Treni ndaloi në njërin nga stacionet e qytetit Boston, prej ku dolën dy bashkëshortë të veshur me rroba të thjeshta. Gruaja kishte veshur diçka të pambuktë, ndërkohë që i shoqi kishte veshur një bluzë të punuar me dorë. Me hapa të ngadaltë, ata u drejtuan për tek zyra e presidentit të universitetit Harvard, edhe pse nuk kishin lënë takim me të. Sekretarja e presidentit, pasi rrudhi buzët nga kërkesa e këtyre dy njerëzve të thjeshtë, u tha:

“Më vjen keq, por presidenti është shumë i zënë sot. Ai nuk mundet t’u takojë.”
Por zonja nga fshati iu përgjigj aty për aty: 
“S’prish punë, do e presim derisa të përfundojë.” 

Dy bashkëshortët pritën e pritën për orë të tëra, gjatë të cilave sekretarja nuk ua vari fare, madje i injoroi. Ajo uronte që ky çift të mërziteshin dhe të largoheshin sa më parë, por çifti nuk manifestonte asnjë shenjë mërzie dhe humbje durimi. Mesa duket, ata i kishte sjellë diçka shumë e rëndësishme. Me kalimin e kohës dhe këmbënguljen e dy bashkëshortëve, sekretarja vendosi ta ndërpresë presidentin dhe i kërkoi të takohej me një çift të çuditshëm të cilët nuk i shqiteshin.

Presidenti pohoi me kokë dhe u ngrit i mërzitur duke lënë punën përgjysmë. Personat që zënë poste të ngjashëm me të tij, nuk kanë kohë të takohen veçse me elitën vendase. Sakaq, ky çift fshatar me ato rroba të thjeshta nuk i përkisnin shtresës elitare. Megjithatë, ai pranoi t’i takojë vetëm për disa minuta, me shpresë se do t’i përcillte.
Me të shkelur në zyrën e presidentit, zonja i tha: 

“Ne kemi pasur një djalë që studionte në universitetin tuaj. Pasi kreu vitin e parë, ai vdiq në një aksident me makinë. Meqë ai ndihej i lumtur për faktin që studionte në këtë universitet me famë, ne kemi vendosur të ngremë një memorial në universitet, për të përjetësuar emrin e djalit tonë.”

Drejtori nuk u prek fare nga fjalët e kësaj zonje, madje u tregua paksa i ashpër duke i thënë:
“Dëgjo moj zonjë! Ne nuk mund të ndërtojmë statujë që do të mbajë emrin e djalit tuaj i cili paska studiuar tek ne dhe që tashmë ka ndërruar jetë. Në të kundërt, ky universitet do të shndërrohej në një vend plot statuja dhe pllaka përkujtimore.”

Zonja ndërhyri dhe i tha: 
“Jo, ne nuk duam të ndërtojmë qoftë dhe një statujë të vetme për djalin. Ne thjesht duam të financojmë ndërtimin e një godine tjetër të universitetit, e cila do të mbajë emrin e djalit tonë.”

As këto fjalë nuk i bënë përshtypje aspak presidentit, i cili me ironi ia ktheu:
“A e keni idenë sa kushton ndërtimi i një godine të tillë në këtë universitet?! Godinat ekzistuese na kanë kushtuar qimet e kokës, mbi shtatë milionë e gjysmë dollarë!”

Pllakosi heshtja në zyrë. Mesa dukej, presidenti po ia dilte mbanë për t’i hequr qafe këto dy persona të bezdisshëm. Këtu, zonja u kthye nga i shoqi dhe i pëshpëriti: “Zoti Standford! Meqë kjo qenka kostoja e ndërtimit të një universiteti, përse të mos ndërtojmë një universitet të plotë të cilit do i vëmë emrin e djalit tonë?”

I shoqi tundi kokën në shenjë pohimi.
Leland dhe Jane Standford dolën nga zyra e presidentit të universitetit dhe u nisën menjëherë për në Kaliforni, ku ndërtuan universitetin Standford, i cili akoma mban emrin e familjes së tyre. Këto ishin ngjarje që u zhvilluan në vitin 1884.

Është shumë e rëndësishme ta dëgjojmë palën tjetër me kujdes dhe ta kuptojmë. Megjithatë, e dëgjuam apo jo, e kuptuam apo jo, nuk bën t’i gjykojmë njerëzit nga aparenca, veshja dhe mënyra si flasin. Libri nuk lexohet nga kapaku.

Burimi: Akropoli i Ri