Në vitin 1982, kësmeti trokiti dy herë në portën e shtëpisë sime. Kësmeti i parë: u martova në moshën 35 vjeçare, pikërisht kur të gjithë menduan se i mbeta në derë familjes. Nusja, ishte vajzë e vetme. Mendja më vajti për mirë: Si shkodrane, me siguri do më bjerë një pajë me “dhjamë”…

Një natë me hënë më thotë nusja, me lotët që i rridhnin çurkë mbi faqe dhe përfunduan në gjoksin tim:

-E di që më do. E di që nuk ma prish. Më vjen turp nga vetja, që si vajzë e vetme, të mos i kem afër prindërit. Ju luta mamit dhe babit, të lënë Shkodrën, rehatinë e tyre, dhe të jetojmë së bashku…

-Pranuan ta bëjnë këtë sakrificë,- thashë me gjysmë zëri-, ndërsa kujtova Nonda Bulkën që thoshte: “Çdo e mirë e ka një të keqe. Më vdiq vjehrra, gjëja e mirë. Duhen bërë shpenzimet për varrim, gjëja e keqe”!

-E do një surprizë? Javën tjetër i kemi mes nesh. Ti do jetosh si veshka mes dhjamit!

-Mitrushit të Çelajve,- e komentoi këtë fakt Filip Çakulli,- nusja nuk i solli një fishek në pajë, por një bombë, domethënë vjehrrën bashkë me vjehrrin. Hallall! Duke qenë në raportin tre nga familja Shestani dhe një nga familja Çela, Mitrushi na u bë kollovar… dhe ha-ha e ku-ku me Koço Devolen dhe Ceken e Beratit.

Kësmeti i dytë: Pasi “kullota” për 10 vjet si gazetar, më dhanë “nishanin” e shefit të sektorit ekonomik në gazetën “Zëri i popullit”. Në ato vite kryeredaktorit të gazetës, Arshin Xhezo, i vinin dy buletine nga ATSH-ja. I pari me lajme bajate nga vendi, qarkullonte zyrë me zyrë. I dyti, quhej “Buletin i verdhë”. “Top sekretet “ vetëm për udhëheqjen e partisë. Botoheshin me letër të veçantë, më ngjyrë të zverdhur. Kishte artikuj të përkthyer nga gazeta franceze, italiane, angleze dhe amerikane. Herë pas here, kryeredaktori më ftonte në zyrë dhe më jepte për të lexuar “Buletinin e verdhë”, pasi përsëriste avazin: “Kujdes shoku Mitro! Përtypi materialet si njeri, dhe mos i ripërtyp si bagëti, për t’i treguar në pazar. Mos kuvendo as me gruan”.

Por një natë, unë ia hapa barkun gruas. E bëra këtë mëkat, thjesht nga dashuria…

Ishte mes shkurti 1983-shit. Mes “Buletinit të verdhe” gjeta një artikull për Shën Valentinin. E këndova dy herë për ta fiksuar në tru. U ktheva vonë në shtëpi. Vumë në gjumë “çiftin në pajë” dhe nisa t’i tregoj esmeres sime lezet me kripë:

-Në Romë, Paris a Londër, më 14 shkurt bëhet një festë e rrallë. Quhet “dita e të dashuruarve”. Të dashuruarit i falin njeri-tjetrit trëndafila të kuq.

-Trëndafila? Pse edhe në Romë dyqanet janë bosh, si në Tiranë?!

-Kush të tha që në Tiranë dyqanet janë bosh? E lexove gazetën “Zëri i popullit” ku u botua lajmi se Meksika na dha medaljen për ushqimin bio të popullit?!

Kur u futëm në krevat, vazhdova tregimin… Në Romë kanë jetuar dy Valentinë. Njeri prift. Tjetri peshkop. Prifti jetoi në shekullin e tretë. Peshkopi në shekullin e katërt. Kishin tre gjëra të përbashkëta: emrin, Valentin; vdekjen, më 14 shkurt; u vranë në Romë, në rrugën Flamini. Të dy vendosnin kurora për martesë. Bënin “paqe” mes çifteve të “thartuar” me njëri- tjetrin. Bënin dhurata për të varfrit. Në shkrimet fetare gjendet edhe një letër me këtë tekst: “Një ditë, peshkopi ose prifti Valentino dëgjoi përtej gardhit të kopshtit, dy të rinj që po grindeshin. Pasi dëgjoi bisedën, njeriu i Perëndisë këputi dy trëndafila dhe doli nga kopshti. Një trëndafil ia dha djalit, tjetrin vajzës. Pastaj u tha disa fjalë zemre. Kaq mjaftoi dhe vendin e sherrit e zuri dashuria”…

Me kalimin e viteve, bëmat e priftit dhe peshkopit u shkrinë në një legjendë… Në vitin 498 papa Gelasio, e konsideroi 14 shkurtin si festën e Shën Valentinit, ditën e të dashuruarve.

Zonja ime nuk foli. Ra në mendime. Pse vallë?… E nuhata!… Në “Ditën e të dashuruarve” nuk dhurohen vetëm trëndafila. Lulet janë si simbol për të kujtuar Shën Valentinin. Më 14 shkurt burri i jep gruas një darkë në restorant. I blen një palë këpucë allafrënga. Ndodh që më 14 shkurt gruaja “ngjiz” një fëmijë si dhuratë për burrin e dashur… Në vendet kapitaliste dhuratë mund të jetë edhe një makinë, një vilë…

-Po prindërit, mund të quhen si dhuratë për burrin?, – tha zeshkania duke përplasur qepallat.

-Nuk të flas dot. Është nga dhuratat e rralla, që nuk ka gjetur vend në “Buletinin e verdhë”. Por në Japoni ka diçka të veçantë. Bëhen dy festa. 14 shkurti është për vajzat e dashuruara. Ato blejnë çokollata dhe ua dërgojnë djemve. 21 shkurti është dita e djemve të dashuruar. Quhet “Dita e bardhë”. Nëse djali e dashuron vajzën që i ka dërguar një kuti me çokollata, duhet t’i bëjë një dhuratë tepër të shtrenjtë. Është ky “sebepi” që dhuratat e djemve janë më me pakicë.

-Kam një ide,- më thotë zonja. Nesër është e diel. A nuk shkojmë në Shkodër të hamë një tavë krapi? Ta llogaris si dhuratë për 14 shkurt… Por, më parë duhet të bësh detyrën e shtëpisë, të blesh qumësht për djalin.

Vura zilen. Në orën katër të mëngjesin zura radhë. Para meje kishte 30 burra e gra, që kishin zënë radhë para meje… Erdhi makina. Punëtorët zbritën arkat me qumësht. Bëmë llogarinë. Nuk arrija të merrja qumësht… Po halli? Para meje kishte zënë radhë drejtori i fabrikës së porcelanit. Duke e pasur mik, pa teklif i kërkova të më jepte borxh një shishe qumësht. Më pa me mallëngjim, por nuk ma dha… U ktheva në shtëpi me bisht në shalë… E kisha hak dajakun: duhet të isha zgjuar në orën tre të mëngjesit… Po ruajna Zot! Në aneks ishin dy shishe qumësht… Vjehrri ishte zgjuar në orën dy.

Para se të nisesha për në Shkodër, mora në telefon Masar Zekën, shefi i seksionit të tregtisë. Në orën 14 zumë vend në një lokal karshi “Kafes së madhe”. U bëmë katër çifte. Mes tyre edhe Tano Banushi, miku im dhe fis me zonjën. Mbi tavolinë kishte turshi, djathë, qepë, byrek dhe vishnjak. Nxora nga çanta dy shishe vere “Sheshi i zi”. I kisha “peshqesh” nga drejtori i tregtisë në Përmet… Mbushëm gotat. “Fillojmë, – thashë unë, – sa të bëhet tava e krapit”…

Shkodranët panë njëri-tjetrin në sy. Tano Banushi mori gotën dhe tha:

“Gëzuar! Krapi ka cof e mishi ka dek. Kuzhinës i kena vu drynin. Gjanat mi tavolinë i sollëm nga shpia. Për qef”.

-Ku ka ik krapi?…

-Do ju tregoj një histori, – shtoi Tanoja. Në vitin 1979 erdhi për vizitë në Shkodër Mehmet Shehu, kryeministër. I thartë si burrë shteti. Bëri një takim me peshkatarët. Plani ishte realizuar vetëm 35-së për qind. “Hata e madhe”, – kryeministri ulëriu. Kërkonte shkaqet. Nuk u bind. Kur mbaroi mbledhja, drejtori i peshkimit i thotë kryeministrit:

-Dëshironi të pini një kafe?

-Miku nuk pyetet, – tha shoku Mehmet.

-Jeni mik me huqe ju shoku kryeministër

Qeshën të gjithë. Më shumë kryeministri. Duke përfituar nga gazi, mes avujve të kafesë turke, drejtori e mori përsëri fjalën:

-Shoku Mehmet. Në mbledhje më mbeti merak pa të thënë një barcaletë që tregon Shtjefën Palushi… “Ndërmarrja e peshkimit duhet m’i marrë pasaporta krapit, që ai të mos arratiset n’ Malin e Zi”…

Kryeministri në fillim u zverdh. Pastaj u nxi në fytyrë. U ngrit në këmbë dhe sokëlliu:

-Si guxon të tallesh me pasaportën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë?

E la kafen përgjysmë… Një ditë më vonë erdhi fermani: drejtori i peshkimit u shkarkua…

Burimi: Shije.al