Repertori:

Ethem Qerimi ne violine, Fatos Qerimi ne klarinete dhe Bruno Qerimi ne tastiere.
Saze te ndertuara mbi bazen e familjes Qerimi.

Bibliografia:

Ethem Qerimi/Ai që magjepsi edhe vet violinën Nga Agron SEJAMINI Nëse do të kishte gojë, e para që do të përgëzonte Ethem Qerimin, do të ishte ajo, mbretëresha e veglave muzikore. Rallëkush si ai, ka mundur të përcjellë magjishëm tingujt e saj. Shpjegohet kjo mjeshtëri. Në shpirtin e tij, buron një energji e brendshme gjatë interpretimit në violinë. Ai mbyll sytë dhe përhumbet sepse do që të nxjerrë dëshirën e saj… Dashuria mbi të, e hershme sa vetë jeta e tij. Para se të lindte ai, në shtëpinë e tij kishte kohë që dëgjoheshin tingujt e violinës, mandolinës dhe kitares. Zanatçinj me emër gjyshi dhe babai i tij, në gjithë trevën e Përmetit, jo për vegla muzikore, por në ndërtimin e mullinjve me ujë. Dhe kur fantazia e tyre bënte fabrika që kthenin drithin në miell, nuk kishte si të mos provonin zotësinë edhe për ato vegla që u shlodhnin shpirtin. Nga ato tre vegla, ai mundi të argëtohej fillimisht me më të voglën e tyre, mandolinën. Fëmijë ishte edhe atëherë kur e dëgjuan të tjerët, por mbetën pa mendje. Kanë qenë vitet e pushtimit fashist dhe Këlcyra u tejpopullua nga ushtarët italianë. Për pushkën kishin lënë atdheun e tyre, por nuk kishin harruar të merrnin me vete edhe kitarën. Si për t’u bërë karshillëk, një ditë edhe ai çamarok gjashtëvjeçar, bashkë me mandolinën shkon te ata.

Asnjëra palë nuk shfaqi urrejtjen, por bashkuan veglat muzikore dhe këndonin. Duke qenë se mandolina i qëndron më besnik vijës melodike të këngës, vunë të parë atë fëmijë, ndërsa ata e shoqëronin me kitarë. Edhe sot i këndon Ethemi, një pjesë të atyre këngëve italiane që mësoi në atë kohë. Ikën italianët dhe djali me mandolinë filloi të shoqëronte babanë nëpër dasma. Një dyshe muzikantësh që lajmëroheshin prej kohësh nga bashkëfshatarët e tyre, për të lezetuar edhe më shumë dasmat. Erdhi koha që djali do të pëlqehej më shumë se sa babai. Madje, në atë rastësi fatlume të festës së Poçemit, ia vuri synë edhe udhëheqja… Por me fat u ndje edhe Filarmonia Shqiptare kur e vendosi atë 15-vjeçar, në krah të atyre burrave që kishin mbaruar studimet në konservatorët më të dëgjuar të kontinentit. Tre vjet duke luajtur pjesë operistike dhe interpretuar në koncerte të ndryshme klasike. Mbrojtja e Atdheut e thërret ushtar në një nga fshatrat e Vlorës. Nuk kalon viti dhe mjeshtri i madh Gaqo Avrazi, duke shfrytëzuar momentin që ishte në sinorin ushtarak, e sjell në Tiranë duke i dhënë violinën e parë të Ansamblit të Ushtrisë. Dhe kur shokët e tij kryenin shërbimin ushtarak, Ethemi me violinën e tij i binte Azisë cep më cep. Gjashtë muaj nëpër Bashkimin Sovjetik, Kinë, Kore, Mongoli etj. Ky turne i Ansamblit të Ushtrisë e “gradon” Ethemin gjeneral, menjëherë sapo kthehet në Tiranë. Teatri i Operas dhe Baletit e bën violinist të parë. Edhe më tërheqës portreti i tij, në këtë skenë të nderuar, kur interpretonte solo disa nga kryeveprat e operistikës botërore. Por, nuk mungonte as gjatë turneve të ndryshme artistike që zhvilloheshin nëpër botë, ku shpaloste vlerat e jashtëzakonshme të traditës dhe pasurisë sonë folklorike. Kështu, disa herë u bë pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ansambleve amatore “Migjeni”, në Francë, Itali, Zvicër, Danimarkë etj. Kjo gjeografi, vlen vetëm për atë kohë, kur në Shqipëri ishte monizmi pasi po të pyesësh tani mjeshtrin, qesh dhe nuk lodhet me listën e shteteve. – Vetëm në Amerikë, nuk kam ikur se më duket larg prej moshës. Tre herë ma kanë nxjerrë vizën, por nuk kam guxuar ta bëj atë rrugë, – të thotë me një ndjenjë krenarie dhe kënaqësie bashkë. Me ardhjen e demokracisë iu rritën dhe djemtë. Nuk i shkon profesion tjetër familjes Qerimi veç asaj të muzikantit. Është e tepërt të flasësh për “Trion Qerimi”, pasi ata janë bërë grupi më i dëshiruar për publikun me atë repertor të shkëlqyer. Ftesa pafund nga diaspora shqiptare për këtë treshe. Çmallen dhe mallëngjehen për këngët dhe muzikën e vendit të tyre që interpretohen aq mjeshtërisht nga këta përfaqësues dinjitozë. Edhe më të bukura do të jenë surprizat e artistëve të kësaj familje, në vitet që vinë.

Prej kohës, Mjeshtri i Madh, Ethem Qerimi është duke punuar për trion e dytë. Janë ata që i shikoni në fotografi, por edhe më shpesh dhe të këndshëm do t’i shikoni nëpër skena dhe ekranet televizive. Janë nipërit dhe mbesat e talentuar të gjyshit virtuoz. Po më e bukura, e dini kush është? Vetë është 76 vjeç ndërsa violina 84 vjeç. Prodhim italian i të famshmes firmë “Guarnieri”. Plot 53 vjet që e përdor këtë violinë. Edhe për këtë ka patur fat. Një i afërmi i gruas e fton një ditë në shtëpi dhe i thotë: – Shikoje një herë këtë violinë që ma ka sjellë babai nga Italia. Ka vite që nuk e prek njeri, e hëngri mola… Edhe këtu, si me Kumen. Ra në dashuri me shikimin e parë. E dalloi nga druri dhe pamja e bukur. Damarët i kishte të drejtë. Nga njëra anë të bardhë, ndërsa tjetra të kaftë. Nuk kishte si ta merrte falas këtë pasuri që nuk çmohej në para. Dy mijë lekë të asaj kohe ia vuri çmimin, por Ethemi i dha edhe dyqind më tepër. Të dy palët u ndjenë të fituar. Nuk e ka diferencuar dashurinë e fëmijëve, me atë të violinës. Edhe me të ka kujtime të bukura. Për ne, lexuesit, se për atë kanë qenë të trishtueshme. I kujtohet turneu që zhvilluan nëpër qytete të ndryshme të Vietnamit. Gjatë një koncerti, papritur filloi një shi i rrëmbyeshëm tropikal. T’i qullte trupin, nuk do ta merakoste ai rrebesh, por nëse një pikë shi do të binte mbi violinë për të ishte qeder i madh. Shikon bashkë me shokët e tjerë të orkestrës, nga udhëheqësi artistik për të ndërprerë ekzekutimin, por marrin urdhërin e prerë: “Vazhdoni!” Hap xhaketën dhe bëhet dysh duke e mbrojtur nga ai rrebesh. Vetëm te bishti i ranë dy-tre pika kur të tjerëve iu bënë qull. Në mëngjes, të gjithë grupit nga lagështia iu ishin hapur violinat, ndërsa Ethemit pak te bishti i saj… Po atë ditë vietnamezët iu dhanë violina të reja të gjithëve. Edhe Ethemit. Por, ashtu siç i erdhi edhe i iku ajo violinë, sa që edhe tani nuk e mban mend se ku përfundoi. Nuk i hyn në sy asnjë dashuri para kësaj që vazhdon ta magjepsë! 14 vjeç arrestohet dhe pas një viti… gradohet Një kamionçinë ushtarake, ndaloi para portës së familjes Qerimi, në Gorishovë të Mallakastrës. Prej saj, zbriti një polic dhe kërkoi të zotin e shtëpisë. – Ky djali juaj, do të vijë me mua! Shtangu babai i shkretë, duke rënë në mendime se ç’të keqe mund të kishte bërë i biri. -Shpejt se nuk kemi kohë. Hajt hip në makinë… E ndërsa familja ia krisi të qarit, Ethemi i trembur herë pas here vetëmbrohej me justifikimin: “Pse të vij, nuk kam bërë asgjë!”. Ndaluan pak orë në Fier, plotësuan disa dokumente dhe për gjithë natën udhëtuan drejt Tiranës. Ç’kishte ngjarë? Historia e kësaj ngjarjeje kishte nisur tre ditë më parë. Ka qenë korrik i vitit 1949. Në Poçem të Mallakastër u festua me madhështi një datë e shënuar e Luftës Nacional-Çlirimtare.

Mes tyre si gjithmonë, biri i kësaj krahine me funksione të larta në pushtetin popullor e më pas do të bëhej edhe Kryeministër i Shqipërisë. Në drekën e shtruar për nder të mysafirëve thirrën edhe muzikantët Ibrahim dhe Ethem Qerimi. I ati i binte violinës, ndërsa i biri 14-vjeçar e shoqëronte me kitarë, por më mirë se atë punë bënte të kënduarit. Me frikë filluan këngën e parë për Asim Zenelin, më pas për dëshmorët e Hekalit. Më shumë se i gëzoheshin, ata i trembeshin atij përqendrimi ngaqë kishin dëgjuar për ashpërsinë e tij. La të ngrënit i pari i tavolinës dhe u bë sy e vesh, pas atyre dy ustallarëve të muzikës popullore. Atë që nuk e trembi asnjë armik, e pushtuan këta instrumentistë me dy këngët e kënduara. Ndërsa ishte përhumbur pas magjisë së tyre, me marifet kishte nxjerrë një bllok nga xhepi dhe kishte pyetur për emrin e atij djaloshi. Me të mbërritur në Tiranë kishte dhënë urdhërin e prerë. Kështu, pas atij udhëtimi enigmatik, në orën nëntë, Ethem Qerimin e zbresin nga ajo kamionçinë dhe e takojnë me drejtuesit e Filarmonisë Shqiptare. Ky institucion i sapokrijuar dhe orkestra e saj përbëhej nga 60-70 instrumentistë që kishin mbaruar studimet në shkollat më të mira të Europës. Hajde dhe kuptoje lidhjen e këtij djali nga Mallakastra që shikonte për herë të parë Tiranën, me këtë institucion të rëndësishëm kulturor. Violinistët e shquar Lam Petrela dhe Adem Beqiri që kishin mbaruar të dy në Bashkimin Sovjetik, e marrin në provë.

I japin një violinë, i vënë para dhe një fletë muzikore dhe i thonë që të interpretojë atë pjesë muzikore. Nuk e kishte idenë e notave muzikore, por edhe për violinë nuk shquhej. Të atin nëpër dasma e kishte shoqëruar me mandolinë dhe kitarë. Gjithsesi, luajti aq sa dinte një pjesë popullore. -Dëgjo mor djalë! Ti as violinën nuk e di mirë dhe as solfezhin nuk e njeh. Nuk e dimë çfarë të bëjnë me ty, ti nuk je për këtë punë…, u dëgjua të fliste njëri prej tyre, mes asaj të qeshure që i kishte pushtuar nga ajo që kishin parë. -Dakord! Edhe unë atë dua që të kthehem në shtëpi se kam lënë babanë pa punë. Ai pa mua nuk ikën dot nëpër dasma…, – ia ktheu me sinqeritet dhe kënaqësi Ethemi. Mirëpo, kjo punë nuk varej nga dëshira e këtij djaloshi. Ishte tjetërkush që kishte lënë porosi. Për t’u justifikuar te ai lart që kishin bërë diçka për t’i dalë borxhit, por për të qenë edhe vetë shpirtërisht të qetë, i krijojnë mundësinë që të studionte një vit për violinë. Një vit që Ethemi edhe natën e bëri ditë. Flinte vetëm pesë orë duke iu përkushtuar violinës dhe notave muzikore. Mësoi mbi dy metoda ruse dhe gjermane. U kthye viti dhe i thanë “ec të provojmë”. Tetë veta ishin në komision dhe para tyre qëndronin dy metodat e trasha që përmbanin vepra muzikore nga literatura botërore. Ia bën edhe një lëshim. – Hape ku të duash dhe na luaj një pjesë çfarë ke mësuar, – i tha kryetari i komisionit, Artisti i Popullit, Mustafa Krantja.

Nuk lëvizi nga vendi, për të zgjedhur fatin djaloshi nga Mallakastra, por ua la atyre ta gëzonin atë shans. Mes tyre, ishin edhe ata që me të drejtë nuk kishin mbajtur dot të qeshurën para një viti, kur e kishin testuar për herë të parë. Dhe Ethem Qerimi, jo në një, por shkëlqeu në disa fletë, duke surprizuar të gjithë ata yje të muzikës shqiptare që e dëgjuan. Nuk u përmbajt i madhi Krantja, por menjëherë i komunikon gradimin e merituar: – Ngjitu lart, në katin e dytë! Do të jesh spala për violinat e dyta në orkestrën e Filarmonisë! “Kisha qejf të më shkruaje dy rreshta edhe për Kumen” Hajde po deshe dhe mos ia plotëso dëshirën këtij mjeshtri të shquar të kabasë shqiptare. Të asaj kabaje që nuk e dallon dot, nëse qan violina apo i zoti. Sa njerëz janë shkulur nga salla për t’i puthur duart, pas atij përjetimi dhe interpretimi të magjishëm, ustait. -Shumica e tyre, – thotë duke qeshur me të madhe, – kanë qenë femra…. Pastaj vazhdon edhe fjalinë tjetër për të mos u keqkuptuar. – Pasi më pushtojnë të mallëngjyera nga emocioni dhe më puthin duart, bashkë me burrat e tyre dëshirojnë që të bëjmë një fotografi të tre. Sepse Ethem Qerimin vetëm një femër e ka mallëngjyer dhe emocionuar. Vetëm Kumja! Një ndjesi tronditëse që nuk mundi ta ndihmojë dot as violina. As emrin dhe as kabatë e famshme nuk ia kishte dëgjuar, para asaj dite që iu vardis Ethemi. Por edhe ai dalldisi pas Kumes me të parën herë. Ndërsa, kishte dalë nga Teatri i Operas dhe po ecte rrugës, sytë i shkuan te një femër që po ecte drejt tij. U magjeps sa e pa atë selvi dhe bukuri… Dhe nuk gabonte kollaj ai shpirt artisti! Ja, shikojeni në fotografi ëmbëlsinë dhe bukurinë e Kumes… Sa e pa e humbi drejtimin. U kthye dhe iu qep nga pas. Filloi t’i flasë pa ditur nga t’ia nisë për t’i prishur mendjen. Por, edhe kohë nuk pati shumë. Kumja pas dhjetë minutash rrugë hapi portën e shtëpisë së një shoqeje. Më tepër për t’i shpëtuar asaj bezdisjeje, se sa për punë. Iu shtua edhe më tepër zjarri Ethemit nga kjo shkëputje e padëshiruar. Vuri atë derë porte nën sy dhe për gati një orë, shtoi shqetësimin dhe durimin. Doli Kumja dhe ai përsëri iu bë krah, në atë copë udhë që i kishte mbetur për të mbërritur në shtëpinë e saj, në Rrugën “Katër dëshmorët”. Për fat, në gjithë ato pyetje që i drejtoi ai, te një përgjigje e saj ngjalli shpresat… Mësoi se i vëllai studionte në Çekosllovaki për klarinetë.

Kaq i mjaftonte për atë ditë. Duke patur një vëlla muzikant besonte se shtoheshin edhe mundësitë e mirëkuptimit. Ia zuri udhën edhe të nesërmen. Më pas ishte Kumja që mësoi derën e Operas, aty ku punonte Ethemi, derisa pas tre javësh, bashkuan zemrat. Dashuria për të i nxorri prej shpirti këngën më të re që ai filloi ta këndojë nëpër dasma dhe gëzime familjare. “Sa të dua unë,/moj lule zambaku,/ Ty të shoh në gjumë,/Më ka zenë meraku…”. Nuk i tha që ia kishte kushtuar asaj por nuk e lodhi shumë meraku i asaj të fshehte. Sapo e dëgjoi për herë të parë, i xixëlluan sytë Kumes duke i përcjellë buzëqeshjen domethënëse. Me Kumen fitoi dashurinë, por edhe… shtëpinë. Familja e saj vetëm për shtëpi nuk vuante. Rreth oborrit të saj ata kishin tre shtëpi, njëra prej të cilëve e gëzuan ata. Aty ka lindur Fatosi dhe Brunoja. Më pas në shtëpinë e tyre të re lindën edhe Ardianin. Tre djem që iu bënë vëllezër dhe kolegë. Çdo gjë të mirë që ndjen te karakteri i tyre, veç muzikës, ia di për nder bashkëshortes. I ka qëlluar që për arsye turnesh artistike, të qëndrojë larg shtëpisë edhe gjashtë muaj. Të gjitha, shëndetin, ushqimin, edukimin, shkollën e tyre, i ka ndjekur Kumja. Ethemi pranon se ka bërë shumë mirë, vetëm punën e violinës. Ndërsa, Kumes ia dedikon gjithçka. Asnjëherë nuk ka mundur të këndojë, por gjithë jetën ka patur fatin që të gëzojë.

Ulur në divan, përhumbej nga lumturia kur Ethemi me violinën e tij, i përulej dashurisë së saj. Ndoshta nuk ka mundur që t’i bëjë kritiken, por një gjë është e vërtetë. Të gjitha perlat e virtuozit Ethem Qerimi, janë frymëzuar dhe dëgjuar për herë të parë nga kjo femër bukuroshe. Zbehet bukuria fizike, por ka mbetur e përjetshme ajo e shpirtit. Ja, pse mjeshtri i madh i violinës dëshiron të shkruajmë dy fjalë edhe për Kumen. Vetëm ai ia di saktësisht vlerën dhe peshën kësaj dëshire! RD Dita e flamurit ne Kopenhag, kete vit u festua si asnjehere tjeter. Ne nje salle te madhe ne mes te kryeqytetit Danez, zbukuruar me flamurin ton dhe Danez, morren pjese afro 2000 bashkekombas nga te gjitha trojet Shqiptare , ardhur dhe nga vendet e tjera Skandinave. Ne kete feste madheshtore morren pjese dhe shume Danez, miq te popullit tone si dhe ambasadori Shqiptar dhe perfaqsuesi i Amb.Maqedonase Kryetari i L.SH.B-se per vendet Skandinave z-ti Ibrahim Egriu,se bashku me organizatore te tjere te kesaj feste, kishin mare masa te atilla qe kjo dite e shenjte per gjithe Shqiptaret, te festohej e gezohej ne menyre madheshtore Tavolinat e miqve , si dhe te shqiptareve , ishin plote e perplot me ushqime e pije te bollshme.

Nder miqte Danez mori pjese dhe z-nja Irene Wermer Stage Historiane e artit mesjetar , mikesh e popullit tone dhe e gazetarit te njohur z-Vasil Qesari Miqte Danez , si dhe miqte e tjere te huaj , te ardhur nga vendet Skandinave, jo vetem qe ngelen te kenaqur nga kjo mbremje , por dhe u shprehen me admirim per organizimin , solidaritetin , dashurine dhe bujarine shqiptare. Festes me teper i dha impuls , grupi muzikor i ardhur nga shqiperia, Eqerem Qerimi-Violinist Bruno Qerimi-Organo Fatos Qerimi-Klarinet Kengetarja Ermira Bunja si dhe grupi i baletit , bene qe salla te shperthente disa here ne duartrokitje te stuhishme dhe ti rikthente artistet ne skene , bashke me violinistin z-tin Eqerem Qerimi, qe pati shume sukses ne ekzekutimet e pjesve solo. Pjesmarrja e te rinjve shqiptar kete vite ishte shume e madhe keshtu qe salla pas ores 22 u kthye ne nje diskotek te verte Pershedetje dhe urime motrave dhe vellezerve kudo ku jane neper vendet Skandinave.