Zbritëm në Portin e Durrësit një mëngjes gri dhe të lagësht. Koha ishte kishte të njëjtin ritëm me gjendjen tonë shpirtërore. Dukej një vend i vogël e i ashpër, por ne e dinim se do të na duhej të qëndronim aty deri sa të gjenim një alternativë më të mirë…

Scarlett Epstein ishte vetëm 16 vjeçe kur zbriti në Durrës me dy prindërit për t’i shpëtuar shfarosjes naziste. Vëllai i saj, Otto, kishte ikur në Angli. Ajo u rikthye pas shumë vitesh në moshën 87-vjeçare me librin e saj “Swimming upstream”, ku rrëfen për ditët në Durrës, disa prej të cilave po i sjellim me shkurtime:Historia e Epstein fillon kur ajo ishte një adoleshente 15-vjeçare. E rritur në Vjenë, si Trude Gruenwald, ajo u përjashtua nga shkolla kur “u zbulua” se ishte një hebreje. Ndërsa shihte Hitlerin teksa “robëronte” qytetarët e Vjenës, Epstein gjeti mundësinë që të largohej bashkë me familjen e saj nga Austria për në Jugosllavi. Kur viza skadoi, nuk gjendën vend tjetër për azil përveç Shqipërisë. Mbërritën në Shqipëri në nëntorin e vitit 1938 dhe u largua për në Angli në fund të marsit 1939. Mundi të rikthehej vetëm vnë moshën 87-vjeçare për realizimin e dokumentarit “Të kthyer nga humnera”. Ajo tregon:

Gjatë udhëtimit të gjatë me tren drejt portit të Spalatos, fillova të flisja me policin e eskortës që na shoqëronte ndërsa qëndronim në korridorin përballë kabinës ku mamaja dhe babai im ishin ulur në heshtje përballë njëri-tjetrit. Ai e prezantoi veten si Jarosllav. Unë i thashë emrin tim. Për të forcuar bashkëbisedimin tonë, hapa derën e kabinës dhe i kërkova mamasë të më kalonte çantën me çokollata që të mund t’u jepja disa policëve që na shoqëronin. Në fillim ajo u tmerrua nga kjo kërkesë e imja, por e sigurova që çdo gjë shkonte mirë. Mendova se kjo do të ishte mënyra më e mirë që të mos zbuloheshin paratë që kishim fshehur. Kisha të drejtë. Ai nuk ishte në dijeni se pse duhet të na shoqëronte deri në kufi dhe kur ia shpjegova rrethanat, u duk sikur u ndje fajtor. Gjatë udhëtimit ne folëm shumë, e madje edhe bëmë shaka, por e shihja që ishte në ankth sepse vazhdimisht më pyeste për sigurinë tonë….pak përpara se treni të arrinte në destinacion, ndërsa ne po qëndronim në korridor, ai papritur u kthye nga unë e më tha: “Le të martohemi dhe ti e prindërit e tu do të jenë të lirë të qëndrojnë në Jugosllavi.

Flas unë me babain tënd dhe bëjmë sa më shpejt të jetë e mundur procedurat me të arritur në Spalato dhe juve nuk do t’ju duhet kurrë të imbarkoheni në anijen drejt Shqipërisë. Ndërsa ai më bënte këtë propozim të beftë martese, shihte thellë në sytë e mi, duke u përpjekur të më bindë jo vetëm për ndjenjat e tij ndaj meje e familjes sime, por për këtë dhimbje të madhe njerëzore që po u ndodhte hebrenjve. Ne e dinim se oferta e tij nuk ishte zgjidhja, por ishte një rreze drite në botën e errët. E falënderova dhe e përqafova fort deri sa erdhi momenti që të ndaheshim. Nuk u tregova kurrë prindërve të mi mbi eksperiencën që pata me policin që na shoqëronte dhe që atëherë nuk u hapa me ata për shumë gjëra të tjera. Ne u ngjitëm në bordin e vaporit “Adriatik” më 20 nëntor 1938, që përkonte me 26-vjetorin e lindjes së Otto-s. Ne mundëm t’i dërgonim edhe një kartolinë nga Spalato. Teksa shihja tokën jugosllave të tretej në distancë, më dukej se nuk do të zija kurrë rrënjë. Nuk më interesonte se ku do jetoja për sa kohë që kisha familjen me vete. Në anije ne takuam një çift të ri hebrenjsh të Gjermanisë që kishin një fëmijë të vogël. Kjo ishte hera e tetë që ata udhëtonin mes brigjeve të Jugosllavisë dhe Greqisë.

Ata kishin dëgjuar se po të blije bileta të kësaj linje mund të arratiseshin nga Gjermania dhe shpresonin që të mund të lejoheshin të jetonin në një nga shtetet ku anija do të ankorohej.Mjerisht ata nuk mundën t’i bënin realitet këto mendime. Sigurisht që kapiteni i anijes nuk ishte i lumtur të kishe në bord këtë familje të re që duhej kthyer në Gjermani, por megjithatë i lejuan të qëndronin. Ne zbritëm në Portin e Durrësit një mëngjes gri dhe të lagësht. Koha ishte kishte të njëjtin ritëm me gjendjen tonë shpirtërore. Dukej një vend i vogël e i ashpër, por ne e dinim se do të na duhej të qëndronim aty deri sa të gjenim një alternativë më të mirë. Në anije babai shkëmbeu disa stërlinga në para shqiptare, kështu që do të kishim disa para për të qëndruar. Ndërsa po ecnim përgjatë bregut, u befasuam që takuam dy hebrenj gjermanë që na uruan mirëseardhjen dhe na treguan se në Durrës ishte krijuar një komunitet i vogël refugjatësh prej 55 personash. Kjo më ngazëlloi, sepse mendoja që ne do të ishim refugjatët e parë në Shqipëri.

Mendova se përderisa të tjerët kishin mundur të mbijetonin aty prej disa muajsh, ky vend nuk mund të ishte një vend aq i keq sa më kishin bërë të besoja prindërit. Na kishin thënë se afër portit ndodhej hotel “Metropol”, ku mund të merrnim me qira një dhomë të lirë.Transportuam bagazhet tona, ajo pak gjë që përfaqësonte gjithçka kishim, të shoqëruar edhe nga udhërrëfyesit tanë hebrenj. Hotel “Metropol” më uli me këmbë në tokë. Ishte vendi më i pistë që kisha parë ndonjëherë. Letra ishte shqyer nga muri dhe në të gjithë ndërtesën depërtonte një erë gazi mbytëse. Ne arritëm në dhomë ku pamë çarçafë gjithë njolla, lavamanin e thyer, mobilie të vjetra dhe dritaren e kalbur…

Durrësi ishte një qytet i vogël, tipik si shumë të tjerë në Shqipëri. Ishte i varfër, gjysmë i shkatërruar dhe kishte shumë baraka ku njerëzit jetonin në kushte që nuk i kisha imagjinuar kurrë. Pjesa më e madhe e popullsisë ishte ortodokse dhe ata që nuk ishin të tillë, ishin myslimanë. Asnjë fe nuk i lejonte gratë të ecnin lirshëm në rrugë apo të pambuluara. Të vetmet femra të zbuluara ishin disa prostituta që siç mësova më vonë jetonin në një bordello. Unë isha vetëm 16 vjeçe dhe nuk shihja ndonjë pengesë se pse nuk duhet të eksploroja qytetin. Ndërsa kaloja rrugët, nisa të vija re vëmendjen që më kushtonin disa djem të rinj. Kur e kuptuan se unë nuk isha një anëtare e bordellos, por vija nga Vjena dhe isha me prindërit, nisën të më trajtonin me respekt të madh. Ato pak njohuri mbi frëngjishten më lejonin të bëja një bisedë të thjeshtë me ta….

Ne qëndruam në hotel “Metropol” për disa javë, gjatë të cilave vizituam vendin ku rrinin refugjatët e tjerë. Ishte një përzierje e çuditshme njerëzish, profesionesh e kombësish, por ne ishim të lumtur që takonim çdo lloj shpirti të ngjashëm. Ata jetonin në komunitet. Gratë përgatisnin ushqimin, ndërsa burrat bënin pazarin dhe pastrimin. Një ditë ata na ftuan për drekë dhe na ofruan një dhomë në bashkësinë e tyre. Babai trembej të nxirrte para, por mësuam se ky vend ishte themeluar nga një Komitet Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Hebrenjve nga Amerika, të cilët sillnin një sasi parash në ditë për çdo refugjat….

Jeta ishte kthyer tashmë në rutinë. Kisha vizituar pjesën më të madhe të Durrësit; nuk kishte shkollë dhe pak libra për t’u lexuar, ndaj isha e trembur kur më kërkuan t’u mësoja gjermanishten dhe frëngjishten. Ato ishin vajzat e një ministri të kabinetit shqiptar, i cili kishte vdekur dhe e ëma e tyre nuk donte t’i kthente sërish në Itali ku kishin ndjekur shkollën. Vëllai i tyre ishte një nga djemtë e rinj me të cilët zura shoqëri. Ishin kohë të çuditshme për mua, nuk kisha dhënë kurrë mësim dhe dy nxënëset e mia ishin vetëm pak vite më të vogla se unë. Nuk flisnim gjuhë të përbashkëta: ato flisnin italisht dhe shqip, ndërsa unë gjermanisht dhe pak frëngjisht. Merreshim vesh me shenjat. Ato e pëlqenin shumë mësimin, ndaj m’u kërkua t’u jepja edhe matematikë…

Duke qenë e vetmja refugjate në qendër të vëmendjes, unë e shijoja këtë. Ndonjëherë, pas mësimit më ftonin në shtëpinë e nxënëseve të mia, një ambient që përdorej vetëm nga femrat e familjes. Nuk lejohej të hynte asnjë mashkull, qoftë edhe i familjes. Një mëngjes, ndërsa u jepja mësim dy nxënëseve të mia në një dhomë të katit të dytë, dëgjova të bërtitura dhe zhurma poshtë. Mes asaj zallamahie njoha edhe zërin e tim ati e zbrita poshtë të shija se çfarë po ndodhte. Pashë një grup grash të familjes rreth tim ati, të cilat po mundoheshin ta nxirrnin jashtë. Babi i shkretë nuk e kuptonte çfarë po ndodhte. Me zor i shpjegova se kishte hyrë në një vend ku nuk lejoheshin burrat. Ai kishte ardhur sepse një polic i prefekturës i kishte kërkuar të raportonte në zyrën e tij. Ai dëshpërimisht më donte mua si përkthyese. E kisha njohur policin nga larg, teksa kaloja rrugëve e shoqëruar nga një grup djemsh të rinj. Ne hymë në zyrën e tij. Ishte ulur pas një tavoline të madhe, e cila thuajse e mbulonte.

Na ftoi të ulemi përballë dhe më pyeti se pse kisha shkuar atje, kur ai kishte kërkuar vetëm tim atë. I shpjegova se isha vetëm në rolin e përkthyeses. E përsëriste vazhdimisht se prania ime ia vështirësonte gjërat së tepërmi. Më në fund më tha ta pyesja tim atë nëse kishte leje për mua. I kërkova të ishte më i qartë. Pas një heshtjeje të gjatë tha: “Në Shqipëri ka një ligj i cili detyronte burrat që kontrollonin një prostitutë, të kishin leje për të dhe ajo duhet t’i nënshtrohej një kontrolli mjekësor të vazhdueshëm. Atëherë e kuptova se liria dhe sjellja ime me djemtë e rinj i kishte lënë të kuptonte se isha prostitutë profesioniste dhe babai im fitonte para nga unë. Babi më kërkonte t’ia shpjegoja. E dija se po t’i thoja të vërtetën do të tërbohej. Qetësisht i thashë policit se nuk isha prostitutë, që isha ende e virgjër, se isha e gatshme t’i nënshtrohesha një vizite mjekësore dhe se babai im do të fyhej nëse do t’ia përktheja pyetjen. Po i shpjegoja atij, i cili nuk kishte qenë kurrë jashtë Shqipërisë se vende të ndryshme kanë sjellje të ndryshme. Ai po tregohej i interesuar të dëgjonte më shumë.

Pak para Pashkëve, më 1939, Musoli pushtoi Shqipërinë. Ushtria e vendit ishte shumë e dobët: nuk kishin më shumë se një duzinë armësh dhe flota e tyre përbëhej nga jahtet personale të Mbretit Zog. Miqtë e mi shqiptarë më treguan se sa e rëndësishme ishte liria për ta, por ishin shumë pak për ta ruajtur. Sapo anijet luftarake italiane u dukën në horizont, Durrësi u bë kaotik. Të pasurit u shpërngulën nxitimthi në brendësi të qytetit. Njerëzit po sulmonin dyqanet për të pasur rezervat, dritaret u mbyllën dhe në stacionin e autobusit qëndronin shumë njerëz duke pritur t’i merrte e t’i largonte që aty. Banorët e komunitetit tonë u lajmëruan të linin shtëpitë. Pushtimi italian pritej të Premten e Mirë. Një mbrëmje më parë qyteti ishte i shkretë, përveçse disa ushtarëve shqiptarë. Komuniteti ynë bëri një mbledhje urgjente për të diskutuar mundësitë tona. Pas shumë debatesh të nxehta, u pa e udhës të qëndronim në Durrës e të shihnim se si do të na trajtonin autoritetet italiane.

Vendosëm që derisa të pushonin luftimet, të fshiheshim në qilarin e ndonjë prej shtëpive të braktisura nga vendasit. Asnjë nga ne nuk vuri gjumë në sy, prisnim gjithë ankth të pashmangshmen. U mundova të isha e qetë, por prapë e kapja veten nëpër ëndrra. Kisha harxhuar shumë kohë e energji që të krijoja një “parajsë” në Shqipëri dhe ja ku isha sërish e shqetësuar për jetët tona. Nuk e kisha idenë nëse italianët do të ishin antihebre sa gjermanët dhe nëse ashtu si Hitleri donin të çliroheshin nga ne. E kishim braktisur mundësinë të largoheshim drejt Anglisë për shkak të babait. (Vetëm vajza dhe e ëma kishin mundur të merrnin viza kalimi).

Pushtimi i Musolinit kishte pezulluar përkohësisht gjithë udhëtimet jashtë vendit, dhe kjo na kishte vënë në panik. Ne duhet të ishim në Angli në fund të prillit, kur do të skadonin lejet tona të kalimit. Një nga mundësitë ishte të fluturonim për në Itali dhe Francë, por edhe udhëtarët transit duhet të kishin viza franceze, por këto nuk ishin të lejuara për pasaportat që mbanin një “J” të kuqe. I vetmi agjent udhëtimi në Durrës na sugjeroi të merrnim anijen e mallrave për në Napoli, e cila do të nisej më 20 prill e mbërrinte pas nëntë ditësh në Angli. Pa mundësi të tjera, e pranuam sugjerimin e tij. Nga Durrësi udhëtuam për në Bari e pastaj me tren, deri në Napoli. Ndarja nga babai ishte një nga momentet më të vështira të jetës sime. Isha e dëshpëruar dhe doja që të vinte me ne, dhe u ndjeva shumë keq kur e lashë pas. U përqafuam fort dhe mendoja nëse do ta shihja sërish..!/voal.ch/