Një njeri, duke ikur një ditë prej armiqve të tij të cilët po e ndiqnin në çdo hap, përfundoi në një shkretëtirë, por edhe atje armiqtë e tij e ndoqën. Pas një ikjeje të dëshpëruar përfundoi në një shpellë pothuajse plotësisht të errët. Hyri në errësirë me hapa shumë të ngadalshëm. 

“Eja më afër.” – u dëgjua një zë i qetë dhe mirëdashës.
Në gjysmë errësirë, pa një të moshuar.
“Ti jeton këtu?”, – e pyeti.
“Po”,- iu përgjigj i moshuari.

“Po si mund të jetosh në këtë shpellë i vetmuar, i varfër e larg prej të gjithëve?”.
“Unë nuk jam i varfër. Kam një thesar shumë të madh”.
“Një thesar? E ku e ke?”

“Shiko atje”,- i tha i moshuari duke i treguar me gisht një vrimë të vogël që hapej në njërën anë të shpellës dhe e pyeti:
“Çfarë sheh?”
“Asgjë”,- iu përgjigj ai.

“Asgjë?”,- klithi i moshuari i habitur. “Me të vërtetë nuk sheh asgjë?”
“Asgjë. Përpos një copë qielli!”, – tha njeriu i habitur.
“Një copë qielli! A nuk të duket një pasuri e mrekullueshme?!”

Burimi: Akropoli i Ri