Gjallë je, nënoke? Edhe unë
Gjallë jam. Shëndet më paç, shëndet!
Dritë e bëftë krejt kjo mbrëmje e lume
Izbën tënde, që me mall më pret.

Thonë se je ligur e je tretur
Nga meraku im, po nuk ankon,
Se, pështjellë me një shall të vjetër,
Fillikate rrugës shpesh kalon.

Dhe kur mugëtirë e kaltër bie,
Një vegim i zi të kall ty frikë,
sikur në një sherr diku në pije,
Vjen dikush e ma këput me thikë.

Kot, e dashur, vuan kaq, besomë,
Brenga t’i fanit këto ndër sy.
S’jam aq pijanec i lig sa ç’thonë,
Si do vdes pa të të parë ty?

Unë jam po foshnje, si një herë,
Dhe një shpresë veç ushqej në gji:
T’iki nga ky tym e kjo poterë,
Te shtëpiza jonë aty të vij.

Dhe do vij, kur kopshti ynë i bardhë
Anekënd të vishet me blerim.
Vetëm ti, si tetë vjet më parë,
Mos më zgjo aq herët në agim.

Mos e zgjo atë që shkrumb iu bënë
Endërrat e moshës plot hare.
Më ka vrarë jeta mjaft, o nënë,
Dua veç të shlodhem e të fle.

As t’i lutem Zotit mos më thuaj,
Si dikur në t’artën mituri,
Ti ke mbetur ngushëllim për mua,
Dritë e parrëfyer, vetëm ti.

Ndaj merak ti mos m’u bëj aq tepër,
Tek e liga mendjen mos e ço,
Dhe aq shpesh, me shallin tënd të vjetër,
Fillikate rrugën mos kalo.