore fetare: ortodoks dhe mysliman. Raportet mes dy feve kanë qenë gjithnjë shumë të paqta. Të shumta janë edhe martesat e përbashkëta.

Në zhvillimin ekonomik të Sarandës sot rolin kryesor e luajnë turizmi, tregtia, transporti detar, peshkimi dhe industria e lehtë. Veçanërisht për qytetin e Sarandës si edhe për qendrat turistike të Ksamilit dhe Butrintit ka marrë rëndësi të veçantë zhvillimi i ekonomisë turistike.

 

Veshja Tradicionale: Veshjet popullore janë të larmishme tek çamët dhe labët. Të veçantat e Sarandës në traditën e veshjes dhe objekteve të tjera të kulturës popullore mund t’i gjeni duke vizituar Muzeun Etnografik, i cili ndodhet në qendër të qytetit.

Kënga tipike është polifonia, e cila praktikohet më tepër tek labët dhe tek çamët si dhe këngët e luajtura me saze, veçanërisht më të përhapura në zonën e Delvinës.

 

Saranda dhe territori rreth saj janë absolutisht vendi më i pasur në Shqipëri me objekte të vjetra kulti. Kryesisht kisha që vijnë që nga periudha bizantine dhe disa më të hershme mbeten edhe sot e kësaj dite një nga pasuritë më të rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore të vendit.

Kisha e Manastirit të 40 Shenjtorëve ndodhet në Lindje të Sarandës. Kisha ndodhet në vendin nga ku mund të shihni tërë Sarandën. Është ndërtuar  në shekullin XV. Një rast më shumë për t’u kredhur në një atmosferë gati-gati mistike.

Kisha e Manastirit të Shën Mërisë në Mesopotam ndodhet vetëm pak kilometra në rrugën që lidh Sarandën me hidrocentralin e Bistricës. Është ndërtuar në shekullin e XI-të nga perandori bizantin Konstantin Monomaku. Është nga monumentet më të rralla bizantine të shekujve XI-XIV-të.

Nga manastiri i vjetër sot ruhen rrënoja të mureve rrethuese dhe një kullë në pjesën perëndimore. Manastiri është zhdukur thuajse krejtësisht. Kisha është një përzierje e stilit të vjetër bizantin me ndikim roman. Është ndërtuar në shekullin XII, kohë në të cilën ky territor ishte nën zotërimin e anzhuinëve.

Xhamia e Gjin Aleksit: Në krejt zonën rreth e rrotull Sarandës do të hasni në shumë xhami. Porse ato janë kryesisht të reja. Një kuriozitet më vete përbën një xhami që i kushtohet një të krishteri.

Ajo quhet “Xhamia e Gjin Aleksit” dhe është bashkë me disa varre të shenjta myslimane në mes të fshatit Rusan. Xhamia është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe në shekullin XVII-të dhe është ende funksionale. Xhamia gjendet në periferi të Delvinës.

Një nga vendet më të bukura që mund të vizitohet kur je në Sarandë është pa dyshim Butrinti. Butrinti është rreth 15 kilometra larg qytetit.

Në fillim të parkut do të hasni një banesë romake që duhet të jetë e shekullit të II-të pas Krishtit dhe më pas një kolonadë për të cilën studiuesit mendojnë se duhet të jetë shumë më e hershme se banesa. Në krah të kolonadës do të shihni monumentin më të rëndësishëm të Butrintit, teatrin antik.

Ky është ndërtuar në shekullin e IV para Krishtit dhe sot është në gjendje shumë të mirë. Në skenën e tij luhen gjatë stinës së verës shumë shfaqje.

Aktiviteti më i njohur është Festivali Ballkanik i Teatrove që organizohet këtu për çdo vit, në muajin korrik. Në muret e teatrit do të keni mundësi të shihni shumë mbishkrime në latinisht. Kryesisht janë vendime për lirimin e skllevërve. Teatri i Butrintit mban afër 2 mijë spektatorë.

Afër teatrit gjenden rrënojat e tempullit të Asklepit, apo Eskulapit, perëndisë antike të Shëndetit. Ka shumë të ngjarë që tempulli të jetë ngritur këtu pikërisht falë një burimi të cilit butrintasit e vjetër i blatonin fuqi magjike shëruese.

Shumë statuja dhe dhurata të tjera të gjetura këtu i kanë shtyrë studiuesit të mendojnë se Asklepi ka qenë perëndia mbrojtëse e qytetit. Në lindje të teatrit, jo shumë larg tij gjendet baptisteri i Butrintit. Ky është ndërtuar në shekullin IV. Në mes të tij është salla e pagëzimit e rrethuar nga një numër kolonash që mbahen ende në këmbë.

Dyshemeja është e shtruar me mozaik që paraqet 69 medaljone me simbole kishtare dhe skena të njohura, ekuaristinë dhe pagëzimin. Përveç vlerave arkeologjike, Butrinti ofron një kompleks të tërë natyror dhe gjeosistem të veçantë.

(Të dhënat janë marrë nga bashkia Sarandë)