I lindur në Lezhë, më pas emigroi në SHBA në vitin 1990 ku dhe jeton aktualisht, kompozitori i njohur pohon se me muzikën nuk është ndarë asnjëherë edhe pse vështirësitë nuk kanë qenë të pakta. Jo pak këngë të suksesshme mbajnë emrin e tij si kompozitor, dhe në intervistën dhënë për gazetën, ai pohon se ka qenë shumë i vendosur dhe kërkues për sa i përket kualitetit në muzikë.

Themelues i grupit të suksesshëm “Djemtë e detit”, kompozitori Shkëlqim Rustja vjen në një rrëfim dhe mbi krijimin e këtij grupi, punën për të arritur suksesin dhe koncertin e parë që në 1990 me muzikë moderne. I ndodhur këto kohë në Tiranë ai zbulon në këtë bisedë dhe disa nga projektet e tij me muzikën, këngë të reja që do të vijnë për publikun.

I lindur në Lezhë, më pas emigroi në SHBA në vitin 1990 ku dhe jeton aktualisht, kompozitori i njohur pohon se me muzikën nuk është ndarë asnjëherë edhe pse vështirësitë nuk kanë qenë të pakta. Jo pak këngë të suksesshme mbajnë emrin e tij si kompozitor, dhe në intervistën dhënë për gazetën, ai pohon se ka qenë shumë i vendosur dhe kërkues për sa i përket kualitetit në muzikë. Themelues i grupit të suksesshëm “Djemtë e detit”, kompozitori Shkëlqim Rustja vjen në një rrëfim dhe mbi krijimin e këtij grupi, punën për të arritur suksesin dhe koncertin e parë që në 1990 me muzikë moderne. I ndodhur këto kohë në Tiranë ai zbulon në këtë bisedë dhe disa nga projektet e tij me muzikën, këngë të reja që do të vijnë për publikun.

Në aktivitetin tuaj artistik, jeni dhe krijuesi, kompozitori dhe orkestruesi i grupit ”Djemtë e detit”. Si e kujtoni punën me fillimet e grupit?

Ideja për krijimin e grupit lindi nga vitet që unë isha student, që nga ’87-’89. Isha student, kitar basist, por dashuria ime me muzikën lindi nga fizarmonika dhe pianoja ku në 1979 kam marrë një çmim me RTSH. U bë dhe një konkurs i instrumentistëve të vegjël dhe përfaqësova Lezhën, fitova çmim të dytë si fizarmonicist. Ndërkohë që unë incizoja gjithë ato këngë si kitarbasist, gjithmonë mendoja të kisha një grup timin dhe ti bija pianos.

Në vitet e mia ne dëgjonim shumë Dire Street, Eric Clapton, dhe doja të krijoja një grup që të përngjasonte me muzikën e grupeve famoze. Në Tiranë ishte e pamundur, sepse unë nuk kisha përkrahjen e duhur, kjo ishte arsyeja që unë u riktheva në Lezhë. U caktova në Lezhë më 1989 si dirigjent i Pallatit të Kulturës. Ishte koinçidencë njohja me instrumentistët Flamur Toska që kishte mbaruar për violë dhe Shkëlqim Meta basist i grupit.

Baza e krijimit të grupit ishte talenti i tyre. Baza e grupit filloi që në 1989, dilnim në mbrëmje vallëzimi të rinisë lezhjane, të tjera aktivitete të ndryshme. Fillimi i grupit “Djemtë e detit” filloi në këto mbrëmje. E kisha dhe si ëndërr reklamimin e këngëve të mia, që nuk i realizova dot në Tiranë, që ishin me tendenca moderne, dhe Lezha u bë një fushë e hapur për mua për krijimin e një grupi lezhjan të stilit modern. Gentin në fillim e kishim si simpatizant dhe nuk e dija që këndonte.

Por një ditë më tha që kam dëshirë të këndoj. E pyeta, di të këndosh? Po tha, dhe atë kohë ai ishte 16 vjeç. Mbeta i mahnitur nga talenti i tij. I thashë që do fillojmë provat menjëherë. Kështu ne filluam punën me grupin. Kënga e parë ka qenë “Dashuria” në koncertin në Lezhë, “Dritat e skenës”, me tekst të Gëzim Toskës, një këngë me tekst të Naim Frashërit, etj. Janë shumë këngë, por që nuk janë incizuar nga ajo kohë.

Gazetari i njohur me të cilin ju keni bashkëpunuar dhe për tekste këngësh si “Ëndrra ime” Alfons Zeneli ka pohuar se ju ishit shumë i vendosur dhe kërkues për sa i përket kualitetit që kërkonte grupi?

Kjo ka qenë një pikë e suksesit të parë që patëm, kjo reflektoi dhe më vonë pasi unë u largova nga Shqipëria. Arti kërkon punë të jashtëzakonshme për të arritur një sukses, aq më tepër që unë kisha një eksperiencë që unë kisha punuar dhe me grupin e Gjergj Lekës, që ishte atë kohë një nga grupet më të mira. Unë kisha një dëshirë të madhe që grupi im të arrinte rezultate, të tingëllonte, dhe t’iu përafronim grupeve të huaja që dëgjonim në televizor, dhe e vetmja mënyrë ishte një punë intensive.

Në ato vite, si ishin ndërtuar marrëdhëniet mes anëtarëve të grupit?

Kishim marrëdhënie të mira, kujtoj shakatë tona, kujtoj lojërat e futbollit në rërën e Shëngjinit, por aspekti i provave ishte pak kontradiktor, sepse ata kishin dëshirë që të dilnim në koncert menjëherë, pas 1 apo 2 muaj provash. Unë insistoja që duhej më shumë punë, aty u krijua një lloj përçarje edhe pse nuk ma shfaqnin haptaz. Ata kërkonin të krijonin famën menjëherë dhe mendonin vetëm për skenën dhe brohoritjet e spektatorëve. Ne akoma nuk kishim bërë koncertin e parë. Unë e shikoja që grupi nuk ishte akoma i gatshëm të jepte një koncert live, kërkoja një kualitet spektakolar, nuk doja të jepja një koncert province, doja të konkurroja në gjithë Shqipërinë. Kisha ëndrra të mëdha për grupin, por këto nuk u kuptuan mirë nga anëtarët. Treguan shenja lodhjeje dhe donin ti shmangin provat. Gjatë kohës që ishim në prova u larguan dhe disa herë nga Shqipëria, por vinin sërish. Në atë kohë edhe Genti u largua në Itali, dhe nuk u kthye për një periudhë të gjatë, i cili dhe në koncertin e parë në Lezhë në shtator të 1990 nuk ka qenë.

Koncerti i parë i grupit ” Djemtë e detit ”’ në shtator të vitit 1990 në Pallatin e Kulturës në Lezhë. Si e kujtoni atë koncert?

Largimi i anëtarëve të grupit, pengesat që u bënë dhe nga pushteti i asaj kohe nuk ishte e lehtë. Ky grup quhej disident, të gjithë ishim të përfshirë në ndryshimet demokratike. Koncerti i parë në shtator të 1990 u dha me shumë sakrifica. Por grupi mori disa kolpo para koncertit, si ikja e instrumentistëve, etj. Dua të përmend një fakt, konferencieri i parë në koncertin e “Djemve të detit” ka qenë zoti Aleksandër Frangaj. Ishte një koncert që nuk na e mori mendja se do kishte aq sukses. Jashtë ambienteve të Pallatit të Kulturës ishin rreth 600 veta, që nuk kishin arritur ta shihnin koncertin. Ishte një sukses që u kthye në një farë revolte, sepse Pallati i Kulturës nuk kishte aq shumë vende për publikun. Por koncerti u ndërpre, sepse njerëzit u revoltuan, nuk gjenin bileta. Ai koncert ishte sukses, por një muaj pas koncertit unë jam larguar nga Shqipëria.

Ju u larguat në Amerikë ku dhe jetoni sot, sa e vështirë ishte për ju ndërtimi i një tjetër jete?

Të mbijetosh në një shtet kaq të fuqishëm nuk ka qenë e lehtë. Unë isha një djalë i ri dhe nuk kisha as dokumentet për të realizuar një shkollë amerikane, gjë që u realizua shumë më vonë. Por Amerika e asaj kohe, Nju Jorku, kishte aktivitet artistik të jashtëzakonshëm. Pata fat, sepse një pronar i restorantit italian më mori në punë si pianobar. Tani jetoj atje, por merrem me muzikën, e kam bazën time. Atje performoj dhe kam dhe studio incizimi, merrem me produksione muzikore.

Në këto 25 vjet keni ardhur në Shqipëri, e keni ndjekur aktivitetin e grupit?

Ardhjet e mia në Shqipëri kanë qenë largime të shpejta, të kushtëzuar dhe nga statusi im i emigracionit, kohët e fundit kam marrë nënshtetësinë amerikane. Kanë qenë ardhja 2 javore dhe nuk kam pasur rast dhe mundësi që të qëndroj për ndonjë projekt muzikor.

Tani që jam këtu mendoj se ka ardhur koha që unë të merrem dhe me projekte muzikore. Kam dëshirë të paraqitem në dy aktivitete muzikore me dy këngë të krijuara prej meje. Programin e muzikës dhe orkestracionin e kam bërë vetë. Një tekst është i poetes Mimoza Ahmeti dhe tjetri është nga Mark Simoni. Janë dy balada.

Një ceremoni e zhvilluar në qytetin e Lezhës me rastin e dhënies së titullit “Mirënjohje e qytetit” grupit “Djemve të detit” nga ana e Bashkisë së Lezhës. A ishit pjesëmarrës në ceremoni?

Isha i pranishëm dhe performova, luajta në piano. U performuan disa nga këngët më të suksesshme të “Djemve të detit”, ku dhe unë këndova një nga këngët e mia “Ëndrra ime” me tekst të Alfons Zenelit.

Ishin të pranishëm banorë lezhjanë, anëtarë të bashkisë, u fol për historikun e “Djemve të detit”, por u folën dhe gjëra që nuk ishin reale.

Por ishte pak e a shumë aktivitet i improvizuar dhe u anashkaluan disa fakte kryesore se si u krijua ky grup, kur ishte koncerti i parë, etj. Unë jam orkestruesi i këngëve të “Djemve të detit”, nuk i jam i vetmi kompozitor.

Aty kompozitor ka qenë dhe kolegu im Bujar Daci, që ka kompozuar këngët si “Lamtumirë”, “Mos qaj”. Dua të theksoj që koncerti i 1990 kishte rreth 30 këngë origjinale, ne sot njohim 3-4 këngë, të tjerat fatkeqësisht siç pohova nuk janë incizuar.

Ju krijoni dhe vlerësoni krijimtarinë muzikore me vlera, por gjatë këtyre viteve në Shqipëri mbi krijimtarinë muzikore janë shfaqur shumë probleme?

Mendoj se kriza muzikore, në muzikë dhe tekste është globale. Vitet ’80 kanë qenë vitet më të mira në muzikë.

Edhe po ti referohemi aktiviteteve të ndryshme ndërkombëtare ne dëgjojmë pak këngë që kanë melodi apo tekst të fuqishëm. Se di cila është arsyeja, mbase stili i jetës që ka ndryshuar apo diçka tjetër.

Por në Shqipëri është bërë një hap përpara, ka aktivitete që kanë kualitet sa i takon incizimeve apo orkestracioneve, por emocioni i këngës që duhet mungon.

Eksperiencat kanë treguar që këngët e thjeshta, mbi një tekst të thjeshtë, melodi të tillë i rezistojnë kohës, ndërsa sot e gjithë bota është e përfshirë në këngët komerciale.

Intervistoi: Julia Vrapi

Burimi: www.lezhapost.com