Sul Gragjevi – dhe Paulin Shestani* – Së bashku, një violonçelist legjendë dhe një dirigjent legjendë, me Orkestren e Filarmonisë së Berlinit, ishin në koncertin më të madh të shek.20 në Berlinin Perëndimor më 1969. Ishte vërtet një rast monumental në të cilin Mstislav Rostropoviç interpreton nën dirigjimin e Herbert von Karajanit, Koncertin op.104 për violonçelo dhe orkester të Antonin Dvorzhak dhe Variacionet në temë Rococo të P.I.Çajkovskit.

Regjistrimi u bë një ngjarje politike, se performanca e dy masterpjesëve ishte programuar në një klimë aspak të favorshme e të sigurt, në një Gjermani me një Berlin të ndarë dyshë. Fjalët ‘dialog’ dhe ‘ndryshim’ u dëgjuan më tepër se ditët e mëparshme në Berlin gjatë vizitës së Rostropoviçit sepse regjistrimi si projekt, në mënyrë të paevitueshme bartëte një ngarkesë politike.

Çelisti, kompozitori, pianisti, pedagog i Konservatorit të Moskës dhe Leningradit, i lindur në Baku, kurrë nuk fshehu dhe nuk e mbajti sekret kundërshtimin e tij ndaj politikanëve të vendit të tij.

Një mik i kompozitorëve Sovjetikë, i Prokofievit dhe i Shostakoviçit por gjithashtu edhe i Aleksander Solzhenjicin (shkrimtar, dramaturg, publicist, poet, aktivisht mori pjesë kundër ideve komuniste), nuk hezitoi të shprehte opinionet e tija në publik. Ai pa frikë përkrahte muzikantët e tjerë, i mbronte para asaj nomenklature të lartë politike. Ai nga vitet 60’s bëhet edhe më kundërshtues por njëkohësisht edhe më i diskutuari për ato probleme dhe në vitin 1974, ai largohet nga BS duke humbur edhe nënshtetësinë në vitin 1978. Është e domosdoshme të kujtojmë klimën e pasigurt, ngacmuese dhe gjithashtu shpresa e pashueshme për paqë duke vlerësuar sinjalet që do të dërgonte performanca e Berlinit me Dvorzhak dhe Çajkovskin. Muzika këtu ishte më shumë sesa një ekspresion i saj artistik, ishte një oportuniti për të thënë të vërtetën lidhur me shkeljen e të drejtave humane ndërkombëtare për të cilat shquhej legjendari Rostropoviç.

Nuk ishte i rastit edhe koncerti i Sviatoslav Richterit si pianist i madh Sovjetik në piano-koncertin No.1 të Çajkovskit po me Karajanin në dirigjim, në Vienë,për të arritur me anë të muzikës unitetin dhe pajtimin e dy ‘sistemeve’ në vend të tjera konteksteve. Çelo-koncerti i Dvorzhakut dhe Rococo magjepse dhe plot karakter, baletike dhe balladeske, mund të jenë shkruar për Rostropoviçin, për zemrën e tij ‘simpatike’ dhe për rezonancën e ngrohtë të instrumentit të tij si dhe luajtjet e tij në këtë instrument. ‘Dedikimi dhe mjeshtëria rritë unitetin simbiotik të atillë sa që pa frikë mund të thuhet se ekzekutuesi luan instrumentin ose instrumenti luan ekzekutuesin’. (kjo për Sllavan, nga Peter Cosse’).

Performanca e Berlinit ishte performanca më madhështore në historinë e violonçelos. Edhe pse kanë kaluar dekada dhe të tjera do të kalojnë, kjo performancë mbetet nga më të suksesshmet, e freskët kurdoherë dhe e pakapërcyeshme deri më sot, mund të kalojnë dekada e dekada dhe zor se mund të përsëritet një performancë Rostropoviç-Karajan. Dëgjojeni në cd origjinale për tu bindur.
Unë e dëgjoj shumë shpesh origjinalin e koncertit të Berlinit, me shumë kënaqësi, impresionohem fort prej tingullit të bukur të çelos krahas të gjitha figurave të virtuozitetit të mjeshtërit legjendar, formave të artikulacionit staccato, spiccato, legato, pizzicato,glissandot e bukura të dorës së majtë, vibratot, të shtrira mbi një ornamentacion misterioz.Edhe pse instrumenti im është violina, violonçelo mbetet për mua një instrument tepër i rëndësishëm jo vetëm solo por edhe në formacionetorkestrale. Dukej sikur Rostropoviç donte t’i thoshte botës me anë të violonçelos gjithçka çfarë do të kërkonin gazetarët, shtypi atje në Berlin. Ishte versioni më i mirë i dëgjuar deri më sot në një regjistrim të përsosur. BPO shoqëroi solistin në mënyrën më brilante pavarësisht se performanca hyri ne voltazh të lartë të çelo-koncertit, në një balancë të shkëlqyeshme të çelistit dhe orkestres. Nuk ishte parë ndonjëherë një partneritet i tillë, i shkëlqyer në mes Sllavas ( kështu u thëriste Menuhin) dhe Karajanit, aqsa Karajan i krijonhapësirë Rostropoviçit për një interpretim brilant.

Variacionet në temë Rococo të Çajkovskit, pas një çelo-koncerti, mund të konsiderohenthjeshtë si një element plotësues edhe për audiencën Berlineze, një moment ‘çlodhës’ dhe mjaft i këndshëm, me melodi të bukura të variacioneve joshëse. Interpretimi i variacioneve ‘Rococo’me gjithë temën, në violonçelon Duport Stradivarius të Sllavas, mahniti shikuesit. Çdo variacion, çelisti ligjendar e luan me shumë mjeshtëri dhe veçanërisht me shumë respekt për mjeshtrin e madh të unitetit melodik magjeps, të lirizmit, Çajkovskin, i cili, nga ndjeshmëria që kish për harqet, hodhi dritë mbi Variacionet ‘Rococo’ op.33, të një potenciali harmonik shumë të pasur. Rostropoviç e çarmatosi komplet kritikën e atyre ditëve duke e luajtur Rococo-n me mjeshtëri, virtuozitet dhe elegancë. Në pjesën e fundit, Rostropoviç tërhoqi të gjithë energjinë dhe potencialin melodikbashkë me pjekurinë e tij teknike, artistike, profesionale, për ta bërë interpretimin më se të admirueshëm për audiencën Gjermane.Sekreti i të gjithë brilancës dhe i virtuozitetit mbetet në përdorimin magjik të harkut krahas gishtrinjëve të gjatë e ‘fabulous’ të tij.
Siç komentohet nga kritikë e muzikologë të njohur, “…… diapazoni i instrumentit të violonçelos është shfrytëzuar plotësisht këtu në Rococo, me gjallëri dhe brilancë”. Ai ishte Paganini në violonçelo.
Më 27 Mars të vitit 1927, familjes Rostropoviç ilind djali Mstislav. Babai i tij, Leopold ishte violonçelist dhe profesor në Konservatorin e Bakusëe kështu ai u bë mësuesi i parë i të birit pasi zbuloi tek ai talentin muzikor, ndërsa e ëma, pianiste, i dha mësimet e para në piano që kur Mstislav ishte në moshën 4 vjeç.Talenti muzikor i djalit bëhej gjithnjë e më evident, në shfaqjet e paraSllava ekzekutoi në piano pjesë të vogla muzikore të krijuara prej tij. Violonçeli e tërhoqi shumë në moshën 7-8 vjeçare por kishte prirje edhe për kompozim.

Për një arsim më të mirë, i ati vendosi ta shkollojë në Moskë. Sllava mësonte aty ku jepte mësim i ati dhe në asnjë mënyrë nuk pranonte të mësonte nga tjerët. Më 1934-1937 ishte i regjistruar si nxënës i shkollës së njohur për muzikë ‘Gnjesin’. Më vonë, i ati zgjodhi shkollën muzikore pranë Konservatorit të Moskës, në klasën e profesorit me përvojë në fushën e kompozimit, E.Masner. Para se të vdiste, i ati Leopold Rostropoviç, me vetëdije të plotë, i shprehu gruas dhe fëmijëve dëshirën e tij: violonçelon dhe pianon, sido që të vij puna, nuk do ta shisni, kurse Sllava të studiojë te S.Kozollupovi. Vetëm pas mbarimit të luftës, Rostropoviçmundi të hyjë në Konservatorin e Moskës të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1946. Emri i tij u shkrua në Tabelën e Nderit prej mermeri dhe reputacioni i tij u shtri jo vetëm në kryeqytetin Rus por edhe përtej kufinjve të BS, si përmes inçizimeve ashtu edhe turneve në vendet Perëndimore. Çelistidha koncertet e tij të para në Moskë, Leningrad dhe shumë qytete të tjera të BS. Konkursi i parë i Rostropoviçit ishte ai që u organizua në Festivalin Botëror të Rinisë, në Pragë, ku ai zuri vendin e parë ndërsa gazeta ‘Mlada Fronta’ e quajti atë “Sensasion i Konkursit”. Violinisti legjendar Rus David Oistrah, Artist i Popullit, një ndër violinistët më të mëdhenj të shek. 20, pjestar i Jurisë, shkruante: “Nga teknika e lartë dhe elegante mund t’ia kishin zili shumë violinistë”. Mbas kësaj, pasuan koncertet në shtetet e Europës, që kërkonin me këmbëngulje të shihnin çelistin virtuoz. Në fillimin e viteve të 1950’s, gjendja materiale e Rostropoviçit u forcua, koncertet i sillnin të ardhura të mjaftueshme për një jetë normale e modeste me të cilën ai ishte mësuar. Ashtu si babai i tij kur ishte gjallë, dyert e shtëpisë së Rostropoviçit qenë të hapura për miqtë e shumtë.Sllava, ishte shumë i dashur me shokët që vinin nga qytete të tjerë të BS, cilësi kjo e trashëguar nga babai që pati një botë të pasur shpirtëroresi dhe zemërgjërësinë. Mendimi për vatren familjare, nevoja për martesë, i erdhi nga fundi i viteve 1950’s, kohë kur u bind se qe zot i fatit të tij. Miqësia me Sergej Prokofjevin, pianistin, kompozitorin dhe dirigjentin e madh Rus, e bindi atë në faktin se sa i vlente mbështetja familjare.

Galina Pavllovna Vishnjevskaja, soprano e operas në Balshoj Teater, iu shfaq në horizont në pranverën e vitit 1955. Njohja e tyre u bë në Pragë. Është e çuditshme kur mendon sesi afrohen njerëz që s’përputhen sipas rrënjëve dhe traditës familjare. Galina ishte një vit më e madhe sesa Sllava. Ajo kaloi vite shumë të vështira, kurrë nuk u përkul, por përkundrazi u kalit në jetë duke iu kundërvënë ashpërsisë së shtypjes dhe poshtërimit të instinkteve njerëzore. Galina e talentuar, hyri në një shkollë muzike për të rriturit, në Leningrad. Mësuesja e saj, që jepte mësim privat për kanto, e kuptoi mirë zërin e saj duke i thënë: “Ti je soprano-dramatike dhe do të këndosh si soprano” si dhe parashikoi, se “Në opera ti ke yllin në ballë!” Debutoi më 1944. Njëkarrierë të tillë edhe vetë Vishnjevskaja nuk e ëndërroi. Zëri i natyrshëm, talenti dramatik, paraqitja e jashtme, luajtën rolin e vet: nga i gjithë konkursi mbarë Rusisë, ajo ishte e vetmja që u pranua në Balshoj Teatër në vitin 1952. Në Teatër u sollën me simpati me këngëtaren e posapranuar, e përkrahën dhe menjëherë e vendosën në premierën më të vështirë duke i besuar rolin e Leonorës teFidelio e Beethovenit. Mbas kësaj, ajo këndoi në Evgenij Onjegin, Traviata, Aida duke i realizuar rolet me shumë sukses. Në Pragë, Rostropoviç e drejtoi vëmendjen nga Vishnjevskaja, u ul në tryezë pranë saj duke e vëzhguar me vëmendje. Gruaja e pëlqeu menjëherë për sinqeritetin dhe forcën tërheqëse emocionale. Sllava nuk i dha rëndësi të kaluarës së saj dhe vendosi që ajo të bëhej gruaja e tij….. Duke qenë 28 vjeçe, pas katër ditësh, në Pragë, ata u martuan.

Mstislav Rostropoviç u cilësua si një nga personalitetet botërorë të drejtave dhe lirive humane të artistëve. Raporti i nismëtarit të Perestrojkës Mihail Gorbaçov, me Rostropoviçin dhe Vishnjevskajan ishte i ndryshëm, por megjithatë, Rostropoviç e simpatizoi njeriun i cili i lejoi vendit të marrë frymë më lirisht, duke hedhur tutje frikën e arrestimeve dhe të internimeve. Kontakti me miqtë filloi ngadalë, duke u përtërirë fshehurazi. Izolimi i mëparshëm nuk ekziston më. Ata nuk llogarisnin ndonjë lutje ndaj qeverisë së tyre mbasi i dukej poshtëruese pas heqjes së nënshtetësisë më 1978 (Izvjestija,16 Mars 1978). Megjithatë, fatkeqësitë e vendlindjes i shqetsonin ata, por edhe i krijonin simpati, gjë që u shfaq pas termetit që goditi Armeninë. Rostropoviç dha ndihmesën e tij. Pasi shtyu kohën e nisjes nga Anglia për në Indi, ai organizoi në Londer koncertin e bamirësisë ku luajti vetë në violonçelo, kurse Vishnjevskaja interpretoi romancat e Çajkovskit. Më 1989 ai arriti marrëvëshje për një turne shfaqjesh në Moskë dhe Leningrad me Orkestren Simfonike të Vashingtonit.

Nga ana tjetër, në Janarin e vitit 1990, atyre iu kthye nënshtetësia Ruse. Pas më shumë se një dekadë e gjysëm, Rostropoviç kthehet në Rusi, në atdheun e tij ku e nderuan dhe e respektuan si një hero kombëtar. Rostropoviç dhe Vishnjevskaja, drejtë nga aeroporti u drejtuan në varrezat Novodjeviç, te varri i Shostakoviçit, pastaj te varrezat e nënës, Prokofievit, Oistrahut, Gilelsit, Deduhinit, Saharovit dhe më larg, në Armeni, të Haçaturjanit. Dy koncerte në Moskë dhe dy në Leningrad u ndoqën me shumë kënaqësi dhe interes. Rostropoviç kudo dhuronte bileta koncerti miqve të tij të vjetër, për të njohurit, etj. Ai mbeti si një njeri i hapur që nuk e harroi asnjëherë të mirën. Në mëngjesine 19 Gushtit 1991, duke u ndodhur në Paris për kremtimin e dasmës së vajzës së madhe, mori njoftimin për grushtin antiqeveritar në BS dhe menjëherë vendosi të shkojë në Moskë. Gruan dhe vajzat nuk i njoftoi, violonçelon nuk e mori me vete sepse nuk dinte se si do të zhvilloheshin ngjarjet, a do të mbetej gjallë. Kyhap ishte një kthesë për Rostropoviçin i cili kishte besim në popullin e vet dhe e shihte forcën e brezit të ri që do të personifikonte të ardhmen e Rusisë.

Rostropoviçin e lutën të flasë në Televizionin Rus. Ai dëshiroi të fliste me bashkatdhetarët dhe jo si mik por si qytetar i atij vendi: “Miq të dashur! Unë flas për vete, për Galien për të gjithë bashkëkombësit, dua vetëm që për ju të mos ndodh shantazh, që juve të mos u mashtrojnë me atë se për një javë do t’ju bëjnë të pasur. Vetëm ne vetë mund ta bëjmë këtë duke e kuptuar se jemi të lirë, nuk punojmë për pasurimin e komiteteve të partisë, për dëshirat e tyre…….Mua asnjëherë nuk më është shuar dashuria për atdheun dhe për Ju. Por kishte periudha, ju e kuptoni, sepse jam njeri shumë i emocionuar dhe zemërohem kur të poshtrit na hoqën të drejtat për të na quajtur qytetar të vendit tonë. Shpresoj se do të dalë dekreti i të dashurit Boris Jelcin që do të ndalojë privimin e qytetarisë Ruse, mbasi ajo është një dhuratë prej Zotit. Unë linda jo për arsyen që të marr lejen nga partia komuniste për të qenë qytetar i vendit tim, por kam lindur nga Zoti dhe atdheu im është gjithnjë kjo tokë ku unë kam lindur. U falemnderit ju moskovitë të mi të dashur, u falemnderit ju miq, u falemnderit të gjithëve kush më lejoi mua në këtë kohë të lumtur të jem me Ju”.

Çelisti legjendar kaloi tre muaj këtu dhe tensioni ra, u kthye në punët e zakonshme, në koncerte, në familje me mendimin se duhet të ndihmonte më aktivisht dhe më realisht. Në prag të vitit të Ri dhe pas vitit 1991në Moskë thirren emra laureatesh me çmime shtetërore të Rusisë. Jelcin do t’i dorëzonte çmimin e madh Rostropoviçit i cili nuk mundi të shkonte. Të hollat që do të grumbullonte nga koncertet, do t’i përdorte për ndërtimin e spitalit. Dhe për këtë ishte dakord që në Njizhnij Novgorod, të jepte koncerte në festivalin e arteve me emrin A.Saharov. Ai kishte dëshirë që pas 30 vjetësh të shkonte në qytetin ku së bashku me Dmitri Shostakoviç debutoi si dirigjent, atje ku Saharovi vuajti dënimin me internim. Pas çmimit të Rusisë, vjen çmimi i Katalonjës ku juria Spanjole e argumentoi me motivacionin “për meritat më të shquara artistike” si dhe “mbrojtjen e guximshme të lirisë të të drejtave të njeriut dhe të demokracisë në vendin e vet”. Njëqind mijë dollarët e marra në Spanjë, Rostropoviç ia shtoi fondit për spitalin e fëmijëve të Moskës. Në Marsin e vitit 1992, Balshoi Teatër i korrigjoi padrejtësitë në raportet me Vishnjevskajan, 45 vjetorit të veprimtarisë së saj krijuese i kushtohet një koncert i madh.

Galina krijoi fondin për ndihmë të veteranëve të skenës, por njëkohësisht drejton fondin e saj për pensionet. Pas Amsterdamit, Rostropoviç bashkë me Orkestren Simfonike Kombëtare të SHBA, nën drejtimin e tij, jep koncerte në Sheshin e Kuq dhe në Tempullin e “Krishtit Shpëtimtar”. Rostropoviç ishte një nga violonçelistët më të mëdhenj të botës, pedagog, Artist i Popullit i BS, Laureat i çmimit Lenin, Laureat i çmimit Stalin dhe i dy çmimeveShtetërorë të Rusisë, pesë herëLaureat i çmimit Gremmi, Doktor i nderuar i 50 Universiteteve të botës, qytetar nderi i 28 qyteteve dhe krahinave të më tepër se 10 shteteve. Si muzikanti më i madh i botës për gjithë kohët, është dekoruar më shumë se kushdo tjetër, 80 çmime e dekorime të ndryshme, 36 medalje ari dhe argjendi. Më 1993 ai bëhet Profesor Nderi i Konservatorit të Moskës. Më 4 Prill 2007,në DailyTelegrapftë Londrës, violonçelisti i shquar Anglez, Lloid Webber Julian e quajti Rostropoviçin “Çelisti më i madh për të gjitha kohët”. Kjo është më se e vërtetë, mund të dëgjosh sot çdo violonçelist virtuoz, por asnjëri nuk është në nivelin e Rostropoviçit, ai është i pakrahasueshëm në çdo aspekt, teknika e tij shndrit dhe shkumon me brilancën dhe me virtuozitetin e tij.Kritiku i famshëm Harold C.Schonberg e quajti Rostropoviçin, “Superstar i violonçelos në historinë e muzikës”.

Në Marsin e vitit 1987, Rostropoviç festoi 60 vjetorin e tij të lindjes. Në Vashington u mblodh lulja e inteligjencës Amerikane, yjet e botës muzikore, shkrimtarë të shquar, veprimtarë shoqërorë. Në një kohë kur vendi i tij i dashur, Rusia, pa marrë parasysh ndryshimet e ndodhura atje, heshtëte për artistin më të famshëm, Amerika dhe Europa bënin garë në shenjë mirënjohje dhe admirimi. Për nder të tij u mbajt në Vashington “Kongresi i Parë Botëror i Violonçelistëve” në të cilin Rostropoviçin e quajtën “muzikanti i vitit” ndërsaPresidenti Ronald Reagan, më 1987, i dorëzoi atij në Shtëpinë e Bardhë “Medaljen e Lirisë”.
* Sul Gragjevi,kritik muzike, kurse Paulin Shestani, violinist, pedagog, p.s./GSH.AL

Advertisements
Advertisements