Libri i Kaloçit, “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist…”. zbulohet letra e rrallë e Sejfulla Malëshovës për Enver Hoxhën në vitin 1961, ku i kërkon që t’i njihet si vjetërsi pune periudha kur ishte emigrant në Francë dhe ajo e Luftës në Shqipëri

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Dokumenti që po publikojmë në këtë kapitull të librit, është një letër e rrallë e Sejfulla Malëshoves, i cili nga qyteti i Fierit ku e kishin degdisur si punëtor dhe magazinier që nga viti 1950-të pas mosmarrëveshjeve që kishte pasur me Enver Hoxhën, detyrohet që t’i shkruaj përsëri ish “shokut të tij të armëve”.

Pasi kishte prekur dekadën e gjashtë të jetës së tij, por me plot ulje dhe ngritje, nga që për nga karakteri thuhej se ishte rebel dhe idealist i pandreqshëm, duke provuar si emigacionin politik për vite me rradhë jashtë atdheut, ashtu dhe majat e pushtetit, si deputet, ministër dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, aty në barrakën ku jetonte krejt i vetëm (rrethanat e jetës nuk ia mundësuan krijimin e një familje), ka filluar të plotësojë dokumentet për pensionin e pleqërisë.

Pasi ka shkruar disa letra në adresë të autoriteve lokale të rrethit të Fierit dhe ka marrë përgjigjie negative, është detyruar që t’i shkruaj vetë Enver Hoxhës, por duke mos i kërkuar asnjë lëmoshë apo favor?! Thjesht që t’i jepej e drejta që i takonte në bazë të ligjeve në fuqi. Në letrën e tij, nuk ka munguar të shkruaj: “Nuk e kam tradhëtuar kurrë partinë dhe atdheun tim”, gjë të cilën me shumë gjasa duket që Malëshova e ka nxjerrë nga zëmra, pasi i tillë ishte vërtet, një “idealist i pandreqshëm”….?!

Ndërsa tradhëtarë, ishin të tjerët…dhe koha tregoj se nuk kishte gabuar?! Nisur nga këto dhe plot gjëra të tjera që ndanin hendekun e madh me ish-shokët e tij të armëve, nuk dihet me saktësi se sa ka besuar vetë Sejfullai në zgjidhjen e problemit për të cilën edhe po i shkruante direkt ish “shefit” të tij të dikurshëm, por çuditërisht ai ka marrë një përgjigjie pozitive dhe problem i pensionit i është zgjidhur. Duket se Enver Hoxha kësaj rradhe kishte vënë dorën në zëmër dhe si rrallë ndonjëherë po u përgjigjej pozitivisht ish-shokëve të tij të idealit dhe armëve, me të cilët tashmë i kishte ndarë rrugët njëherë e përgjithmonë.

Kjo gjë bëhet e ditur edhe nga këto dokumente arkivore që publikohen për herë të parë në faqet e këtij libri, ku autorit të poezisë së famëshme “Përse e dua Shqipërinë”, nënshkruar me pseudonimin letrar, Lame Kodra, i është akorduar pensioni që i takonte edhe në bazë të ligjeve në fuqi.

Por atë pension ai nuk mundi ta gëzonte më shumë se dhjetë vjet, pasi në vitin 1971, në rrethana ende të paqarta, aty në Barrakën Nr. 1 të qytetit të Fierit, mbylli sytë përgjithmonë duke u ndarë nga kjo jetë që ai, qoftë si fanolist, antizogist, komunist apo demokrat-liberal, ia kishte kushtuar të gjithën Shqipërisë.

SEKRETARIATIT TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH

TIRANE

(Shokut Enver Hoxha)

Unë i nënshkruari Sejfulla Malëshova, magazinier në Fier, kam nderin t’ju parashtroj lutjen si më poshtë:

Jam 61 vjec, dhe sipas ligjës, kam të drejtë të dal në pension.

Po të punoj, me pension të plotë, marr dhe 2000 lekë përmbi rrogën. Jam në gjëndje të punoj dhe vetëm rroga e vogël më shtyn të kërkoj pension dhe kështu u hodha lutje dhe kërkova të më njiheshe koha kur kam punuar jashtë Shqipërisë, sikurese e parashikon edhe vetë ligja e pensioneve, Komiteti Ekzekutiv i K.P. të rrethit të Fierit, duke përdorur të drejtën e tij, nuk ma njohu këtë kohë si vjetërsi pune, duke thënë se ”ka ndryshuar qëndrim politik”. Kjo do të thotë se qëndrimi im politik ka ndryshuar në parim: kam lëftuar dhe kam punuar për këtë republikë dhe për këtë parti një kohë, por tani nuk jam me këtë pushtet dhe me këtë parti.

Kjo nuk është e vërtetë. Unë kam bërë shumë gabime, por për një gjë të cilën nuk e kam bërë dhe nuk do ta bëj kurrë, të tradhëtoj vëndin tim dhe partinë time. Kam dyzet vjet që punoj në këtë rrugë dhe ka ardhur koha që të bindet për këtë gjë edhe Komiteti Ekzekutiv i K.P. të rrethit të Fierit. Unë nuk kërkova pension patriotik apo pension për merita shërbimi, por pension pleqërie.

Në Bashkimin Sovjetik nuk kam punura vetëm si komunist shqiptar, por edhe si punonjës. Në Francë lashë punën dhe shkova, siç e di këtë shoku Enver Hoxha, në post të Sekretariatit të Internacionales Komuniste. Partija jonë besoj se e njeh këtë punë si një punë që ka lidhje me të. Prandaj unë iu luta këtij sekretariati dhe personalisht shokut Enver, të paktën që të njihet koha kur unë kam qenë në Francë (1939-1941) dhe në Shqipëri përpara çlirimit (1943-1945), duke më dhënë një vërtetim për pjesëmarrjen time në luftën nacional-çlirimtare.

Kjo më mjafton për të marrë pension të plotë.

Me shpresë se kjo lutje e ime do të merret parasysh

Me respekt

Sejfulla Malëshova

Lagjia 18 Tetori, Barraka Nr.1

Fier

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….

SHENIMI NE LETREN E SEJFULLA MALESHOVES

Me porosi të shokut Enver, u njoftua sekretari i parë I K.P. shoku Pirro Gusho, ta thërrasin sejfulla Malëshovën dhe ta njoftojnë se shoku Enver e morri letrën e tij, dhe për çështjen që ngre t’I drejtohet Kryeministrisë e do të shikohet në mënyrë të favorëshme për të.

30.8.1961

Merr pensionin në rregull/Konica.al/