Ambasadori italian në Shqipëri Alberto Cutillo pati mundësinë të merrte pjesë në Sarandë, në ceremoninë përkujtimore të 120 ushtarëve italianë të batalionit ‘’Perugia’’ që ranë në mbrojtje të bashkëkombasve të tyre pas ndërhyrjes së ushtrisë gjermane në Shqipëri.

Por, momenti më i veçantë ishte takimi me një banor të moshuar të Qeparoit, Koço Koka, i cili priti ambasadorin dhe Konsullen e Përgjithshme të Italisë në Vlorë Luana Micheli.

90-vjeçari rrëfeu historinë prekëse se si ai dhe familja e tij mbajtën të fshehur për një vit një ushtar italian me emrin Angelo, për t’i shpëtuar ekzekutimeve të pamëshirshme të oficerëve dhe ushtarëve gjermanë pas kapitullimit të Italisë në 8 shtator 1943.

‘’Në veçanti, ne banorët e Qeparotit, i jemi shumë mirënjohës për gjithçka që ushtarët italianë bënë për fshatin tonë dhe popullin shqiptar. Ata nuk do të harrohen kurrë’’, shkruan i moshuari Koka për ambasadorin Cutillo.

Pasi ushtarët u riatdhesuan, Koço Koka e takoi pas 50 vitesh Anxhelon në banesën e këtij të fundit në Sardenjë pasi u shemb regjimi komunist.

Burimi: Javanews.al