Nga Duro Mustafai                                           

Aty nga  mesi i viteve ‘7O-të, në kuadrin e luftës kundër burokracisë, ashtu si edhe të tjerët,shkrimtarin e njohur Petro Marko, e çuan “në gjirin e masave”, që siç thuhej atëhere,”të njihej me jetën e fshatit”. Dhe Petro i sapo mbritur në Dhërmi, do të botonte te gazeta “Drita” një reportazh, që fillonte me fjalët : “E kam lidhur barkën time këtu, në brigjet e limanit të vendlindjes”….E deshte Dhërmiun Petroja, jo vetëm se aty kish lindur dhe ishte një nga fshatrat e bukur e perlë e Bregdetit, por edhe për cilësit e vyera të bashkëfshatarëve të tij si trimërinë, zgjuarsinë,  krenarinë  e atdhedashurinë. Këto cilësi. si trashëgim i të parëve të tij, i mishëronte edhe vetë, e për këtë kish dhënë prova.Gjatë jetës së tij tri herë  Petro Marko. qëndroi me trup të prangosur po me shpirt të lirë, në bu, rgjet e regjimit të Zogut, të fashizmit e të socializmit, e nuk u nënshtrua e nuk u përkul në mbrojtje të lirisë, të së drejtës e të vërtetës. Prandaj e kanë quajtur edhe “shkrimtar rre, bel e krenar”…

Dhe faktet nuk do të mungonin edhe në Dhërmi…Atë e udhëhiqte mendimi se njeriu i vërtetë, kudo e kurdoherë duhet të jetë i lirë, i lirë në mendime e veprime, duke mposhtur frikën, që mbjell e përhap tirania. Sidomos në ato raste kur shikonte veprime të shëmtuara të jetës, ai nuk mund  të rrinte pa ngritur zërin. E kish bërë zakon që ditën të gjëndej arave midis kooperativistëve dhe mbrëmjeve, në klubin e fshatit të bisedonte, sidomos me burra të moshuar për ngjarje të jetës dhe historisë.Po një mbrëmje do të shfrynte i revoltuar. Kish parë gra të fshatit që zbrisnin nga kodrat të ngarkuara me dru.U kish dalë përpara: “Ç’bëni kështu moj motra, ju kanë ngarkuar me dru?..Po ju s’jeni kafshë!”. Kooperativa të ngarkojë mushkat dhe në se i mungojnë, le të ngarkohen burrat me dru, le të ngarkohen komunistët, që duhet të jenë “të parët në sakrifica e të fundit në pretendime”. Kështu ka porositur Partia, ja thoni këtë edhe Andresë, atij sekretarit të organizatës.”-Shkarkoni drutë dhe mos u ngarkoni më, kish thënë Petroja i revoltuar.

Zëri i tij ushtonte si një gjëmim i ardhur nga qielli. Fjalët e tij kishin marrë dhenë. Edhe Andrea Janila, sekretari i porsazgjedhur i organizatës,  që gëzonte respektin e bashkëfshatarëve, për maturinë e urtësinë e tij, ish vënë në dije të një letre anonime ku thuej se “Petro Marko, paska ardhur në fshat për të ngritur gratë kundër burrave”. Po Andea e kish mik Petron, e deshte dhe e respektonte atë,prandaj edhe kish bërë “Sikur s’dinte gjë”…Po kjo ngjarje, si dhe të tjerat, në një fshat të tillë të vogël e “nën vëzhgim”, si Dhërmiu, nuk mund të mos merreshin vesh nga Komiteti iPartisë së rrethit, të cilit zëra konservatorë e keqdashës e sinjalizonin  se “Rrebeli e armiku  Petro Marko po ndan gratë nga burrat e  po na  përçan fshatin”…Dhe kjo, do të lidhej edhe me një ngjarje tjetër të atyre ditëve. Pritej të zhvillohej mbledhja për dhënie llogari e zgjedhje të reja në organizatën bazë të partisë së fshatit…

Sekretari, Andea Janila i kish dhënë Petros raportin që do të mbahej në mbledhje, që ai  ta shikonte dhe ti bënte hyrjen;”Na bëj një hyrje të bukur, siç di ti, se në mbledhje do më vijnë të deleguar edhe nga rrethi, edhe nga Tirana”, i kish thënë Andrea …Dhe Petroja e “kish qëndisur”.Raporti fillonte me fjalët :”Para Letrës së Hapur të Komitetit Qëndror ( ishte fjala për letrën kundër burrokratizmit dhe shfaqjeve të huaja ), “ne shqiptarët jemi zvarritur si breshka, ndërsa tani, po përpiqemi të fluturojmë si shqiponja”….I menjëhershëm ishte reagimi i të deleguarit nga Tirana : -”Si, si, shoku sekretar?

Pa na e lexo edhe një herë. Paskemi qënë si breshka dhe tani jemi shqiponja ? Pse, ka ndryshuar vija e Partisë sonë?. I deleguari kish kuptuar se ato fjalët e bukura nuk ishin të sekretarit….Dhe më në fund kish pyetur: “Kush ta ka shkruar raportin? Sekretari u zu ngusht e u detyrua të tregojë…–“Petro Marko, e ka shkruar, unë e dija që do të vinit ju, dhe  i thash Petros, të më bënte një hyrje të bukur. Ç’është e vërteta,  mua më pëlqeu hyrja, ai është shkrimtar, e kam mik dhe këtu e duan fshatarët, se është biri ynë, po është edhe i zgjuar’-belbëzonte Andrea.…Ndërhynë edhe të tjerë. _Po Petro nuk është fare në Parti, ti nuk e di që ështe përjashtuar ?

Si i jepni atij raportin e organizatës që është sekret ?…Sekretari u step e s’foli më…Ndërsa ajo historia e “breshkës dhe shqiponjës”,  do të interpretohej edhe si naivitet, por më tepër, si tallje e Petro Markos me orientimet e Partisë, ç’ka shkaktonte pakënaqësi ndaj tij, e për këtë  duhej ndëshkuar..U desh ndërhyrja e Hysni Kapos, që ato ditë gjendej me pushime në Vlorë, që të mos merrej ndonjë masë tjetër e rëndë për Petron, veç largimit nga Dhërmiu,vëndlindja e tij. Por hija e atyre ngjarjeve, ashtu si dhe të tjerat, do ta ndiqnin edhe në Tiranë, kur edhe një reportazh për rininë, i shkruar bukur  prej tij, dhe i botuar te gazeta “Drita”,do të konsiderohej i dëmshëm e i rrezikshëm vetëm pse ai mbante firmën e Petro Markos.

Dëshmitar i asaj ngjarjeje që rrezikonte ndëshkimin e Petros dhe të redaksisë, është edhe autori i këtyre rradhëve, që atëhere punonte në gazetën “Drita”…Megjithatë, të gjithë janë dëshmitarë, të  respektit e dashurisë, që ushqenin krijuesit për Petro Markon edhe si njeri, edhe si shkrimtar.Dhe shëmbullin më te mire do ta jepte vet Kryetari I Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, Dritwro Agolli, që jo vetëm me Petron, por edhe me të tjerët, që dyshoheshin për “kleçka” në biografi e “lakra në kokë”,nuk u shmangej takimeve e bisedave me ta…Petro rrallë vinte në Lidhjen e Shkrimtarëve, po edhe kur vinte, atë do ta gjeje në Klubin e Lidhjes me një kafe, a gotë përpara, në shoqërinë e Dritwroit, të cilin e kishte mik të vërtetë, e më tepër me të  i “hahej muhabeti për të folur pa drojtje, ashtu siç kish bërë edhe me shokët e miqtë e tij në vendlindje, Dhërmi.

Burimi: Shekulli.com.al