Shegushe Bebeti
Shegushe Bebeti

E kush nuk e ka fiksuar rolin e Pinokut, të Borëbardhës dhe shumë të tjera nga teatri i kukullave, që dikur mbante të ngulitur pas ekranit mijëra fëmijë. Sot edhe teatri i kukullave ka problemet e veta por asnjëherë spektatorët nuk mungojnë dhe kjo i jep shpresë aktorëve të vjetër e të rinj për një zhanër që kërkon vëmendje.

Aktorja e njohur e Teatrit të Kukullave, Shegushe Bebeti nuk ndalet edhe pse ka 34 vjet që luan role dhe kënaq të vegjlit me interpretimin e saj. Së fundi ishte pjesë e festivalit botëror në Kazakistan ku grupi i saj duke sjellë një version të “Alibaba dhe Hajdutët”, nuk u largua pa çmim. Ajo i konsideron festivalet një shkollë më vete dhe është gjithmonë e gatshme të marrë pjesë dhe të përfitojë nga trupat e teatrove nga e gjithë bota.

Në një intervistë për konica.al Shegushe Bebeti rrëfen të fundit nga jeta e saj si aktore por aktivizimi në dobi të fëmijëve në nevojë.

Së fundi, z. Bebeti, ju ishit pjesëmarrëse bashkë me grupin në një festival të rëndësishëm për teatrin për fëmijë siç ishte ai Kazakistanit. Si erdhi kjo pjesëmarrje dhe çfarë solli të re për ju?

Pjesëmarrja në kompeticione të ndryshme sidomos në Festivalin me të madh botëror, siç është “Ëorld Puppet Carnival”2017, që u zhvillua ne Astana-Kazakhstan, është shumë i rëndësishëm sepse përballesh me eksperiencat më të mira dhe kultura e stile të ndryshme teatrore, me teknika kukullash e koncepte regjizoriale nga me të avancuarat, pra është një ballafaqim i shkëlqyer për të parë e kuptuar në çfarë niveli është Teatri ynë i Kukullave. Në 34 vjet të punës time si aktore në Teatrin e Kukullave, kam marrë pjesë në shumë festivale dhe gjithnjë kur jam kthyer kam sjellë një gjë të re. Këtë radhë unë isha me dy kolege te mi, te angazhuar ne Qendrën ACA (qendër në ndihmë të komunitetit) me një shfaqje tonën private “Alibaba dhe hajdutet”.

Në Shqipëri mungon një shkollë e mirfilltë për të mësuar tekniken e kukullës, regjinë e skenografinë për këtë zhanër, prandaj festivalet janë një shkollë për ne. Sot me mundësitë që të krijon interneti, mund të marrësh informacion pa fund rreth festivaleve teatrore dhe të zgjedhësh ku ke dëshire të shkosh. Ne aplikuam dhe nga 234 vende që kishin aplikuar u zgjodhën 30, ndër ta edhe Shqipëria, pra ne, dhe ajo që na gëzoi me shume ishte marrja e njërit prej çmimeve të festivalit “The best original music”. E reja e këtij festivali për mua ishte llojshmëria e shfaqjeve që jepeshin në skenat e hapura në rrugë. Një eksperiencë që do të na ndihmojë shumë në të ardhmen.

Ju i shërbeni fëmijëve jo vetëm nëpërmjet Teatrit të Kukullave por dhe në forma të tjera. Pse është kjo zgjedhje?

Tu shërbesh fëmijëve besoj është gjëja më e bukur që mund të bësh. Rritja dhe edukimi i tyre përmes artit i bën më të vlefshëm për shoqërinë. Unë i adhuroj fëmijët dhe puna me ta nuk më lodh kurrë, përkundrazi më jep kënaqësi. Ka plot fëmijë të varfër që nuk kanë mundësi të ushqehen, vishen e jo më të shkojnë të shohin një shfaqje teatri apo një film për fëmijë. Kjo është arsyeja që më bën të gjendem me shfaqje teatër kukullash, shpesh pranë tyre. Ndonjëherë duke festuar edhe e veshur si një prej personazheve që ata pëlqejnë apo duke u treguar një përralle.

Fëmijët romë dhe egjiptianë janë aq te varfër sa shpesh ndodh që nuk shkojnë në shkollë. Janë analfabetë dhe kjo është një nga arsyet që dua të jem pranë tyre me shfaqje teatri, tu përcjellë mesazhe edukuese e jetëdhënëse por edhe ti argëtoj për ta parë jetën me ngjyra të bukura e për ti nxitur ta duan shkollën, librin, teatrin etj.  Këtë angazhim e kam patur në vite dhe jam nxitur edhe nga mikesha ime që drejton një qendër në ndihmë të  komunitetit në nevojë, e cila punon më shumë përkushtim për të integruar në shoqëri fëmijët e komunitetit rom.

Është e vërtetë që jam tashmë një nga aktorët më të vjetra të Teatrit të Kukullave, plot 34 vjet dhe që kam interpretuar mbi 100 role, të cilat kanë mbetur në kujtesën e disa brezave fëmijësh. Kjo me jep kënaqësi të veçantë dhe më bën të ndihem e lumtur. Unë kam shume personazhe të dashur në jetën time dhe është vështirë ti ndaj, por do kisha kënaqësi ta risjell në skenë personazhin e Pinokut, sigurisht jo duke e interpretuar vetë si njeri, siç kam bërë për 25 vjet rresht, por duke e interpretuar me kukull, do të ishte mjaft interesante, pasi Pinoku është një figurë çamarroke plot aventura dhe fëmijët e duan shume. Kam në plan një projekt të bukur për Teatër Kukullash, të cilin dua ta realizoj këtë vit.

Është e vërtetë që shumica e aktoreve të vjetër ka dalë në pension dhe shumë pak kanë mbetur, por në Teatër kanë ardhur aktorë të rinj, të cilët shpresoj ta çojnë përpara këtë zhanër të veçantë të artit teatror.

Mendoj që Teatrit të Kukullave për fat të keq, gjithnjë i është kushtuar shumë pak vëmendje, kjo duket që në fondin e pakët buxhetor që i jepet. Në këtë institucion investohet shumë pak. Po ta krahasosh me Teatrot e Kukullave nëpër botë, ne jemi shumë të varfër në teknikë, ndriçim, foni, sidomos në stafin e prapavijës. Ne nuk kemi një skulptor që të bëj kukulla, nuk kemi një teknik kukullash, nuk kemi një rrobaqepës, njerëz te domozdoshem për te realizuar dhe mbajtur ne efikasitet repertorin e Teatrit, sepse Teatri i Kukullave, është teatër repertori. Tek ne spektatori nuk mungon kurrë, dhe duke qenë gjithnjë prezent, kërkon llojshmëri shfaqjesh. Tek ne një shfaqje e ka jetëgjatësinë 10 vjet, për këtë arsye stafi i prapavijës duhet te jete i kompletuar. Problematikat janë te shumta. Siç e kam thënë dhe me sipër, mungesa e një shkolle te mirëfilltë, bën që tek ne të emërohen aktorë të rinj që nuk e njohin këtë zhanër. Për këtë duhet që drejtuesi i institucionit të ndërtojnë politika bashkëpunimi me teatro të huaja, për t’ju krijuar mundësi aktoreve te rinj te specializohen, ose të marrin pjesë në workshope që zhvillohen për këtë lloj teatri.

Si mund te gjallerohet teatri i kukullave?

Mendoj që gjallërimi i Teatrit të Kukullave vjen me një menaxhim të mirë nga drejtuesit. Duhet që Teatri të funksionojë çdo ditë me shfaqje. Tirana është kaq e madhe dhe ka kaq shumë shkolla e kopshte plot me fëmijë, që po ti organizosh e mbushin sallën e teatrit çdo ditë. Duhet të vihen shfaqje cilësore, me nivel të lartë artistik që të tërheqësh sa më shumë spektator. Duhet të investosh në reklamën dhe promovimin e institucionit. Edhe pse me buxhet të vogël, drejtuesit duhet të gjejnë sponsor që Teatri të lëvizë edhe nëpër qytetet e tjera të Shqipërisë dhe të marrë pjesë në festivalet internacionale e europiane jashtë vendit etj, etj. Mbi të gjitha teatri gjallërohet kur ke një strategji të qartë drejtimi, kur përpiqesh ta njohësh e ta duash këtë zhanër të veçantë dhe kur krijon një atmosferë artistike të ngrohtë që i nxit artistët të krijojnë e punojnë me përkushtim, gjë që fatkeqësisht i mungon Teatrit te Kukullave sot./konica.al/