U trumbetua si sukses për elektro-teknikën shqiptare.

Shkëlqimi dhe rënia e “Ilirisë”

Ishin vitet 80, kur Uzina e Radio Televizorëve Durrës (URT) filloi të prodhonte radion “Iliria”. Kjo pajisje përfaqsonte një arritje të madhe për elektro-teknikën në vendin tonë. Një radio tjetër Made in Albania hyri në shtëpitë tona. Ato ishin të pavarura nga rryma elektrike ( punonin me 4 bateri, kryesisht ato “Dielli” ) dhe kishin 7 transistorë dhe 2 dioda. Banda që ajo transmetonte ishte në valë të mesme MW dhe valë të shkurtra SW. Kjo e dyta SW nuk ofronte cilësi të mirë transmetimi, për faktin se në atë kohë ishte e ndaluar të dëgjoje radio të huaja.

E vërteta është se kjo radio nuk është 100% shqiptare. Materialet sigurisht vinin nga importi dhe montoheshin brenda kasës plastike e cila ishte prodhim vendas. Edhe skema e saj ishte e kopjuar nga një radio rumune “Miclov”, e cila filloi të prodhohej në 1977.
Sot radio “Iliria” është një gjah i mirë për koleksionistët, por mund ta gjesh edhe tek tregu i sendeve të përdorura, ashtu siç e gjeti dhe portali ynë.

Përgatiti: Petrika Naska/KorcaReport.com