Aktori i njohur i skenës dhe kinemasë, Mirush Kabashi e sheh prishjen e teatrit Kombëtar të lidhur me interesa të mafies së ndërtimit.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Kabashi vëren problematika të mëdha në ligjin për artin, sipas të cilit ai krijon varësi të plotë politike nga qeveria dhe zhduk pavarësinë e bordeve artisitike me përbërjen e artistëve për të vendosur për veprat artistike.

Duke bërë një krahasim me periudhën komuniste, Kabashi e cilëson ligjin për artin më autokratik se ai ligji i fundit të viteve ’80.

Ju pëlqeu projekti i Teatrit të ri Kombëtar, i prezantuar nga studioja “Bjarke Ingels Group”?

Të them të drejtën, nuk e pashë sepse nuk isha i ftuar në Kryeministri, pasi konsiderohesha me biografi jo të mirë artistike. Kur e sheh se si është konceptuar në urbanistikën e saj, atëherë e kupton se ajo nuk është e sinqertë dhe ajo nuk përmbledh mundësitë e ndërtimit të një Teatri Kombëtar, pavarësisht se aty është paraqitur ana arkitektonike dhe jo ana funksionale. Për këtë nuk është folur fare, ndërsa karakteri kombëtar i godinës së re nuk është përfillur fare. Teatri i Durrësit është në qendër të qytetit, ai i Shkodrës po ashtu, i Elbasanit apo i Korçës. Ndërsa Teatrin Kombëtar po e bëjmë një teatër krejtësisht të maskuar, të jetë një kusur apo një apendiks i ndërtimeve shumëkatëshe që do ndërtohen, ky është një abuzim që i kalon interesat e artistëve.

Ju shqetëson më shumë fakti që shumë pranë teatrit do të ketë kulla shumëkatëshe?

Të gjitha së bashku, dhe funksionaliteti, dhe mundësia sesi mund të ndërtohet më mirë dhe fakti që imponohet dhe nuk bëhet një diskutim i hapur, sepse mund të ketë dhe variante të tjera, ndoshta më të mira. Ajo që kërkohet, mbi të gjitha është transparenca që të bëhet një gjë e qëndrueshme dhe artistike dhe të tillë mund ta bëjnë vetëm artistët dhe jo politika, e aq më tepër ekzekutivi, që mesa duket është i kapur dhe i lidhur me interesa të mëdha të një lloj organizmi të frikshëm, që quhet mafia e ndërtimit.

/portali DurresLajm/